Politikë

Berisha inspirohet nga Trump, paralajmëron tjetër ‘pakt’ me PS: Si ai do sillemi! Takime me qytetarët se media na censuron

Nga banesa e tij, kryedemokrati i kërkoi drejtuesve të qarqeve që të gjithë programin ekonomik ta hartojnë me grupet e interesit.

k.m.
Berisha inspirohet nga Trump, paralajmëron tjetër ‘pakt’
Pamje nga takimi i Berishës

TIRANË- Rikthimi i fuqishëm në krye të Shtëpisë së Bardhë, i republikanit Donald Trump është kthyer në një shembull për t'u ndjekur nga kryedemokrati Sali Berisha. Sot, kryedemokrati zhvilloi një mbledhje me drejtuesi politikë të 12 qarqeve në vend. Para tyre, Berisha dha disa piketa se ky duhet të fokusohet fushata e tyre, zhvillime ku Berisha duhet që të mungojë pasi është ende nën masën e sigurisë "arrest shtëpie".  Nga banesa e tij, kryedemokrati i kërkoi drejtuesve të qarqeve që të gjithë programin ekonomik ta hartojnë me grupet e interesit.

"Rrimë tek ekonomia. Për ne është shtylla më kryesore e programit. Ne jemi parti e taksave të ulëta, këtu nuk ndryshojmë. Por përveç kësaj, të nderuar drejtues të qarqeve, të gjithë programin tjetër ekonomik do ta hartoni ju me grupet e interesit në mbarë vendin. Nuk do hartojmë ne programin e biznesit të vogël. Jo, do ta hartojë biznesi i vogël programin e vet. Nuk do hartojmë ne programin për fermerët tanë, do e hartojnë fermerët tanë programin që e konsiderojnë më të përshtatshëm për suksesin e tyre. Nuk do hartojmë ne programin e arsimit, do e hartojnë mësuesit, nxënësit, pedagogët, studiuesit, shkencëtarët. Nuk do hartojmë ne programin e shëndetësisë, do e hartojnë mjekët, infermierët, qytetarët, të cilët përjetuan një rrënim të këtij sistemi. Pra, them dhe njëherë, në të gjitha takimet, ju përqendrimin maksimal, detyrën maksimale pas organizimit do keni programin,"-tha Berisha.

E shumë shpejt u rikthye tek shembulli i Trump. Berisha vlerësoi se demokratët dhe opozita janë nën "agresion mediatik", ndaj edhe u shpreh se mësimi kryesor që duhet të nxjerrin nga fitorja e Trump është takimi me njerëzit. Madje i ftoi që të gjitha takimet, demokratët t'i shfaqin në rrjetet e tyre sociale, pasi sipas tij, mediat i censurojnë. 

"Presidenti Donald Trump, përveç Tëitter-it të Elon Musk, gjithçka tjetër e kishte kundër. Por ishin takimet e tij me qytetarët të trefishta të krahasuara me rivalët, ishin takimet e aktivistëve republikanë me qytetarët ato që zbehën, asgjësuan fuqinë manipuluese të medieve kryesore dhe të polleve toksike, të cilat vërshonin në të katër anët për të mashtruar qytetarët. Pra, në qoftë se ka një mësim kryesor që ne mund të nxjerrim nga fitorja e presidentit Donald Trump është takimi me njerëzit si rruga më efiçente, më e suksesshme, më e sigurt e komunikimit dhe neutralizimit të agresionit mediatik qeveritar, mashtrimeve që përhapen çdo orë nga mediat e klonuara në zyrat e Edi Ramës. Prandaj të nderuar drejtues të qarqeve, nga nesër do regjistroni çdo takim tuajin, do ta ekspozoni atë në rrjetet sociale, në FB, në X, Instagram, në rrjetet dhe faqet e PD pa përjashtim të gjitha. Dhe unë ju garantoj se në këtë rrugë ne do përmbysim propagandën mashtruese të 4 RTSH-ve të klonuara nga zyra e Edi Ramës dhe ERTV-ja e tij. Sot, rrjetet sociale dhe portalet kanë meritën më të jashtëzakonshme të censurës dhe të nxjerrjes si Don Kishot të të gjithë atyre që bëjnë censura, që manipulojnë dhe mashtrojnë me lajmet,"-shtoi kryedemokrati.

Në fund, u fokusua tek vota e diasporës. Për Berishën, emigrantët do jenë "Leva e Arkimedit" dhe do t'i japin Partisë Demokratike, në një sukses si ai i vitit 1992, kohë kur demokratët fituan 92 nga 140 mandate. Numri një i opozitës kërkoi që për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të mbushin formularin që demokratët kanë shpërndarë. Ai tha se opozita është e gatshme të votojë çdo ndërhyrje të nevojshme në Kod në funksion të votës së diasporës.

"Çështje e dytë që dua të sjell në vëmendjen tuaj është çështja e votës së shqiptarëve jashtë vendit. Detyrat tuaja konkrete janë shumë të rëndësishme. Një formular është shpërndarë. Ndjekja e mbushjes së këtij formulari për çdo anëtar dhe mbështetës tonin, por edhe për qytetarët e tjerë pa ndonjë hezitim sepse ne në këto zgjedhje ju garantoj se do ketë, dhe do ketë zgjedhje të lira, një pjesë e mirë e socialistëve do votojë PD-në, siç votuan demokratët për republikanët në SHBA. Ndaj dhe ta marrim në mënyrën më serioze çështjen e mobilizimit të çdo potenciali për shqiptarët jashtë vendit. Do jenë ata Leva e Arkimedit në një sukses të ri si ai i vitit 1992. Ne jemi të gatshëm të votojmë cdo ndërhyrje të nevojshme për ta bërë procesin e votimit të shqiptarëve jashtë vendit sa më pa pengesa, të mundshëm, transparent dhe të pamanipulueshëm. Nuk duhet të harrojmë se kemi të bëjmë me një të drejtë themelore të qytetarëve shqiptarë që ne kurrë nuk e shmangim,"-e mbylli fjalën e tij Berisha./ZËRI

Poll

MOS HUMB