Politikë

Begaj në Abu Dhabi, takohet me homologun Mohamed bin Zayed

Gjatë bisedës Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar nga Emiratet e Bashkuara Arabe ndër vite, veçanërisht në momente të rëndësishme për vendin dhe shqiptarët.

M.K.
Begaj në Abu Dhabi, takohet me homologun Mohamed bin Zayed
Presidenti Begaj me Sheikun Mohamed bin Zayed Al Nahyan

ABU DHABI- Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka zhvilluar diten e sotme nijë vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, në atë që shënon vizitën e parë të një Presidenti shqiptar në këtë vend. Në Abu Dhabi Begaj u prit nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, me të cilin zhvilloi një takim të fokusuar në marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjatë bisedës Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar nga Emiratet e Bashkuara Arabe ndër vite, veçanërisht në momente të rëndësishme për vendin dhe shqiptarët.

Në këtë kuadër, ai veçoi mbështetjen gjatë luftës në Kosovë, pas tërmetit shkatërrues të vitit 2019, si dhe gjatë sulmit kibernetik të vitit 2022. Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua marrëdhënieve ekonomike dhe investimeve. Begaj nënvizoi potencialin që ekziston për rritjen e investimeve emirateze në Shqipëri, me fokus në sektorë strategjikë si infrastruktura, energjia, inovacioni dhe turizmi.

Presidenti shqiptar vlerësoi gjithashtu hapjen e Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Tiranë, duke e konsideruar atë një hap që pritet t’i japë një shtysë të re forcimit të lidhjeve politike, ekonomike dhe njerëzore mes dy vendeve. Në takim u diskutuan edhe zhvillimet ndërkombëtare dhe bashkëpunimi në kuadër të organizatave shumëpalëshe. Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të avancuar bashkëpunimin në çështje që lidhen me paqen, sigurinë dhe zhvillimin.

Gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe, Presidenti Begaj zhvilloi gjithashtu takime me Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Princin e Kurorës së Abu Dhabit, dhe Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan, Zëvendëspresident i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kryetar i Gjykatës Presidenciale./ZËRI

Poll

MOS HUMB