TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialite, Taulant Balla, ka reaguar për mediat pas tensioneve të krijuara para dhe gjatë zhvillimit të seancës, ndërsa në përfundim kanë penguar daljen e deputetëve.
Pas daljes nga seanca, brenda ambienteve të Kuvendit, Balla u ndal në një prononcim për mediat duke theksuar se dhuna ndaj efektivëve të policisë është e patolerueshme.
“Ne s’mund të zmbrapsemi se një grup mbeturinash politike mendojnë që parlamenti duhet të shpërndahet”, u shpreh Balla, duke shtuar se bëhet fjalë për një skenar në dëm të Shqipërisë.
“Unë jam mësuar në këto 13 vite të qeverisjes sonë. Ne s’mund të zmbrapsemi se një grup mbeturinash sociale e politike mendojnë që parlamenti duhet të shpërndahet. Sot, edhe shqiptari më skeptik sa i përket pjesës që këtu është një skenar tërësisht jo shqiptar, në dëm të Shqipërisë, ky skenar nuk është surprizë. Për ne s’është surprizë, e kemi pritur, kemi kohë që e presim. Kush ka dyshime që brenda atij grupi atje, dhunon punonjësit e policisë. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Mbështes policinë e shtetit. Kushdo që ngre dorë, do të përballet me forcën e Policisë së Shtetit. Pse 28 ditë s’pati asnjë akt dhune dhe pjesëmarrja ishte më e madhe? PS, qeverisja e saj, pas pak ditësh do të vijë momenti kur do të ulet me protestuesit e vërtetë, ata që u ngritën për natyrën, për arrogancën e çdo punonjësi të administratës që ka zënë karrigen. Protestuesit e vërtetë sot ndahen qytetarët që mbushin bulevardin dhe një grup personash me precedentë penalë”, u shpreh Balla./ZËRI