
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj ka shpërthyer në lot teksa fliste për çështjen "Babalja" dhe denoncimit që iu bë vëllait të tij nga opozita e vendit disa vite më parë. Në emisionin “Opinion”, i përlotur, Xhafaj i kërkoi falje ndaj familjarëve të tij për akuzat e ngritura, duke shtuar se shkak për to janë bërë postet që ai ka mbajtur ndër vite.
"Më lër 30 sekonda t’u kërkoj falje familjarëve të mi, shumë falje. Gjithë familjarëve të mi t’i kërkoj falje, nipërve dhe mbesave, edhe fëmijëve të atij vllait tim për dhimbjen që u kam shkaktuar. Të gjitha ato që vuajnë ata, vuajnë vetëm sepse unë kam qenë në politikë. Nëse unë nuk do të isha këtu ku jam dhe nuk do të kisha bërë këto, ata nuk do t’i kishin vuajtur këto, do të ishin njerëz të zakonshëm, do të kishin ndenjur në qetësinë e tyre. Nëna ime më ka thënë një herë shumë mirë, ‘Biri im, nuk kam vetëm një fëmijë, janë edhe këta të tjerët,"-u shpreh ish-ministri i Brendshëm.
Më pas, u ndal më gjatë në çështjen "Babale", duke shtuar se një grup kriminal nga Elbasani dhe një tjetër nga Kurbini kanë "ndihmuar" që çështja të bëhej publike. Por edhe pse dha disa detaje, nuk zbuloi për cilat grupe bëhej fjalë.
"Jo ky nuk u vetëofrua. Ky u ofrua dhe është ofruar nga njerëzit dhe ka qenë në interesin e Partisë Demokratike për ta bërë këtë gjë. Përfitimi ishte që do të shkonte në azil siç ndodhi me ndihmën e Partisë Demokratike, siç e ka provuar vetë Salianji. Ky ishte shkëmbimi midis tyre kundrejt 200 mijë Eurove që do të paguhej sepse qëllimi ishte që të inskenohej kundër meje dhe pas kësaj kanë qenë grupet kriminale. Dy grupe kriminale një i Elbasanit dhe një i Kurbinit që kanë qenë të interesuar për shkak të përplasjeve publike që kanë pasur me mua gjatë kohës që kam qenë ministër. E kanë mbështetur gjithë këtë proces. Ndërkohë ka qenë i interesuar lidershipi politik i Partisë Demokratike për të më goditur mua politikisht dhe e ngritën të gjithë këtë mbi një mashtrues,"-tha Xhafaj.
Pasi u dorëzua, Xhafaj tha se i vëllai ishte lënë i lirë nga autoritetet italiane pasi kishte siguruar një punë në Itali.
"U paraqit me iniciativën e tij, u është dashur autoriteteve italiane që të gjenin dosjen sepse nuk kishin dosjen. Ishte e arkivuar. U nxorr dosja, u paraqit, nga 4 vjet nuk ka arritur të bëjë as gjysmë e atij dënimi. Ka dalë jashtë, ka hyrë në punë dhe ka pasur vetëm detyrimin të mos largohej nga Italia. Ka qenë në marrëdhënie pune."
Por edhe pse në burg, Xhafaj nuk e la pa komentuar ish-deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji për të cilin u shpreh se ishte i bindur që kishte prodhuar prova të rreme, për iniciuar një proces penal për vëllain e tij në mënyrë për të goditur figururën politike të ish-ministrit të brendshëm. Ndaj dënimi me burg i tij, ishte në përputhje të Kodit Penal. Moderatori i emisionit, Blendi Fevziu e ka pyetur nëse është ai personi që ka lëvizur fijet për burgosjen e Salianjit, Xhafaj e ka mohuar.
"Unë nuk do dëshiroja të shihja një politikan në burg për kallëzim të rremë. Ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë edhe më shumë se dënimi në vetvete i një personi për efektit të dramës njerëzore, por edhe efektit që ka në politikë dhe në shoqëri. Nuk ka 2 standarde drejtësia. Ky është një shembull i mirë që tregoi që kur krijon prova të rreme, duhet të përgjigjesh për kallëzim të rremë. Ka 6 vjet që çfarë nuk dëgjoj për këtë histori. Kam të drejtë morale në emër të gjithë atyre që është hedhur baltë. Janë vrarë dhe rivrarë për fakte të pavërteta. Edhe ky është një shembull që duhet të aplikohet drejtësia. Ka plot të tilla që janë ndjekur gjyqësisht në dijeninë time. Kjo duhet të jetë rruga e vetme si duhet të zgjidhen gjërat në shoqëri. Ervin Salianji nuk është dënuar sepse tha publikisht që vëllai im ka pasur një dënim penal dhe as sepse tha se këtë dënim nuk ishte duke e vuajtur në ato momente. Është dënuar se me qëllim ka krijuar prova të rreme për të inicuar një proces penal për vëllanë tim me synimin për të më goditur mua si politikan dhe si ministër i brendshëm në atë kohë."
Në të njëjtin emision, ish-ministri i Brendshëm, sqaroi edhe çështjen e dënimit të të vëllait, Geron Xhafaj, Xhafaj tha se nëse vëllai i tij do të qëndronte në Shqipëri nuk do të bënte burg, pasi çështja e tij në Itali ishte e parashkruar në shtetin fqinj. E po ashtu sqaroi se i vëllai nuk kërkoi që çështjen penale që kishte hapur në Itali ta kalonte për ekzekutim në Shqipëri.
“E di pse shkoi në Itali vëllai im? Po të kishte qëndruar këtu nuk i ndodhte asgjë. Zotëri vëllai im ka shtëpinë e vet unë kam shtëpinë time. Shkoi atje se nëse do të rrinte këtu do të thonin se nuk u dënua se është vëllai i ministrit? Ai tha po shkoj atje e ta mbyll këtë punë. Autoritetet italiane e kanë arkivuar dosjen, nuk e kanë kërkuar. Nëse vëllai im do të shkonte në gjykatën shqiptare do ta bënte njohjen e vendimit, nuk dënohej sepse ishte parashkruar. U paraqit me iniciativën e tij, u është dashur autoriteteve italiane që të gjenin dosjen sepse nuk kishin dosjen. Ishte e arkivuar. U nxorr dosja, u paraqit, nga 4 vjet nuk ka arritur të bëjë as gjysëm e atij dënimi. Ka dalë jashtë, ka hyrë në punë dhe ka pasur vetëm detyrimin të mos largohej nga Italia. Ka qenë në marrëdhënie pune. Ka ardhur në Shqipëri pas zgjedhjeve të 2021-shit. Që atëherë hyn e del normalisht në Itali dhe në çdo vend tjetër të planetit”,-tha Xhafaj.
Për çështjen "Babale", ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji u dënua me 1 vit burg./ZËRI