TIRANË-Opozita ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të verifikuar veprimtarinë e institucioneve shtetërore lidhur me trafikun ndërkombëtar të armëve, pas denoncimeve të bëra nga ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj gjatë një interviste në “Çim Peka LIVE”.
Ahmetaj tha se disponon informacione dhe materiale që, sipas tij, lidhen me një strukturë të organizuar për trafikimin e armëve, duke pretenduar se armët vijnë nga vende të Afrikës, paketohen në Shqipëri dhe më pas dërgohen drejt destinacioneve të tjera.
“Është vetëshpjeguese. Jemi duke folur për trafik ndërkombëtar armësh. Dhe jo në kuadër të marrëveshjes, në sytë e NATO-s, që ka Shqipëria me Ukrainën. Jo. Jemi duke folur për trafik armësh nga vendet e Afrikës, që do paketohen në Shqipëri, ose që paketohen në Shqipëri, dhe që pastaj marrin rrugën... Jemi duke folur për trafik të pastër armësh”, deklaroi Ahmetaj.
Pas kësaj deklarate, 39 deputetë të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë i janë drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, me një kërkesë, ku kërkohet hetim nëse institucionet përgjegjëse kanë vepruar në përputhje me ligjin për parandalimin, kontrollin dhe zbulimin e këtyre veprimtarive dhe nëse ekzistojnë përgjegjësi politike, administrative apo institucionale.
Fokusi i hetimit do të përfshijë procedurat e importit, eksportit, tranzitit, transportit, magazinimit dhe transferimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake, si dhe licencat dhe autorizimet e lëshuara nga institucionet shtetërore. Demokratët kërkojnë gjithashtu verifikimin e kontrolleve doganore, kufitare, portuale dhe aeroportuale. Një tjetër drejtim hetimi është nëse ka pasur komunikime, ndërhyrje, urdhra apo orientime nga funksionarë publikë që mund të kenë ndikuar në trajtimin institucional të çështjeve të dyshuara, si dhe marrëdhëniet mes subjekteve private të përmendura në materialet publike dhe institucioneve shtetërore.
Hetimi parlamentar propozohet të shtrihet për periudhën 1 janar 2024–7 shtator 2026, duke përfshirë edhe dokumente më të hershme. Opozita kërkon që Komisioni të marrë në pyetje kryeministrin Edi Rama, ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm gjeneral lejtnant Arben Kingji, drejtuesen e SHISH Vlora Hyseni, drejtorin e Policisë së Shtetit Skënder Hita dhe drejtorin e KAYO-s Ardi Veliu, si dhe informacione nga struktura përgjegjëse për industrinë e mbrojtjes, tregtimin e armëve, doganat dhe autoritetet portuale e aeroportuale.
Opozita ka kërkuar edhe dëshminë e Arben Ahmetajt dhe që Komisioni të administrojë dhe verifikojë materialet audio, përfshirë origjinën, kohën, integritetin teknik, identitetin e personave dhe përputhshmërinë me dokumentacionin zyrtar. Sipas kërkesës, Komisioni nuk do të përcaktojë përgjegjësi penale dhe nuk zëvendëson Prokurorinë; objekti i tij mbetet kontrolli parlamentar i veprimtarisë së institucioneve dhe përcaktimi i përgjegjësive eventuale politike dhe institucionale.
