TIRANË- Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas alarmit të rremë për bombë në shkollën 'Edith Durham' në Tiranë ngjarje që shkaktoi shqetësim në ditën e parë të mësimit. Përmes një reagimi në rrjetet sociale Koçiu e dënoi ashpër rastin duke theksuar se një alarm i tillë në një ambient të mbushur me fëmijë nuk mund të konsiderohet si një shaka apo veprim i pamatur.
“Një alarm i rremë për bombë në një shkollë në Tiranë, ditën e parë të mësimit, kur oborret janë të mbushura plot me fëmijë, nuk është një shaka e hidhur, nuk është një test cinik për reflekset e Policisë së Shtetit dhe as një lajthitje e rastësishme e një mendjeje të papjekur, por një çmenduri e mirëfilltë kriminale”, u shpreh Koçiu.
Koçiukritikoi gjithashtu justifikimin e sjelljeve të tilla në emër të lirisë, duke argumentuar se veprime të tilla nuk kanë lidhje me ushtrimin e një të drejte në një shoqëri demokratike.
“Kjo lloj çmendurie që shpesh tolerohet nën alibinë e një ‘lirie’ pa fre, nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e vërtetë”, deklaroi ajo.
Gjithashtu zëvendëskryeministrja u ndal edhe te rastet kur hapësira publike sipas saj, përdoret për veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë, duke kërkuar që ndaj autorëve të këtyre veprimeve të zbatohet ligji.
“Këtyre që ndosin protestën, që e ngatërrojnë lirinë me anarkinë e mendjeve të tyre të boshatisura, duke e kthyer hapësirën tonë publike në një fushë eksperimentesh të dështuara, ligji duhet t’u tregojë shumë shpejt se Shqipëria nuk është një teatër ku mund të luajnë falas dramat e tyre të sëmura”, tha Koçiu.
Në fund të reagimit, ministrja theksoi nevojën që shoqëria të mbajë një qëndrim të qartë kundër rasteve të tilla.
“Refuzimi i këtyre sjelljeve anormale duhet të jetë qëndrim i të gjithë shoqërisë”, përfundoi zëvendëskryeministrja Albana Koçiu.

/ZËRI