
TIRANË- Një i moshuar është gjobitur me 200 euro nga Policia Bashkiake e Tiranës! E gjitha sepse ka krasitur pemët që vetë i ka mbjellur para pallatit ku ai banon. Denoncimin e ka bërë nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili ka publikuar në rrjetin e tij social edhe fletën e gjobës. Në fletë shkruhet se gjoba është vënë për dëmtim të hapësirës publike dhe të gjelbër.
Por siç bën me dije edhe kandidati i PS për deputet në Tiranë, bën me dije se i moshuari i ka mbjellë vetë të gjitha pemët dhe thjesht është kujdesur për to, por edhe është gjobitur. Braçe shkruan se i moshuari po kërkon drejtësi prej 4 muajsh për këtë gjobë dhe nuk po e gjen askund, ndaj edhe ai ka zgjedhur që ta bëjë publike situatën absurde.
"Kjo nuk është Policia Bashkiake që na duhet. Dje ju thashë që “kur i do policitë e të gjitha llojeve, nuk i gjen kurrë”; por ama për të bërë dëm në komunitet gjenden gjithnjë. Tek trekëndëshi i 1 majit me përplasjen në fytyrë këtë gjobë 200 EURO! Gjoba thotë për shkulje prerje pemësh, shkurrësh etj. Një burrë i moshuar që ka shtëpinë në kat të parë i ka mbjellë vetë edhe ullinjtë, edhe pemët e tjera, edhe shkurret. Të harlisura e në periudhën e duhur i ka krasitur. I vunë këtë gjobë. Ka 4 muaj që plas të gjejë të drejtën e tij po nuk e gjen kërkund. Ndaj jo çdo lloj injoranti merr vesh nga kjo punë; krasitja e pemëve të tua nuk është shkelje ligji. Tani mezi pres që polici i radhës i Policisë Bashkiake të hyjë këtu e të më thotë “TI GENJEN”!,"-shkruan Braçe.
Edhe pse denoncimi ka disa orë që është bërë publik, ende nuk ka asnjë reagim nga Policia Bashkiake!/ZËRI