Politikë

500 euro për PD/ Çështja kalon në SPAK, demokratët: Sulm i orkestruar nga PS!

Sipas tyre, e gjitha është një skemë e ngritur nga Partia Socialiste për t'i sulmuar para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

k.m.
500 euro për PD/ Çështja kalon në SPAK, demokratët:
Sali Berisha

LUSHNJË- Pas arrestimit të 38-vjeçarit Marin Leka për blerje votash, çështja ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo pasi, SPAK dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë nrgitur një task forcë së bashku për të hetuar krimin zgjedhor.

Ndërsa në lidhje me rastin një reagim ka ardhur edhe nga Partia Demokratike në qarkun e Fierit. PD ka mohuar të ketë lidhje me rastin e krimit zgjedhor dhe ka kërkuar hetim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Sipas tyre, e gjitha është një skemë e ngritur nga Partia Socialiste për t'i sulmuar para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Deklarata e PD:

Sajesat e turpshme si të Sigurimit të Shtetit as na ndikojnë, as na shfokusojnë nga misioni ynë për të bërë më të mirën për Shqipërinë. Ne distancohemi nga çdo krim elektoral dhe jemi në krye të betejës kundër shkeljeve të ligjit në zgjedhje. Manipulimet e opinionit publik të kryer nga Policia e Shtetit, një bandë në shërbim të Belinda Ballukut, duhet të marrin përgjigje nga Prokuroria e Posaçme. SPAK duhet të hetojë menjëherë rastin dhe të vendosë para përgjegjësisë cilindo që ka shkelur ligjin. Ne kemi besim të plotë tek SPAK për zbardhjen e këtij rasti, ku po keqpërdoret Policia e Shtetit për propagandë bajate kundër PD. Sajesa e trashë, qesharake dhe e turpshme e Policisë së Shtetit është bërë për llogari të PS dhe Belinda Ballukut për të zhurmuar krimin elektoral të detyrimit të administratës për të marrë pjesë në mitingjet e PS. 35 fletëthirrje janë dërguar tek strukturat e Partisë Socialiste për krime zgjedhore vetëm ditën e djeshme për këtë krim elektoral. Ne inkurajojmë Prokurorinë e Posaçme që të vijojë punën për goditjen e çdo krimi zgjedhor në qarkun Fier.

Lidhur me rastin nuk ka munduar as reagimi i kryedemokratit Sali Berisha. Ky i fundit, gjatë një konference me gazetarët tha se këto ngjarje janë të stimuluara nga kryetarja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni dhe ish-kryepolici Ardi Veliu. Për Berishën, personi që ka kryer denoncimin është rekrutuar prej tyre dhe paralajmëroi edhe përjashtimin e tij nga Partia Demokratike.

"Po të garantoj mijë për mijë, kjo është si rasti i Belerit, këto janë simulime sepse është e tëra e organizuar nga Vlora Hysenaj dhe Ardi Veliu, kategoria e provokatorëve sepse e dinë që fluturojë atje ku e meritojnë pas datës 11 maj, dhe të garantoj se sapo të mësoj emrin e personit që ka marrë pjesë, përjashtohet në mënyrë përfundimtare nga PD. Përjashtohet si agjent i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe i policisë kriminale, nëqoftëse është njëri që e ka bërë. Pra ai që e ka bërë, unë do ta përjashtoj nga PD si njeri të rekrutuar nga Vlora Hysenaj dhe Ardi Veliu. Se e kanë si ekspertë të sigurimit të shtetit të vjetër. Në një reagim publik, PD e Fierit, tha se distancohet nga çdo krim elektoral, dhe i kërkon SPAK të vë këdo para përgjegjësisë. Por sipas saj, e gjitha është një histori e stisur nga policia për llogari të Partisë socialiste dhe drejtueses politike në qarkun e Fierit Belinda Balluku,"-shtoi Berisha lidhur me ngjarjen.

Ndërkohë që po sot, kreu i SPAK, Altin Dumani tha se në institucionin që ai drejton ka pasur disa kallëzime lidhur me krimet zgjedhore, të cilat po hetohen nga agjentët./ZËRI

Poll

MOS HUMB