TIRANË-Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjete sociale ka lidhur Konferencën Ndërqeveritare Shqipëri-BE, e cila do të zhvillohet nesër, me 180-vjetorin e lindjes së Naim Frashërit. Rama e ka cilësuar si një “mister të gëzueshëm” faktin që drita jeshile për çeljen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në BE po vjen pikërisht në përvjetorin e lindjes së poetit dhe ideologut të Rilindjes Kombëtare. Kreu i qeverisë shprehet se, “Shqipëria 2030” do të jetë viti kur vendi do të bëhet pjesë e familjes europiane, duke e cilësuar atë si “Vitin Europian të Naimit”.
Edi Rama: Eshtë një mister i gëzueshëm, që drita jeshile për çeljen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkim Europian, të vezullojë në harkun e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, udhërrëfyesit gjenial të aspiratës sonë shekullore drejt “Diellit që lind andej nga perëndon”.
Me mirënjohje të madhe e kujtojmë në këtë 25 maj “Shqipëribërësin” e madh dhe të pavdekshëm, duke e thirrur Orën e Mirë të shpirtit të tij për ditët e mira që paskëtaj vijnë për kombin e për shtetin tonë. Me punën tonë të përbashkët, nën dritën e amanetit të tij dhe rilindësve tanë, e me ndihmën e Zotit Shqipëria 2030, do ta kurorëzojë atë vit të 130-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit si Vitin Europian të Naimit, vitin e “Diellit që lind andej nga perëndon. Dhe nëse siç tha Konica, kur u shtie në dhé Naimin e përcollën 300 shqiptarë, në Shqipërinë 2030 Shqipëribërësin e madh do ta kremtojë të gjallë një popull i tërë, i bërë njësh me familjen e Europës së Bashkuar.