Politikë

Java Politike: BE miraton IBAR, Berisha sërish në krye të PD-së

Dokumenti kaloi për miratim nga grupi i punës i Këshillit të Bashkimit Europian për Zgjerim, duke i hapur rrugë konferencës ndërqeveritare Shqipëri-BE më 26 maj në Bruksel.

Loreta Koleci

Java Politike: BE miraton IBAR, Berisha sërish në krye të

TIRANË- Java nisi me me vizitën 5 ditore të kryeministrit Rama në Korenë e Jugut. Ai u takua me homologun e tij në Seul, ku u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në disa fusha si: tregtia, investimet dhe inteligjenca artificiale. Të enjten në Kuvend u zhvillua seanca parlamentare ku opozita kishte kërkuar nëntë interpelanca me ministrat dhe kryeministrin. Dy interpelancat me kryeministrin u shtynë pasi ai nuk ndodhej në sallë.

Po atë ditë, PS dhe PD miratuan me konsensus ndryshimet për rregulloren e Kuvendit. Ndryshimet kryesore parashikojnë që vetëm institucionet e përcaktuara në Kushtetutë të raportojnë në seancat plenare, ndërsa SPAK tashmë do të raportojë vetëm në komisionin parlamentar përgjegjës. Gjithashtu, seancat parlamentare të cilat do të jenë të gjata, tashmë do të ndërpriten në orën 22:00 dhe do të vazhdojnë një ditë më pas.

Masat disiplinore ndaj deputetëve do të pezullohen automatikisht nëse ankohen në Byronë e Kuvendit. U vendos gjithashtu që sekretariati i etikës të ketë një përbërje të barabartë mes shumicës dhe opozitës, ndërsa dy grupet e mëdha parlamentare do të kenë tashmë një numër të barabartë këshilltarësh politikë. Pro këtyre ndryshimeve votuan 100 deputetë nga pozita dhe opozita, ndërsa i vetmi deputet që votoi kundër ishte ai i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi.

Ndërsa gjatë javës Shqipëria mori një tjetër sinjal pozitiv në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Grupi i punës i Këshillit të Bashkimit Europian për Zgjerim miratoi draftin për raportin që vlerëson progresin e Shqipërisë në negociatat me BE. Dokumenti kaloi për miratim nga grupi i punës i Këshillit të Bashkimit Europian për Zgjerim, duke i hapur rrugë konferencës ndërqeveritare Shqipëri-BE më 26 maj në Bruksel. Dokumenti final i BE-së kritikon Shqipërinë për korrupsionin, presionet politike ndaj SPAK-ut dhe ndërhyrjet në drejtësi.

Raporti ngre shqetësime edhe për korrupsionin në ndërtimin e pasurive të paluajtshme, si dhe kërkon më shumë mbrojtje sociale dhe zhvillim ekonomik gjithëpërfshirës. Pas këtij zhvillimi të rëndësishëm për vendin, reagoi edhe kryeministri Rama në Facebook-un e tij. Ai e cilësoi 26 majin si një ditë krenarie për Shqipërinë, duke theksuar se vendi po avancon drejt objektivit strategjik të integrimit europian. Ndërsa java u mbyll me zgjedhjet për kryetarin e PD-së, ku përmes një referendumi të brendshëm Sali Berisha rikonfirmohet sërish në krye të kësaj partie. Vlen të theksohet se ai ishte i vetmi kandidat për kryetar në këtë garë./ZËRI

Poll

MOS HUMB