Papa Leone XIV pritet të nisë këtë të premte një vizitë 12-ditore në Amerikën e Jugut më pak se një muaj pas ndërhyrjes kirurgjikale në mushkërinë e djathtë. Pavarësisht operacionit për heqjen e një pjese të mushkërisë Vatikani bën me dije se Ati i Shenjtë është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka nevojë për masa të posaçme mjekësore gjatë udhëtimit.
Sipas informacioneve të bëra publike nga Vatikani Papa 71-vjeçar do të vizitojë Uruguain, Argjentinën dhe Perunë në një tur që pritet të jetë ndër më intensivët e ndërmarrë nga një Papë në dekadat e fundit. Më 13 tetor ai iu nënshtrua një operacioni për heqjen e lobit të poshtëm të mushkërisë së djathtë, pas diagnostikimit me adenokarcinomë një nga format më të përhapura të kancerit të mushkërive.
“Papa është në gjendje të mirë shëndetësore”, tha zëdhënësi i Vatikanit Matteo Bruni gjatë një konference për shtyp. Ai sqaroi se ndërhyrja kirurgjikale nuk nënkupton një problem të vazhdueshëm shëndetësor, por një proces rikuperimi pas operacionit.
Mjekët kanë konfirmuar se ekzaminimet e indeve të hequra gjatë ndërhyrjes treguan se sëmundja ishte e lokalizuar dhe se Papa nuk do të ketë nevojë për trajtime të tjera. Edhe drejtuesja e komunikimit të Vatikanit Maria Montserrat Alvarado u shpreh optimiste për gjendjen e tij fizike.
“Unë nuk do të kisha asnjë shqetësim. Mjekët e tij janë shumë të sigurt” tha Alvarado.
Gjatë vizitës, e cila do të zgjasë nga 6 deri më 17 nëntor Papa pritet të përshkojë rreth 31 mijë kilometra, të ndalet në 10 qytete dhe të mbajë 36 fjalime. Një prej ndalesave që kërkon vëmendje të veçantë është qyteti i Cusco-s në Peru i vendosur në malet e Andeve në një lartësi prej 3,399 metrash mbi nivelin e detit. Në këto kushte vizitorët mund të përballen me shqetësime të lidhura me lartësinë dhe nevojën për më shumë oksigjen.
Ekipi mjekësor i Vatikanit do ta shoqërojë Papën gjatë gjithë udhëtimit, ndërsa në eskortë do të jenë të pranishme edhe autoambulancat, njësoj si në vizitat e mëparshme jashtë vendit.
“Gjithmonë ka mjekë, gjithmonë ka infermierë dhe gjithmonë ekzistojnë disa kushte bazë. Nuk do të hyj në më shumë detaje, sepse situata nuk e kërkon këtë” tha Bruni.
Ndërkohë ekspertë mjekësorë të cituar nga Reuters vlerësojnë se lejimi i udhëtimit me avion tregon se rreziku i komplikacioneve pas operacionit është i ulët se mushkëria e operuar është zgjeruar plotësisht dhe se plagët kirurgjikale po shërohen pa shenja infeksioni./ZËRI