Bota

Pas 27 vitesh kërkimesh, identifikohen tre intelektualët e zhdukur gjatë luftës në Kosovë

Personat e identifikuar janë Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti.

M.K.
Pas 27 vitesh kërkimesh, identifikohen tre intelektualët e zhdukur
Albin Kurti

KOSOVË-  Një kapitull i dhimbshëm i luftës në Kosovë merr një përgjigje pas 27 vitesh. Analizat gjenetike kanë bërë të mundur identifikimin e tre personave që rezultonin të zhdukur që prej vitit 1999 duke u dhënë familjeve të tyre mundësinë të mësojnë më në fund çfarë ka ndodhur me të afërmit.

Personat e identifikuar janë Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti. Të tre ishin pjesë e grupit të njohur si 'Grupi i Intelektualëve', anëtarët e të cilit u rrëmbyen më 19 prill 1999 gjatë luftës në Kosovë.

Gjurmët e tyre u zbuluan në kuadër të gërmimeve të zhvilluara gjatë korrikut dhe gushtit të këtij viti në Kalludër dhe Jabukë në komunën e Zubin- Potokut. Nga kërkimet në këto dy zona u nxorën mbetje mortore që u përkasin 23 personave, ndërsa përmes analizave të ADN-së u arrit të përcaktohej identiteti i tre prej tyre.

Identifikimi pas kaq shumë vitesh shënon një moment të rëndësishëm për familjet që kanë pritur prej dekadash të mësojnë fatin e të afërmve të zhdukur. Megjithatë procesi nuk ka përfunduar ende.

Autoritetet vijojnë punën për identifikimin e mbetjeve të tjera mortore të zbuluara në këto lokacione, ndërsa rezultatet e analizave të mëtejshme të ADN-së pritet të sjellin përgjigje edhe për familjet e tjera që vazhdojnë të kërkojnë të zhdukurit e luftës.

Njoftimi i Albin Kurtit:

Pas identifikimeve të para nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur u informova se janë pranuar raporte të reja të ADN-së, mbi bazën e të cilave janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu, dhe Ali (Islam) Haliti, pjesë e Grupit të Intelektualëve.

Komisioni, bashkë me institucionet tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare, të cilët në prillin e vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta.

Zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, bashkë me kërkesën dhe angazhimin për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, të cilat vazhdon t’i mohojë e t’i fshehë, teksa klasifikon e mbyllë dokumentet e arkivat, dhe glorifikon autorët e gjenocidit./ZËRI

MOS HUMB