Opinione

'Zgjerimi' rikthehet në tavolinën e BE-së, por kush do ta hapë “Kutinë e Pandorës”?!

Zgjerimi pritet të jetë një temë që do të përfshihet në fjalimin e përvitshëm të Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen mbi gjendjen e BE-së më 13 shtator. Ministrat e çështjeve evropiane nga 27 kryeqytetet e bllokut gjithashtu do të shqyrtojnë çështjen në një takim në fund të tetorit. Këtë lajme e kanë konfirmuar për "Politico" dy diplomatë të lartë të BE-së, të cilëve iu sigurua anonimiteti për të diskutuar çështje konfidenciale.

Suzanne Lynch
'Zgjerimi' rikthehet në tavolinën e BE-së, por kush do
Vladimir Putin

BRUKSEL- "Grabitja" e tokave me luftë nga ana e presidentit rus Vladimir Putin i ka shtyrë liderët e Bashkimit Evropian të avanxojnë me planet e tyre për zgjerim të BE-së. Aktualisht po zhvillohen lëvizje për të futur në union deri në 8 vende të reja në bllokun 27-vendesh.

Por kthesa historike për zgjerim paraqet rreziqet e veta për BE-në.

Shtimi i shteteve të reja – duke përfshirë potencialisht centralin bujqësor të Ukrainës – do të hapte "Kutinë e Pandorës" me disa sfida të reja. Do të bëhej e domosdoshme ndërmarrja e reformave të brendshme gjithëpërfshirëse dhe kjo ka të ngjarë të shkaktonte vite të tëra përplasje mes vendeve anëtare të BE-së. Pavarësisht nga kompleksiteti i dhimbshëm i çdo procesi të zgjerimit, agresioni i Rusisë ka bindur disa qeveri të BE-së se nuk mund të përballojnë dot më që të presin për zgjerimin e unionit. 

Zgjerimi pritet të jetë një temë që do të përfshihet në fjalimin e përvitshëm të Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen mbi gjendjen e BE-së më 13 shtator. Ministrat e çështjeve evropiane nga 27 kryeqytetet e bllokut gjithashtu do të shqyrtojnë çështjen në një takim në fund të tetorit. Këtë lajme e kanë konfirmuar për "Politico" dy diplomatë të lartë të BE-së, të cilëve iu sigurua anonimiteti për të diskutuar çështje konfidenciale.

Afati shtatëvjeçar

Në pikëpyetje është koha. Presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel ka bërë thirrje që anëtarët e rinj të pranohen në bllok deri në vitin 2030. Presidenti francez Emmanuel Macron mbështet idenë e një zgjerimi në faza, me vendet që së pari të fitojnë akses në treg përpara se të bëhen anëtarë të plotë të BE-së. Shtytja e ripërtërirë për një Evropë më të madhe shënon nxitjen e parë të tillë të zgjerimit që kur blloku pranoi Kroacinë në radhët e saj në 2013. Biseda rreth lejimit të anëtarësimit të Turqisë përfundoi me presidentin e atëhershëm të Francës, Nicolas Sarkozy, që i tha troç "JO" Ankarasë në 2011, duke vënë një pengesë për zgjerimin e mëtejshëm të grupit. Por nëse duan të realizojnë ambiciet e tyre, liderët e BE-së do të duhet të përballen me dhimbjet akute.

Sapo Michel përcaktoi datën e synuar prej tij për anëtarësimin e vendve që janë në proces e sipër për t'u anëtarësuar, mes tyre dhe Shqipëria,  një zëdhënës i Komisionit Evropian, i cili është përgjegjës për vlerësimin e aftësisë së vendeve kandidate, ndërhyri menjëherë.

"Procesi për t'u anëtarësuar në BE është "i bazuar në merita","- tha zëdhënësi.

Korrupsioni

Politika bujqësore është pika më e dukshme e ndezjes në çdo bisedim të ardhshëm të anëtarësimit midis Brukselit dhe Kievit.

Eksportet e lira të grurit të Ukrainës mund të përmbytin BE-në dhe të mbytin fermerët e subvencionuar të Bllokut. Polonia dhe disa vende të tjera të BE-së kanë mbyllur tashmë dyert e tyre për eksportet e grurit ukrainas, duke thënë se masa synon të mbrojë fermerët e tyre. Reformat e brendshme që do të shkaktonte zgjerimi përfshijnë: rishikimin e Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së, ridizajnimin e buxhetit afatgjatë të bllokut dhe rishkrimin e procesit të vendimmarrjes për të ecur drejt përdorimit më të madh të të ashtuquajturës votim të "shumicës së kualifikuar" në fusha si politika e jashtme, ku aktualisht kërkohet unanimiteti midis vendve anëtare.

Si gjithmonë, politika nuk është kurrë larg. Një zgjerim i madh në BE do të zhvendoste qendrën e gravitetit të bllokut në lindje, duke zbehur potencialisht ndikimin vendimtar të Francës dhe Gjermanisë mbi vendimet kryesore. Një grup ligjvënësish të BE-së tashmë po hartojnë plane të gjera për ndryshimin e traktatit, për të cilat pretendojnë se do t'u nevojiten për anëtarësimin.

Referendumi, zgjidhja?

Ndryshimi i traktateve themelore të BE-së është një proces i mundimshëm që kërkon referendume në disa vende. Oreksi për këtë lloj ushtrimi është i kufizuar në mesin e diplomatëve të BE-së, disa prej të cilëve argumentojnë se reformat mund të zbatohen sipas Traktatit ekzistues të Lisbonës. Debati i zgjerimit është vendosur të rritet në muajt e ardhshëm, duke përfshirë takimin e tretë të Komunitetit Politik Evropian të vendeve përtej atyre në bllok, që do të zhvillohet më 5 tetor në Spanjë. Michel planifikon të takohet me krerët e BE-së në grupe të vogla përpara samitit për të mbledhur pikëpamjet e tyre mbi zgjerimin.

Pavarësisht përqendrimit intensiv në Ukrainë, vendet më të vogla kandidate po bëjnë presion edhe në portat e bllokut.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendi i së cilës zyrtarisht aplikoi për t'u anëtarësuar në BE vitin e kaluar, foli për zgjerimin.

“Ne besojmë se është në interes të të gjithëve, që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen,”- tha Osmani.

Por ajo shtoi se vendet nuk ishin të gatshme të prisnin përgjithmonë derisa Bashkimi Europian të vendosë për fatin e tyre.

“Është e vështirë të jesh i duruar, veçanërisht kur bën gjithçka që të kërkohet dhe më pas asgjë nuk ndodh.”

Marrë dhe përkthyer nga Politico

Poll

MOS HUMB