Opinione

Pse BBC nuk i quan militantët e Hamasit 'terroristë'?

“Ne raportojmë çdo gjë që ndodh në terren, edhe ato më të llahtashmet, por pa iu dhënë ngjyrime emocionale. Njerëzit gjykojnë vetë mbi bazë të asaj që shikojnë e dëgjojnë. Standardi i lartë në raportim e bën BBC-në një media tepër të ndjekur, anembanë botës”

D.XH
Pse BBC nuk i quan militantët e Hamasit 'terroristë'?
Gazetari John Simpson

Nga John Simpson

Ministrat e qeverisë, kolumnistët e gazetave, njerëzit e thjeshtë,  të gjithë po pyesin pse BBC nuk thotë se personat e armatosur të Hamasit që kryen mizori të tmerrshme në Izraelin jugor janë terroristë. Përgjigja gjendet menjëherë te parimet themeluese të BBC-së.

Terrorizmi është një fjalë e ngarkuar, të cilën njerëzit e përdorin për një veprimtari, që ata nuk e miratojnë moralisht. Thjesht nuk është detyra e BBC-së t'u tregojë njerëzve se kë të mbështesin dhe kë të dënojnë, cilët janë të mirët dhe cilët janë të këqijtë.

Ne theksojmë rregullisht se qeveria britanike dhe qeveritë e tjera e kanë dënuar Hamasin si një organizatë terroriste, por kjo është puna e tyre. Ne gjithashtu zhvillojmë intervista me të ftuar dhe citojmë të ftuarit, që e përshkruajnë Hamasin si organizatë terroriste. Fakti është se ne nuk e themi atë me zërin tonë. Detyra jonë është t'i prezantojmë audiencës tonë faktet dhe t'i lëmë njerëzit të vendosin vetë.

Siç ndodh, sigurisht, që shumë nga njerëzit që na kanë sulmuar për mospërdorimin e fjalës ‘terrorist’. kanë parë fotot tona, kanë dëgjuar audion tonë ose kanë lexuar historitë tona dhe ne lëmë ta vendosin vetë se çfarë mendojnë ata për Hamasin, në bazë të raportimit tonë. Ne nuk po fshehim të vërtetën e asaj që po ndodh, përkundrazi, e tregojmë haptazi.

Çdo person i arsyeshëm do të tmerrohej nga skenat e dhunshme që kemi parë. Është krejtësisht e arsyeshme t'i quash "mizori" incidentet që kanë ndodhur, sepse janë pikërisht kështu. Askush nuk mund të mbrojë vrasjen e civilëve, veçanërisht të fëmijëve dhe foshnjave - as sulmet ndaj njerëzve të pafajshëm, paqedashës, që po marrin pjesë në një festival muzikor.

Gjatë 50 viteve që kam raportuar për ngjarjet në Lindjen e Mesme, kam parë vetë pasojat e sulmeve si ky në Izrael, dhe kam parë gjithashtu pasojat e sulmeve izraelite me bomba dhe artileri ndaj objektivave civilë në Liban dhe Gaza. Tmerri i gjërave të tilla mbetet në mendjen tuaj përgjithmonë.

Por kjo nuk do të thotë se ne duhet të fillojmë të themi se kryesit e krimeve janë organizatë terroriste, sepse kjo do të thotë se ne po e braktisnim detyrën tone, në misionin për të qëndruar objektiv. BBC ka qenë gjithmonë objektive. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, transmetuesve të BBC-së iu tha shprehimisht të mos i quanin nazistët të këqij apo të ligj, edhe pse ne mund t'i quanim "armik".

“Mbi të gjitha”, thuhej në një dokument të BBC për gjithë këtë, “nuk duhet të ketë vend për sharje”. Toni ynë duhej të ishte i qetë. Ishte e vështirë të mbahej ky parim, kur IRA bombardonte Britaninë dhe vriste civilë të pafajshëm, por ne e bëmë.

Kishte presion të madh nga qeveria e Margaret Thatcher në BBC, dhe ndaj gazetarëve individualë - veçanërisht pas bombardimit në Brighton, ku ajo sapo i shpëtoi vdekjes dhe shumë njerëz të tjerë të pafajshëm u vranë dhe u plagosën.

Por ne e mbajtëm linjën editoriale të pandryshuar. Dhe ne ende e bëjmë, edhe sot. Ne nuk mbajmë anë. Ne nuk përdorim fjalë të ngarkuara si "e keqe" ose "frikacak". Ne nuk flasim për "terroristë". Dhe nuk jemi të vetmit që ndjekim këtë linjë. Disa nga organizatat më të respektuara të lajmeve në botë kanë saktësisht të njëjtën politikë.

Por BBC-së i kushtohet vëmendje e veçantë, pjesërisht sepse kemi kritikë të fortë në politikë dhe në shtyp, dhe pjesërisht sepse me të drejtë kemi mbajtur një standard veçanërisht të lartë. Pjesë e mbajtjes së këtij standardi të lartë është të jesh sa më objektiv që të jetë e mundur.

Kjo është arsyeja pse njerëzit në Britani dhe në mbarë botën, në një numër të madh, shikojnë, lexojnë dhe dëgjojnë atë që ne themi, çdo ditë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB