Opinione

Akullnaja që shkaktoi “Partizani”

Bashkimi i Madh përballë Edi Ramës, u shëndrrua në Vetminë e Madhe përballë SPAK.

Zëri
Akullnaja që shkaktoi “Partizani”
Sali Berisha dhe Ilir Meta

Që marrëdhënia ndërmjet Sali Berishës dhe Ilir Metës ishte ftohur, kjo përflitej prej kohës në korridoret e politikës. Më shumë akoma, ndërmjet atyre pak njerëzve që kishin shërbyer si ndërmjetës të përhershëm mes Sali Berishës dhe Ilir Metës. Ky i fundit, jo rrallë herë “ankohej” edhe publikisht se Doktori as i hapte telefonin e as i përgjigjej mesazheve të tij, ashtu siç nuk pranonte as ta takonte.

Megjithë këtë, ftohja mbahej si “sekret publik” për hir të interesit më të madh opozitar, luftës ndaj qeverisë së Edi Ramës. Shpesh herë, aksioni i përbashkët, më së shumti i nisur nga Sali Berisha e ndjekur nga Ilir Meta, ka shërbyer për të bashkuar numrat e opozitës më shumë sesa për të “shqetësuar” qeverinë e Edi Ramës.

Por arrestimi i dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, dhe masa ndaluese ndaj vetë këtij të fundit, kanë evidentuar, në mos thelluar, edhe akullnajën ndërmjet të dyve.

Një shkrim i shkurtër i Ilir Metës në faqen e tij të Facebook, duket se është konsideruar fare i pamjaftueshëm nga Sali Berisha. Po kështu, heshtja totale e Monika Kryemadhit. Nga ana tjetër, qëndrimet e Agim Neshos dhe Endri Braimllarit, janë konsideruar aq periferike po aq sa janë edhe vetë personazhet që i kanë bërë ato.

Që nga momenti që e ka klasifikuar procedimin e SPAK ndaj tij dhe dhëndrit të tij si “sulmin politik të shekullit ndaj opozitës”, Sali Berisha duket se ka pritur që Partia e Lirisë (Ish LSI-ja) dhe Ilir Meta, të ngriheshin në nivelin e aksionit të kërkuar. Në qoftë se vetë Berisha po del në konferenca për shtyp të përditshme, ndërkohë që nuk ka humbur rastin të dalë edhe në emisionet e darkës, ai vetë ose njerëzit më të besuar që i kanë mbetur brenda PD, rreshtat e shkurtra të Ilir Metës në FB dhe heshtja totale e thuajse kujtdo brenda PL, i kanë peshuar rëndë Sali Berishës.

Nga ana tjetër, në korridoret e PL e quajnë të pafalshme heshtjen e Sali Berishës dhe grupit të deputetëve të PD, kur Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi po përballeshin me hetimet e SPAK për pasurinë e tyre, hetime të cilat ende sot nuk quhen të përfunduara. Të shumtë janë zërat që e quajnë të tepërt ti “dalin për zot” Sali Berishës për hallet e veta me SPAK, në të njëjtën kohë që edhe familja që drejton sot PL, ka jo pak halle me hetimet e SPAK.

Këto dhe shumë të tjera, kanë shkaktuar një thyerje jo të vogël mes dy drejtuesve kryesorë të opozitës. Tashmë është e sigurtë se ujërat e ftohta që qarkullonin mes dy partive, po kthehen në një akullnajë të vërtetë. E kjo duket nga ato që vështirësisht shkrihen.

Opozita sot është më e çarë se kurrë, me Sali Berishën që hetimet e SPAK po kërkon ti klasifikojë si sulm ndaj reformave dhe luftë ndaj opozitës, dhe Ilir Metën nga ana tjetër që nuk duket i gatshëm të vendosë partinë e tij “në shërbim të dhëndrit me 17 pallate”, duke e konsideruar hetimin e SPAK më shumë një çështje personale të Sali Berishës sesa një çështje politike të vetë opozitës.

Ndaj në qoftë se përballë Edi Ramës PD dhe Sali Berisha u bë bashkë me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin e PL, duket se përballë SPAK do jenë secili vetëm.

Bashkimi i Madh përballë Edi Ramës, u shëndrrua në Vetminë e Madhe përballë SPAK. Ky është dhe rezultati më i dukshëm i procedimit “Partizani” të paktën deri tani. E nga këtu, gjërat mund të shkojnë vetëm më keq. Më mirë duket e pamundur./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB