ATHINË- Nuk do të hyj në diskutimin nëse vendosja e emrit të Fredi Belerit në listën e Demokracisë së Re për zgjedhjet e ardhshme evropiane do t'i shërbente interesave të partisë konservatore greke në pushtet; sepse do ta bënte. Ai do të ishte një zë në Parlamentin Evropian, domethënë një zë për minoritetin etnik grek të Shqipërisë.
Ajo që duket është se Ministria e Jashtme e Greqisë po përpiqet të kompensojë një gabim duke bërë një tjetër. Së pari, ka dështuar dhe vazhdon të dështojë të lexojë siç duhet Edi Ramën. Kryeministri shqiptar ka zgjedhur se në cilin kamp është dhe nuk është në anën e Greqisë. Kjo është arsyeja pse ai e çoi deri në fund aferën Beleri, një zhvillim që befasoi palën greke dhe gjithashtu ekspozoi të metat e saj diplomatike. Nuk e di nëse gabimet në analizimin e zhvillimeve në Shqipëri janë për shkak të faktorëve ekzekutivë apo politikë në Ministrinë e Jashtme; por ajo që ka rëndësi është se Beleri ka kaluar gati një vit në burg. E nga ana tjetër Rama po planifikon lëvizjet e tij të radhës për pushtimin e qytetit të Himarës.
Nuk mund të mbajmë një pozicion të ekuilibruar me njerëzit që kanë zgjedhur rrugën e përballjes. Parashtrimi i Belerit si kandidat për zgjedhjet evropiane është shansi i dytë i Greqisë për t'i qëndruar pranë politikanit moralisht dhe politikisht. Nuk mund të harrojmë faktin se burgosja e tij në një burg shqiptar është rezultat i një komploti kundër tij.
Është, pra, një gabim nga këndvështrimi politik që në vend që t'ia ekspozojmë këtë komplot të gjithëve në Evropë, ne jemi ulur këtu duke pyetur veten se çfarë do të mendojnë gjermanët apo amerikanët që ne i tregojmë vendin të mbrojturit të tyre, kryeministrit shqiptar. Në politikë, partia e fortë duhet të tregojë muskujt kur kjo bëhet e nevojshme; përndryshe, fuqia e saj gradualisht zbehet dhe vihet në dyshim. Në këtë rajon, Greqia është shteti më i fortë – por sa mirë do ishte ta dinin edhe politikantë. Le ta pranojmë: Kur vjen puna te çështja Beleri, ne po humbasim.
Kjo është tabloja e madhe – dhe është kaq tmerrësisht e qartë sa duhet të pyesim veten pse ata që marrin vendimet nuk e shohin këtë. Gjithçka që mund të bëjmë tani është të shpresojmë që ata të mos bëjnë një gabim tjetër./ZËRI
Marrë nga Kathimerini