TIRANË- Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar sot në Komisionin e Ligjeve projektbuxhetin për vitin 2027, i cili parashikohet rreth 10 miliardë euro. Gjatë fjalës së tij, Malaj nënvizoi 3 prioritetet kryesore, siç janë mbështetja për qytetarët, financa publike të qëndrueshme dhe investimet e reformat për integrimin e vendit.
“Projektligji i buxhetit 2027 është ndërtuar mbi objektivat dhe angazhimet e programit buxhetor afatmesëm 2027-2029, duke përcaktuar kështu drejtimet kryesore të politikës tonë buxhetore për vitin e ardhshëm. Për herë të parë shpenzimet publike të planifikuara tejkalojnë 10 miliardë euro. Kjo shifër historike për nga përmasat e buxhetit, është edhe një përgjegjësi më e madhe për përdorimin me efikasitet të këtyre burimeve, në funksion të interesit të gjerë publik. Projektbuxheti 2027 është hartuar për të mbështetur prioritetet strategjike të vendit dhe vijimin e investimeve për zhvillimin ekonomik të vendit. Prioriteti i parë është mirëqenia sociale dhe mbështetja për qytetarët tanë. Prioriteti i dytë është stabiliteti fiskal dhe financa publike të qëndrueshme. Prioriteti i tretë janë investimet, reformat dhe integrimi i vendit tonë në BE”, tha ministri Malaj.
Gjithashtu, mështetja për pensionistët është një tjetër prioritet i buxhetit 2027. Sipas ministrit, parashikohet dyfishimi i bonusit nga janari 2027 dhe indiksimi i pensioneve nga muaji prill.
“Një nga prioritetet tona kryesore mbetet vijimi i mbështetjes për moshën e tretë. Pensionet zënë një vend të veçantë në buxhetin 2027. Synohet rritja e të ardhurave të pensionistëve. Konkretisht me buxhetin e vitit 2027 ne parashikojmë afrimin e indeksimit të pensioneve në muajin prill 2027, nga korriku që e kemi aktualisht, me një fond shtesë të parashikuar në buxhet prej 1.35 miliardë lekësh. Parashikohet edhe dyfishimi i vlerës së bonusit mujor për pensionistët, duke nisur nga janari 2027, me një kosto totale prej 20 miliardë lekësh në vit. Pra vetëm këto 2 politika për pensionistët, indeksimi dhe dyfishimi i bonusit, kanë një kosto totale për buxhetin e shtetit prej 24 miliardë lekë, ose 250 milionë euro”, theksoi Malaj.
Ministri theksoi ndër të tjera se buxheti 2027 parashikon mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe për kujdestarët e tyre. Po ashtu, bonusi për bebet do të rritet deri në moshën 5-vjeçare.
“Do dyfishohen pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara, një politikë që e nisëm në korrik të këtij viti, si dhe njohja e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre. Do vijohet me politikën e bonusit të bebeve, por këtë herë përmes mbështetjes mujore deri në moshën 5 vjeç”, tha Malaj./ZËRI