GJERMANI- Ish-futbollisti i Gjermanisë, Mesut Ozil, ka marrë kritika me postimin e tij kundër Izraelit në rrjetet sociale. Nëpërmjet Instagramit, futbollisti me origjinë turke publikoi një hartë të Izraelit, në të cilën fjala Izrael është shënuar me një "X" të kuq dhe fjala Palestinë është shkruar me shkronja të mëdha. Për shkak të reagimeve, ish-lojtari i Arsenalit dhe Real Madridit e fshiu postimin e tij.

“E pabesueshme, e pabesueshme! Mesut Ozil, me antisemitizmin e tij të hapur dhe shoqërimin e ngushtë me Ujqërit Gri, është një shembull kryesor i integrimit të dështuar. Është mirë që ai nuk luan më për Gjermaninë”, tha sekretari i përgjithshëm i CSU-së, Martin Huber, për Bild, ndërsa nënpresidentja e Partisë Demokristiane (CDU) Julia Kleckner bëri thirrje që atij t'i hiqet "Dafina e Argjendtë", e cila është nderimi më i lartë shtetëror i Gjermanisë për arritjet sportive.
Mesut Ozil u nderua në vitin 2010 së bashku me bashkëlojtarët e tij në kombëtaren e futbollit për paraqitjen në Kupën e Botës në Afrikën e Jugut. Të njëjtën gjë ka kërkuar edhe kryetarja e Unionit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme të CDU-së, Gita Konemann.
“Nëse nuk ka më lidhje me Gjermaninë, duhet të heqë dorë edhe nga Dafina e Argjendtë si shenjë nderi. Mesut Ozil nuk e meriton më këtë nder”, tha Konemann.
Mesut Ozil në të kaluarën ka treguar mbështetjen e tij për presidentin e Turqisë Taip Erdogan, pastaj ka treguar afrimitetin me 'Ujqërit Gri', një organizatë e ekstremit të djathtë që mbështet presidentin turk dhe monitorohet në Gjermani nga Shërbimi Federal i Mbrojtjes së Kushtetutës. Mesut Ozil ka lindur në vitin 1988 në Geselkirchen. Prindërit e tij janë nga Turqia dhe ai mori nënshtetësinë gjermane në moshën 18-vjeçare. Gjatë karrierës së tij, ai ka luajtur për Schalken, werder Bremen, Real Madrid, Arsenal dhe Fenerbahce, ndërsa ka bërë 92 paraqitje edhe për kombëtaren gjermane, me të cilën u kurorëzua kampion bote në vitin 2014./ZËRI