LIVE UPDATES

Zgjedhjet presidenciale "USA24"/ Joe Biden "jashtë loje", Kamala Harris fiton mbështetjen e demokratëve

➤ Joe Biden është tërhequr nga gara për një mandat të dytë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. ➤ Ndaj sot, shumë demokratë po ndjekin "udhëzimin" e tij të fundit për të mbështetur zëvendëspresidenten Kamala Harris si kandidaten e re presidenciale të partisë. ➤ Harris thotë se ajo synon të "fitojë dhe vetëm të fitojë", por së pari duhet të marrë aprovimin e demokratëve. ➤ Nga mediat amerikane është raportuar një rritje e donacioneve publike për demokratët që kur Biden u largua nga gara, që përkthehet në një mbështetje për Harris. ➤ Deri në nëntor, Biden do të mbajë vetëm postin e presidentit, por ai që do të ishte kundërshtari i tij në këto zgjedhje, Donald Trump tha se: Nëse nuk garon dot, nuk e drejton dot as vendin.

4 artikuj për këtë temë.
9 MUAJ ME PARE

"Joe Biden"/ Reagimet e liderëve botërorë për tërheqjen e tij nga gara presidenciale

Zgjedhjet presidenciale "USA24"/ Joe Biden "jashtë
Joe Biden

SHBA- Mesazhe mirënjohjeje dhe mbështetjeje, të gjitha kanë shkuar në adresën e Joe Biden pasi njoftoi se do të tërhiqej nga gara presidenciale 2024. Presioni ndaj Biden për t'u tërhequr nga gara ishte rritur pas performancës së tij katastrofike në debatin e CNN, muajin e kaluar, por kjo nuk i ndali bashkëpunëtorët e tij të deritanishëm që t'i bënin...së paku një mesazh!

"Ai është një njeri i madh..."

Kryeministri britanik Keir Starmer, i cili u takua me Joe Biden këtë muaj në Uashington, tha respektonte vendimin e presidentit.

Zgjedhjet presidenciale "USA24"/ Joe Biden "jashtë
Keir Starmer dhe Joe Biden

Unë e di se, siç ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij të jashtëzakonshme, ai do të ketë marrë vendimin e tij bazuar në atë që ai beson se është më e mira për popullin amerikan,”- shkroi Starmer në X.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau falënderoi Biden se kishte qenë një "mik i vërtetë" i vendit të tij.

“Ai është një njeri i madh dhe gjithçka që bën është e nxitur nga dashuria për vendin e tij,”- tha ai për X.

"Edhe një herë ai nuk i dha përparësi vetes"

Në një konferencë për shtyp, kryeministri australian Anthony Albanese tha se Biden e meritonte t'i evidentohej fakti që përsëri nuk e vuri veten në radhë të parë, por bëri atë që mendoi si më të mirën për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Presidenti Biden ia ka kushtuar jetën e tij shërbimit publik dhe kjo është diçka që meriton respekt të madh,”- tha kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon.

"Ne do të jemi përgjithmonë mirënjohës"

Zgjedhjet presidenciale "USA24"/ Joe Biden "jashtë
Volodymyr Zelenskyy dhe Joe Biden

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy falënderoi Biden për "mbështetjen e tij të palëkundur" të vendit të tij kundër Rusisë.

"Shumë vendime të forta u morën në vitet e fundit dhe ne do t'i kujtojmë ato si hapat e guximshëm të Presidentit Biden në kohë të vështira,"- tha Zelenskyy për X.

"Mbështetja e tij e vazhdueshme është e paçmueshme"

Në Izrael, presidenti Isaac Herzog e quajti Biden një "aleat të vërtetë të popullit hebre", ndërsa ministri i Mbrojtjes Yoav Gallad tha se "mbështetja e palëkundur e presidentit amerikan, veçanërisht gjatë luftës, ishte e paçmueshme".

Netanyahu nuk ka bërë ende asnjë njoftim në lidhje me vendimin e Joe Biden. Mbase sepse nesër dy liderët pritet të takohen në Uashington.

"Miku im Joe Biden ka arritur shumë: për vendin e tij, për Evropën, për botën. Vendimi i tij për të mos kandiduar meriton më shumë respekt,"- shkroi kancelari gjerman Olaf Scholz në X.

Duke folur në një tubim të dielën, presidenti venezuelian Nicolas Maduro tha se Biden mori vendimin "e duhur" dhe vendosi familjen dhe shëndetin e tij në radhë të parë. Ndër të tjera i uroi edhe “shëndet e jetë të gjatë”.

Kryeministri polak Donald Tusk shkroi në X se Biden mori vendime të vështira "falë të cilave Polonia, Amerika dhe bota janë më të sigurta dhe demokracia është më e fortë".

Një reagim e bëri edhe ai që do të ishte kundështari i Biden këto zgjedhje, Donald Trump. Ish-presidenti Donald Trump ka reaguar menjëherë pasi Joe Biden njoftoi tërheqjen e tij nga gara presidenciale për zgjedhjet e nëntorit. Në një prononcim për CNN, Trump e ka cilësuar Biden si “presidentin më të keq në historinë e vendit"./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

E para grua afrikano-amerikane që synon Shtëpinë e Bardhë/ Kush është Kamala Harris që pritet të garojë përballë Trump

Zgjedhjet presidenciale "USA24"/ Joe Biden "jashtë
Kamala Harris, Joe Biden, Barack Obama

UASHINGTON- Kamala Harris është një avokate dhe zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara. Ajo mund të jetë kandidatja demokrate që do të sfidojë Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme, tani që Joe Biden njoftoi tërheqjen e tij.

Por kush është Kamala Harris?

Kamala Harris është është 59 vjeçe dhe ka lindur në Kaliforni. Ajo është vajza e një biologeje me origjinë indiane dhe ekonomistit xhamajkan Donald Harris. Kamala është e martuar që nga viti 2015 me Douglas Emhoff, një hebre, gjithashtu avokat. Çifti nuk ka fëmijë, por Cole dhe Ella, të lindur nga martesa e mëparshme e Emhoff, janë shumë më tepër se vetëm dy fëmijët e bashkëshortit.

Harris është një e krishterë që i përket kishës baptiste të njerëzve me ngjyrë, por u rrit me mësime të kulturës hindu nga nëna e saj, si dhe të mësonte judaizmin nga burri i saj. Gjatë gjithë karrierës ajo shërbeu si zëvendësprokurore e qarkut në Alameda County, nga viti 1990 deri në vitin 1998. Ajo ishte një prokure qarku në Kaliforni për dy mandate (2011-2017), duke u bërë gruaja e parë dhe e para afrikano-amerikane që e bën këtë.

Harris arriti në Uashington më pak se katër vjet më parë si senatore e Kalifornisë. Disa këshilltarë kryesorë të zotit Biden dukej se kishin ngritur pyetje për besnikërinë dhe ambiciet e saj, por dukest se ai i kapërceu këto rezerva. Mediet amerikane shkruajnë se një meritë të madhe për karrierën e saj ka Willie Brown, i cili pati një aferë me Harris, kur ishte ende i martuar.

Momentet e sikletshme: Lidhja me politikanin e fuqishëm Willie Brown

E kaluara e Kamala Harris jo gjithmonë ka qenë kaq e lavdishme. Mediat kanë risjellë një histori të sikletshme të saj, duke aluduar se ajo është ngritur deri këtu, falë aferës me politikanin e fuqishëm Willie Brown.  Gjithçka nisi në vitin 1993. Brown atëhere ishte 60 vjeç dhe ishte kryebashkiaku i parë me ngjyrë. Ai drejtonte San Franciskon.

Por, ai kishte edhe një passion tjetër: femrat. Edhe pse ishte i martuar, Brown përfiltej për të dashurat e tij. Dhe një prej tyre ishte pikërisht Kamala Harris, atëhere vetëm 29 vjeç. Në ato kohë flitej se Brown do të linte të shoqen, për t’u martuar me Harris. Gjë që në fakt nuk ndodhi. Marrëdhënia e tyre zgjati disa vite, dhe secili më pas shikoi punën e vet. Harris u martua me bashkëshortin që ka edhe sot, por ajo u kthye në një nga prokuroret më të fuqishme, dhe tashmë edhe politikane e rëndësishme, sipas mediave, falë edhe ndikimit dhe lobimit të Brown.

Jeta e saj politike

Në vitin 2020, Harris u prezantua si kundërshtarja e Biden në zgjedhjet paraprake demokrate, më pas ajo u zgjodh nga presidenti aktual si zëvendësuaesja e tij. Ajo ishte shumë e afërt me Beau Biden, djalin e presidentit që vdiq në 2015, kolegun e saj si prokurore e përgjithshme në Delaware. Harris u bë gruaja e parë që mban postin e dytë më të lartë në Shtetet e Bashkuara, si dhe e para afrikano-amerikane dhe e para aziatike në atë pozicion.

Republikanët e kanë sulmuar shpesh Harrisin për rolin e saj në menaxhimin e situatës në kufirin SHBA-Meksikë, një çështje kryesore e fushatës së Trump. Megjithatë, Harris u mor personalisht edhe me betejën në mbrojtje të së drejtës për abort. Megjithatë, kandidatura e saj mbetet e pasigurt dhe madje sipas sondazheve ajo duhet të përballet me një vlerësim nga demokratët që nuk ka arritur kurrë nivele shumë të larta.

Përveç deputetëve demokratë dhe donatorëve, Harris është e pafuqishme para Barack Obama, Nancy Pelosi, Chuck Schumer dhe Hakeem Heffries. Ata janë peshat e rënda të partisë që gjithashtu bënë të mundur edhe tërheqjen e Biden, pas debatit më 27 qershor ndaj Donald Trump.

Demokratët të shqetësuar nga sondazhet gjithnjë e më katastrofike që i caktojnë Trump praktikisht të gjitha shtetet kyçe në funksion të muajit nëntor, vulosën fatin e Bidenit, duke i rikujtuar atij pakënaqësinë që ai mbante me krye që nga viti 2016, kur e bindën që të mos kandidonte ndaj ndaj Hillary Clinton. Publikisht ata nuk kanë mbajtur kurrë një qëndrim kundër presidentit, por kanë heshtur. Megjithatë, fushata e tyre e koordinuar, në favor të të tjerëve, përveç familjes Clinton që kanë mbështur Biden dhe publikisht mbështeten Harris, ata kanë arritur efektin e dëshiruar, edhe falë ndikimit të donatorëve që mbyllën portofolat, duke bërë që fushatës së presidentit t'i mungonte energjia për të vazhduar. /ZËRI

9 MUAJ ME PARE

"Biden": Si ndryshoi mendje dhe u tërhoq nga gara presidenciale

Zgjedhjet presidenciale "USA24"/ Joe Biden "jashtë
Joe Biden

SHBA- Me vendimin e Joe Biden për t'u tërhequr nga gara presidenciale, presidenti amerikan në largim po i jep fund karrierës së tij të gjatë politike. Sigurisht, këtë vendim nuk e ka marrë i vetëm. Ai u mor pas shumë apeleve të ish-presidentëve, senatorëve, kongresmenëve dhe figurave të rëndësishme të demokratëve dhe e gjithë kjo solli dorëheqjen e tij nga gara, prej të cilës kërkonte një mandat të dytë presidencial.

Sipas një raporti të "ëall Street Journal", për disa kohë lidershipi i demokratëve shprehu shqetësimin, si për moshën, ashtu edhe për mprehtësinë mendore të presidentit 81-vjeçar. Gjatë mandatit të tij, këto shqetësime u shtuan.

Sondazhet kritik

Përpos ankesave të demokratëve, vendimtar për vendimin e Biden ishte, sipas Reuters, një sondazh në të cilin ai dilte i humbur në 6 shtete, ku gara mes republikanëve dhe demokratëve ka qenë gjithmonë thuajse e barabartë. Po ashtu, ai humbi shtete si Virxhinia dhe Minesota, në të cilat demokratët nuk planifikonin të shpenzonin mjaftueshëm para pasi i konsideronin si "të sigurta".

Momenti i dorëheqjes

Të dielën, Biden njoftoi se po tërhiqej nga gara presidenciale, një hap i paprecedentë që i lë demokratët pa kandidat më pak se katër muaj para ditës së zgjedhjeve. Në një postim të dytë, Biden mbështeti zëvendëspresidenten Kamala Harris, por mbetet për t'u parë nëse votuesit do të mbështesin vendimin e tij të fundit. Ndërkohë Donald Trump, kandidati republikan sapo ka përfunduar një konventë unifikuese partiake.

Kontakt i kufizuar

Kongresmenët dhe senatorët thanë se kontaktet e tyre me Bidenin kanë qenë shumë të kufizuara gjatë tre viteve të fundit. Përveç tyre, edhe zyrtarët të tjerë të lartë gjithmonë kanë shprehur hapur ankesat e tyre se nuk kishin kontakte të mjaftueshme me presidentin dhe ekipin e tij. Meqenëse nuk është e pazakontë që anëtarët e kabinetit të duan më shumë akses te presidenti, disa zyrtarë e kanë përshkruar Bidenin si jashtëzakonisht të largët nga pjesa tjetër e administratës së tij.

Kur filluan problemet?

Në fillim, 'rrëshqitjet' e Bidenit dukeshin si incidente të izoluara. Njerëzit që e njohin thanë se ai kurrë nuk ishte një orator aq efektiv sa Obama apo të tjerët. Në samitin e Grupit të Shtatë në Angli në qershor 2021, i pari i presidencës së Biden, ai vazhdimisht ngatërroi Sirinë dhe Libinë në një konferencë shtypi. Gabimet tërhoqën pak vëmendje teksa liderët botërorë u përqendruan në festimin e ardhjes së Biden.

Konfuzion në thirrjen telefonike të G-7

Në pranverën e vitit 2022, disa zyrtarë evropianë filluan të vinin re se diçka mund të mos shkonte ashtu siç e kishin planifikuar. Biden po kryesonte një video-telefonatë në internet për Ukrainën me udhëheqësit e G-7, kur në një moment harroi të fikte mikrofonin e tij dhe nisi të murmuriste. Pastaj harroi se kush e kishte radhën të fliste derisa ndërhyri kryeministri kanadez Justin Trudeau, i cili e kujtoi se fjalën duhet ta merrte presidenti francez, Emmanuel Macron. 

Derisa në verën e vitit 2022, disa zyrtarë në Uashington filluan të komentojnë gjendjen e presidentit, privatisht dhe - në raste të rralla - publikisht. 

Kur shpalli kandidaturën e tij

Më 25 prill 2023, Biden njoftoi se do të kërkonte rizgjedhjen

Në vitin 2024, problemet filluan të rriten

Më pak se tre javë pas vitit të ri, ligjvënësit kryesorë demokratë dhe republikanë u takuan me Biden në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar se si të shtyjnë një këst të ri të ndihmës për Ukrainën përmes Kongresit. Biden foli aq butë sa disa e kishin të vështirë ta dëgjonin - ai lexoi nga shënimet për të theksuar pikat e dukshme - ndaloi për periudha të gjata kohore dhe nganjëherë mbyllte sytë për aq gjatë, saqë mendonin se mos e kishte zënë gjumi.

Mohimet e Shtëpisë së Bardhë

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë mohonte fuqimisht se kishte një problem, duke hedhur poshtë shqetësimet për moshën e Bidenit duke e cilësuar si tezë "republikane". "WSJ" intervistoi gjysmë duzinë zyrtarë të lartë të administratës këtë pranverë pasi mësoi se Biden kishte treguar shenja shqetësuese të plakjes gjatë takimeve private. Por zyrtarët mohuan që mprehtësia e Bidenit ishte zvogëluar dhe këmbëngulën se ai ishte më i mprehtë se kurrë. Madje njëri këmbënguli që Biden punonte më shumë se stafi.

Kur mbështetësit ngritën shqetësime për gabimet e Bidenit, demokratët u përgjigjën se Trump ishte vetëm disa vjet më i ri se Biden.

Thirrjet e demokratëve dhe dorëheqja e Biden

Përpjekja e dështuar për vrasjen e Trump ndryshoi ngjarjet. Biden në mënyrë të përsëritur tha se plumbat nuk duhet të përdoreshin për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe se të dy ata do të garonin vetëm në "fushën e betejës". Brenda disa ditësh, u rishfaqën thirrjet për tërheqjen e Biden. Problemet u shtuan kur Shtëpia e Bardhë njoftoi të mërkurën se Biden kishte rezultuar pozitiv me koronavirus. Gjatë fundjavës, Shtëpia e Bardhë vazhdoi të mohonte me vendosmëri se kishte ndonjë diskutim rreth tërheqjes së Bidenit nga gara. Biden, i cili ende po shërohet nga Covid, tha se planifikoi të kthehej në fushatë javën e ardhshme. Por pas gjithë kësaj, doli me deklaratën se do të jepte dorëheqjen nga gara./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Harris “përçan” demokratët/ Clinton dhe Obama përshëndesin vendimin e Biden për t’u tërhequr, por me bindje të ndryshme

Zgjedhjet presidenciale "USA24"/ Joe Biden "jashtë
Joe BIden, Kamala Harris dhe Barack Obama

UASHINGTON- Barack Obama lëshoi ​​sot një deklaratë në të cilën vlerësoi Joe Biden, duke përshëndetur vendimin e presidentit aktual 81-vjeçar për t'u tërhequr nga gara për rizgjedhjen e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Ish-presidenti demokrat përshëndeti vendimin e Joe Biden për të mos kërkuar një mandat të dytë presidencial, por theksoi se ky vendim tani i çon demokratët "në ujëra të paeksploruara".

“Joe Biden ka qenë një nga presidentët më me ndikim të Amerikës dhe një miku dhe kolegu im i dashur. Sot, ai na kujtoi, përsëri, se ai është një patriot i shquar. Unë e di se ai nuk do ta kishte marrë vendimin për t’u tërhequr nëse nuk do të ishte i bindur se është i duhuri për Amerikën", tha Obama në deklaratën e tij.

"Ne do të hyjmë në ujëra të paeksploruara në ditët në vijim, por kam besim të madh se liderët e partisë sonë do të jenë në gjendje të formojnë një proces që do të lejojë shfaqjen e një kandidati të shquar", përfundoi Barack Obama, por pa përmendur Kamala Harris.

Nënpresidentja Kamala Harris është në krye të listës dhe e sugjeruar nga Biden, por ajo ka patur problemet e saj pas një fillimi të vështirë në detyrë dhe një nivel jo të lartë mbështetjeje në anketime.

Ka shumë dyshime në Partinë Demokratike nëse dhe në çfarë mase Kamala Harris mund ta mposhtë ish-presidentin Trump. Disa zyrtarë të fraksionit sugjerojnë organizimin e një mini-procesi për të zgjedhur kandidatin më të fortë përpara kongresit të gushtit në Çikago.

Vetë presidenti në largim Biden doli në mbështetje Harris dje, në një deklaratë të veçantë, pas publikimit të letrës së tij që njoftonte tërheqjen nga kandidatura. Shumë demokratë e sugjeruan Harris si kandidate të denjë, por disa nga figurat më të shquara të fraksionit, veçanërisht ish-presidenti Barack Obama dhe ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, nuk kanë mbajtur ende një qëndrim.

Ndërsa ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe gruaja e tij Hillary, ish-sekretare e shtetit dhe vetë kandidate demokrate për presidentE në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në SHBA, njoftuan në një deklaratë se mbështesin Kamala Harris si kandidate presidenciale të demokratëve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të nëntorit.

Pas tërheqjen së Biden, Kamala Harris njoftoi kandidaturën e saj si presidentE në zgjedhjet e nëntorit, por kjo ka shkaktuar përçarje mes demokratëve. /ZËRI

Poll

MOS HUMB