Vrasja në Ferizaj/ Prokuroria jep detaje: U rrezikua jeta e personave të tjerë

KOSOVË-Prokuroria e Kosovës ka dhënë detaje nga ngjarja e ndodhur mbrëmbë në parkingun e një salle dasmash në Ferizaj të Kosovës, ku u qëllua për vdekje 89-vjeçari, Sadri Sadriu nga Lugina e Preshevës. Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton se ka kërkuar që Gjykata të caktojë masën e paraburgimit prej një muaji për Festim Ramadanin dhe J.M, të dyshuar për vrasjen e 89-vjeçarit në fshatin Bibaj të Ferizajt më 16 gusht.
“Në hyrje të parkingut të sallës së dasmave në fshatin Bibaj, i pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta sapo vërejnë të ndjerin se hyn në parkingun e lartëcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalen në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë [teshlicë] dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit. Kurse i pandehuri F.R., me armën zyrtare automatike ka shtënë disa herë në të ndjerin S.S., dhe me atë rast vënë në rrezik edhe personat tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin”, thuhet në njoftim.
Viktima lidhje familjare me burrin e Vjosa Osmanit? Presidentja: Nuk kam lidhje me ngjarjen

KOSOVË- Shefi i stafit të Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina ka reaguar në lidhur me vrasjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Ferizaj, ku efektivi i Policisë, Festim Ramadani ekzekutoi me armë zjarri të afërmin e tij Sadri Sadriun. Sipas informacioneve të pakonfirmuara që dolën në mediat e Kosovës, vrasja ndodhi nën dyshimet për “ngacmim seksual” të dy vajzave (familjare të policit të dyshuar Festim Ramadani), nga ana e viktimës. Po ashtu u raportua se bashkëshorti i Vjosa Osmanit dhe kjo e fundit ishin futur në një grup komunikimi në Facebook, ku familja Ramadani kishte rrëfyer gjitha pretendimet e tyre për tashmë viktimën Sadri Sadriu, për situatën e ndodhur.
Shefi i stafit të Presidentes Osmani, Bekim Kupina, cilëson se “kjo tendencë është me qëllim të qartë denigrimi dhe rrezikimi të jetës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë”. Ai tha se “Presidentja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në mënyrë që ky plan i qartë për rrezikimin e jetës së saj e të familjes të trajtohet me prioritet”. Kupina tha se çifti Sadriu nuk përdorin “asnjë grup komunikimi në asnjë rrjet social”.
“E gjithë kjo është shpifje me qëllim të implikimit të Presidentes në situata për të cilat as nuk ka njohuri e as lidhje. Presidentja dhe as Zotëria i Parë nuk përdorin asnjë grup komunikimi në asnjë rrjet social. Kjo është tërësisht e pavërtetë dhe tendencioze. Kjo tendencë është me qëllim të qartë denigrimi dhe rrezikimi të jetës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë. Presidentja do t’i kundërshtoj me çdo mjet ligjor këto tendenca dhe tashmë ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që ta trajtojnë këtë me urgjencë. Tendenca për të ndërlidhur rastin e mbrëmshëm me Presidenten dhe familjen e saj të ngushtë e shndërron atë në një objektiv, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Kjo nuk ka të bëj me standard profesional të raportimit në media. Presidentja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në mënyrë që ky plan i qartë për rrezikimin e jetës së saj e të familjes të trajtohet me prioritet”, tha Kupina.
Po ashtu edhe vetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka mohuar lidhjen me ngjarjen. Osmani shkruan se ajo dhe bashkëshorti i saj nuk kanë asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që çuan në vrasjen e mbrëmshme.
“Reagim ndaj propagandës. Pasi i kam njoftuar institucionet e sigurisë dhe jam në përgatitje e sipër të të gjitha mjeteve ligjore, po e bëj publik edhe këtë reagim ndaj publikimit të propagandës së paprecedentë që ka filluar Berat Buzhala dhe media e tij, gazeta online “Nacionale”, e që po vazhdon edhe nga disa portale të tjera. I njoftoj qytetarët e Kosovës se asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme nuk kam as unë e as bashkëshorti im, e aq më pak njohuri për ndonjë rast dhunimi”, ka shprehet presidentja e Kosovës, ndërsa shton se institucionet e sigurisë dhe drejtësisë duhet të merren me këtë rast.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vrasjen që ndodhi mbrëmjen e djeshme, ku thotë se efektivi ka qenë jashtë detyrës zyrtare. Përveç Ramadanit që u vetëdorëzua në Polici, në orët pas ngjarjes është vënë në pranga dhe një bashkëpunëtor i tij. /ZËRI
Vrasja në Kosovë, mediat: Xhaxhai i Prindon Sadriut dyshohet për pedofili, polici u hakmorr për motrat e tij

KOSOVË- Mediat në Kosovë zbulojnë detaje nga vrasja që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Ferizaj, ku një punonjës policie qëlloi për vdekje burrin e tezes së tij, një i moshuar rreth të 90-tave. Viktima u identifikua si Sadri Sadriu, ndërsa autor ishte punonjësi i policisë Festim Ramadani, i cili u vetëdorëzua pas ngjarjes.
Nacionale mëson se ‘motivi i vrasjes’ ishte ‘dhunimi i dy motrave të autorit, Festim Ramadanit, nga ana e viktimës, Sadri Sadriu, kur ato ishin të mitura’.
Për rastin tronditës sipas Nacionales ka qenë i informuar edhe bashkëshorti i Presidentes, z.Prindon Sadriu, njëherësh nipi i viktimës, por edhe vetë Presidentja Vjosa Osmani.
Prindon Sadriu dhe Vjosa Osmani ishin futur edhe në një grup komunikimi në Facebook, ku familja Ramadani kishte rrëfyer gjitha pretendimet e tyre për viktimën Sadri Sadriu. Nga disa komunikime që ka parë Nacionale ndërmjet familjarëve Sadriu – Ramadani, aty shihet se në ‘chat-in’ e komunikimeve, ishte edhe Prindon Sadriu si dhe Vjosa Osmani-Sadriu.
Një pjesë e komunikimit në grupin e Facebook, ku ishte edhe Prindon Sadriu dhe presidentja Osmani:
Familjarët e vrasësit ishin të indinjuar që rasti nuk po trajtohej nga organet e drejtësisë’ duke aluduar në anashkalimin e tij ‘falë fuqisë politike të familjes Sadriu’. Për të gjitha këto pretendime, Nacionale ka kontaktuar edhe Presidencën e Republikës së Kosovës, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vrasjen që ndodhi mbrëmjen e djeshme, ku thotë se efektivi ka qenë jashtë detyrës zyrtare. Përveç Ramadanit që u vetëdorëzua në Polici, në orët pas ngjarjes është vënë në pranga dhe një bashkëpunëtor i tij. /ZËRI
Tronditet Kosova, efektivi i policisë vret të moshuarin gjatë dasmës, i afërm i presidentes Vjosa Osmani (Fotot)

KOSOVË- Një vrasje ka tronditur mbrëmjen e djeshme Kosovën, ku viktimë ka mbetur një i moshuar, ndërsa autori është një efektiv policie që e kreu krimin jashtë orarit të punës. Ngjarja ka ndodhur gjatë një dasme në Ferizaj, ku autori dhe viktima kanë pasur lidhje familjare mes tyre. Mediat dhe policia në Kosovë, kanë identifikuar autorin e ngjarjes së rëndë, i cili është efektivi Festim Ramadani, ndërsa viktimë e të shtënave me armë mbeti 89-vjeçari, Sadri Sadriu. Ky i fundit është xhaxhai i bashkëshortit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Vrasjen dyshohet se autori e ka kryer me armën zyrtare por ende nuk dihet asnjë motiv lidhur me ngjarjen. Lidhur me rastin detaje ka dhënë Inspektorati Policor i Kosovës. Bazuar në informacionet fillestare, IPK thotë se dyshimet janë se zyrtari policor i dyshuar në këtë rast kishte shkuar në këtë lokacion dhe kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, i cili si pasojë e lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë.
“I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) pas kryerjes së veprës penale është vetdorëzuar në Stacionin Policor të Ferizajt ku edhe ka dorëzuar armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast. I dyshuari është arrestuar (dhe suspenduar) dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e IPK’së.
Majori Qazim Reka në një deklaratë për mediat ka treguar detaje të reja lidhur me rastin, duke shtuar se polici nuk ishte në detyrë në kohën kur kreu vrasjen. Ai para gazetarëve ka bërë me dije se polici nuk ka qenë pjesë e gëzimit familjar, duke shtuar se motivet ende nuk dihen.
“Polici nuk ka qenë në detyrë zyrtarë, jashtë detyrës zyrtare, ka qenë me rroba civile dhe me veturë civile ka kryer veprën në vendin e ngjarjes këtu para këtij lokali. Vrasja është kryer me armë zyrtare. Zyrtari policor është F.R dhe viktima është S.S….Motivet nuk dihen ende. Nuk ka qenë pjesë e ahengut familjar”, tha Reka.
Për rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore e Ferizajt. Në njoftimin e prokurorisë thuhet se i dyshuari në këtë rast sipas informatave të para dyshohet se është zyrtar policor dhe i njëjti me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë”./ZËRI
Vrasje në një dasmë në Ferizaj, zyrtari i Policisë ekzekuton me kallash burrin e tezes

KOSOVË-Një person ka mbetur i vdekur në një sallë dasmash në Ferizaj. Personi është qëlluar me breshëri plumbash, nga i afërmi i tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një sallë dasmash, kur mysafirët ishin duke hyrë brenda. Autori Besim Ramadani, zyrtar policor ka qëlluar për vdekje të afërmin e tij (burrin e tezes), për motive ende të panjohura. Më pas është dorëzuar në polici.
“Vrasja ka ndodhur në fshatin Bibaj, në oborrin e një salle dasmash. Sipas informacioneve fillestare, i dyshuari për kryerjen e kësaj vrasjeje është një zyrtar policor i cili është arrestuar”, tha Qazim Reka nga Policia e Kosovës, për REL.
Reka shtoi se dyshimet e para janë që kjo vrasje “nuk ishte aksidentale, por e qëllimshme”.