LIVE UPDATES

SHBA shton praninë ushtarake në Izrael, hapet kufiri për ndihmat humanitare në Gaza

➤ Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak ka mbërritur në Izrael - ai po zhvillon bisedime me liderët izraelitë dhe pritet të vizitojë vende të tjera në rajon ➤ Ushtria izraelite thotë se ka goditur qindra objekte në Gaza gjatë 24 orëve të fundit, duke synuar "infrastrukturën e Hamasit" ➤ Pas negociatave është hapur pika e kalimit kufitar mes Gazës dhe Egjptin për kalimin e ndihmave humanitare ➤ Gaza mbetet nën rrethim, me Izraelin që bllokon furnizimet ndërkufitare me ujë, energji elektrike dhe karburant ➤ SHBA ka shtuar luftanijet që ka dërguar në Izrael, dy mijë trupa kanë kaluar në gadishmëri ➤ Joe Biden është kthyer në SHBA - vizita e tij e shkurtër në Izrael u la në hije nga një shpërthim në një spital në Gaza, për të cilin zyrtarët lokalë thonë se vrau 471 njerëz - një shifër e kundërshtuar nga Izraeli

4 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Rishi Sunak mbërrin në Izrael, kërkon korridor humanitar për Gazën

SHBA shton praninë ushtarake në Izrael, hapet kufiri për ndihmat
Rishi Sunak ne Izrael

IZRAEL- Një tjetër lider i rëndësishëm shkon në Izrael në mes të luftës për të shprehur mbështetje ndaj qeverisë vendase. Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Tel Aviv, ku është shprehur se sulmet e Hamasit më 7 Tetor ishin një akt i tmerrshëm terrorizmi, teksa përsëriti mbështetjen e Britanisë për Izraelin.

“Sulmet e Hamasit më 7 Tetor ishin një akt i papërshkueshëm dhe i tmerrshëm terrorizmi. Britania e Madhe qëndron në krah të Izraelit”, tha Sunak.

Kryeministri britanik, Sunak, e bëri deklaratën në një prononcim të shkurtër për gazetarët pas mbërritjes në Izrael në aeroportin e Tel Avivit. Ai shtoi se pret takimet me zyrtarët e lartë izraelitë teksa shtoi se shpreson që ato të jenë takime që do të sjellin produktivitet.

“Pres me shumë padurim takimet e mia më vonë me kryeministrin dhe presidentin dhe shpresoj shumë që ato të jenë takime produktive”, tha Sunak.

Kryeministri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak mbërriti në Izrael mëngjesin e sotëm për një vizitë 2-ditore në këtë rajon, ku pritet që të vizitojë edhe vende të tjera. Zyra e Kryeministrit britanik ka njoftuar se Sunak do të shprehë ngushëllimet për viktimat në Izrael dhe në Gaza si pasojë e sulmeve terroriste të Hamasit.

Sunak do të kërkojë një mundësi që të krijohet korridor humanitar për të dërguar ushqime në Gaza dhe që shtetasit britanikë që janë bllokuar aty të mund të largohen./Zëri.ai 

1 VITE ME PARE

Ambasadorja e Shqipërisë: Superfuqia e Izraelit, çdo shtëpi ka një dhomë të blinduar

SHBA shton praninë ushtarake në Izrael, hapet kufiri për ndihmat
Ambasadorja Meri Kumbe

TIRANË- Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe ka folur mbrëmjen e djeshme në “Opinion” lidhje me situatën e luftës që po ndodh në Gaza, por edhe masat e forta të shtetit ku ajo shërben si përfaqësuese e Shqipërisë. E ndodhur në rezidencën e saj në Izrael, Kumbe shpjegoi se thuajse të gjitha banesat e ndërtuara në Izrael pas vitit 1994 kanë një dhomë sigurie e cila shërben për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore. Kjo dhomë sipas Kumbes është totalisht e blinduar dhe është rreth 3 metra katrorë, dhe gjendet dhe në bvanesën e saj, ku do të futej në rast se jepej një alarm nga ana e autoriteteve.

-Jeni në zyrë?

Meri Kumbe: Jo, jam në banesë.

-Ka mbrojtje ajrore banesa?

Meri Kumbe: Po kam pikërisht këtu në të majtën time është dhoma e sigurisë dhe uroj që të mos ndodhë, por nëse do ketë alarm do duhet patjetër që të tërhiqem dhe të futem në atë dhomë.

–Çdo banesë ka dhomë sigurie?

Meri Kumbe: Kryesisht banesat e ndërtuara pas vitit ’94 kanë dhoma sigurie brenda. Janë dhoma pa dritare, me beton komplet dhe kanë një derë karakteristike të blinduar. Ato dhoma që kanë dritare, dhe dritaret janë po ashtu të blinduara, si dritarja dhe grila dhe zakonisht janë pa xham. Supozohet që nga tronditjet të limitohet mundësia për t’u dëmtuar qytetarët.

-Sa e madhe është dhoma?

Meri Kumbe: Është rreth 2 metra e gjysmë ose 3 metra katrorë, është e vogël…

-Pra si strehimet kundër sulmeve ajrore

Meri Kumbe: Pallatet e vjetra kanë bunkerët klasikë siç i kemi patur ne ndërtimet e vjetra të komunizmit që zbresin poshtë dhe futesh nën tokë. Ndërkohë që këto dhoma janë më komode sepse je në shtëpi dhe kryesisht gjatë natës, e sidomos kur familja ka fëmijë të vegjël, mesatarisht izraelitët kanë nga 3 fëmijë./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

Egjipti hap kufirin me Gazën, nis kalimi i ndihmave humanitare

SHBA shton praninë ushtarake në Izrael, hapet kufiri për ndihmat
Pika e kalimit kufitar mes Egjiptit dhe Gazes

GAZA- Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi ka pranuar të rihapë pikën e kalimit kufitar të Rafahut me Gazën vetëm për kalimin e ndihmave humanitare.

Vendimi i Egjiptit vjen pas vizitës së presidentit Biden në rajon, i cili paralajmëroi më herët se 20 kamionë me ndihma do të shkojnë në Gaza, në ndihmë të qytetarëve jo më vonë se e premtja.

Pavarësisht hapjes së pikës kufitare, ende nuk është e qartë nëse do të lejohet dhe kalimi i civilëve, një numër i madh i të cilëve është bllokuar aty që pas paralajmërimeve të Izraelit se duhet të largohen sa më shpejt nga veriu i Gazës.

Pika e kalimit kufitare të Rafah është caku më jugor për të dalë nga Gaza dhe për të hyrë në territorin egjiptian të gadishullit të Sinait. Zakonisht nuk është e lehtë për palestinezët që të largohen nga Gaza përmes kësaj pike kufitare.

Personat që dëshirojnë këtë gjë duhet të aplikojnë tek autoritetet palestineze 4 javë më parë, dhe mund të pengohen të kalojnë nga të dyja palët pa asnjë motiv, edhe nëse marrin leje. Aktualisht, Rafahu është e vetmja pikë për kalimin e ndihmave humanitare, pasi Izraeli ka rrethuar të gjithë pjesën tjetër të Rripit të Gazës.

Ndërkohë, ushtria izraelite bën me dije se ka vijuar bombardimet e saj gjatë natës ndaj pozicioneve të Hamasit. Sipas të dhënave më të fundit, më shumë se 100 objektiva u goditën vetëm në 24 orët e fundit, ndërsa 10 militantë u vranë./Zëri.ai 

1 VITE ME PARE

SHBA shton luftë-anijet në Izrael, gati 2 mijë trupa i afrohen zonës

SHBA shton praninë ushtarake në Izrael, hapet kufiri për ndihmat
Foto ilustruese

IZRAEL- Pak orë pas sulmit të tmerrshëm të Hamasit më 7 tetor, Shtetet e Bashkuara filluan t’i dërgojnë luftë-anijet dhe avionët luftarakë në rajon për të qenë të gatshme për ta ndihmuar Izraelin me çfarëdo që i nevojitet për t’iu përgjigjur grupit militant.

Të martën e 17 tetorit, luftë-anije shtesë dhe trupa amerikane u nisën drejt Izraelit, ndërsa trupa të tjerë në SHBA po përgatiten për t’u zhvendosur atje nëse iu kërkohet.

Një aeroplanmbajtës amerikan dhe flota e tij detare janë vendosur tashmë në lindje të Detit Mesdhe, ndërsa një tjetër është rrugës për atje. Për më tepër, tri luftanije të marinës amerikane janë nisur drejt Mesdheut. Dhjetëra avionë luftarakë janë dërguar nëpër bazat ushtarake amerikane rreth Lindjes së Mesme, ndërsa forcat amerikane për operacione speciale po punojnë me Ushtrinë e Izraelit në planifikim dhe inteligjencë.

Deri të martën, pesë dërgesa me armë dhe pajisje amerikane kanë mbërritur në Izrael.

E tërë kjo përgatitje pasqyron shqetësimet e shtuara të Shteteve të Bashkuara se lufta vdekjeprurëse mes Hamasit dhe Izraelit do të përshkallëzohet dhe përhapet në një konflikt më të gjerë rajonal. Prandaj, misioni kryesor i luftanijeve dhe avionëve luftarakë të Amerikës është prania e madhe dhe e dukshme e cila do ta frenojë Hezbollahun, Iranin apo të tjerët nga shfrytëzimi i kësaj gjendje.

Anijet dhe avionët e marinës

Njëri nga shembujt më të dukshëm të reagimit amerikan është në ujërat përreth Izraelit – një grup luftanijesh masive ndodhen apo po shkojnë drejt lindjes së Mesdheut dhe Detit të Kuq.

Aeroplanmbajtësi modern amerikan, USS Gerald R. Ford, u urdhërua të shkojë në lindje të Detit Mesdhe pak orë pas sulmit dhe të martën, Pentagoni tha se zhvendosja gjashtëmujore e aeroplanmbajtësit në këtë rajon është zgjatur, por nuk tregoi deri kur. Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, e urdhëroi së fundmi aeroplanmbajtësin USS Dëight D. Eisenhoëer t’i bashkohet Fordit në lindje të Mesdheut, dhe ky aeroplanmbajtës është tani rrugës për atje.

Të martën, Pentagoni tha se do ta dërgojë edhe grupin e gatshëm amfib USS Bataan, i cili përbëhet nga tri anije që bartin mijëra marinsa. Një zyrtar amerikan tha se USS Mesa Verde, një dok transportues amfib, është në Detin Mesdhe, dhe se Bataan, një luftanije amfibe, dhe USS Carter Hall, një anije zbarkimi, ishin në rajonin e Gjirit dhe tani po shkojnë drejt Detit të Kuq.

Anijet bartin helikopterë dhe avionë luftarakë të cilët mund t’i dërgojnë marinsat në territore armiqësore, apo të ofrojnë kujdes mjekësor dhe ndihma të tjera.

Luftanijet, posaçërisht aeroplanmbajtësit me avionë luftarakë dhe avionë vazhdues, janë dëshmuar historikisht si parandalues efektivë kundër Iranit dhe aktiviteteve të tjera militante në Lindjen e Mesme.

Armët dhe forcat e operacioneve speciale

Aeroplanët e mbushur me armë amerikane kanë filluar të mbërrijnë në Izrael tashmë. Një aeroplan transportues C-17 u shkarkua të premten në bazën ajrore në lindje të Gazës, Nevatim. Të martën, Pentagoni tha se pesë dërgesa të tilla janë bërë tashmë dhe më shumë tjera do të bëhen.

Zyrtarët e Mbrojtjes së SHBA-së thonë se administrata i ka dhënë tashmë Izraelit bomba të vogla, municione të tjera dhe raketa interceptuese për sistemin e vet mbrojtës ajror, Kupola e Hekurt, dhe se do t’i japin edhe më shumë.

Municioni që SHBA-ja do t’ia dhurojë Izraelit për Kupolën e Hekurt me gjasë do të jetë shtesë, pasi Izraeli ka porositur tashmë municion, si dhe do të jetë pjesë e pakos së ndihmave ushtarake.

Për më tepër, SHBA-ja e ka krijuar një qelizë të vogël të forcave për operacione speciale, e cila është duke punuar me Izraelin, duke i ofruar të dhëna të inteligjencës dhe planifikimit, si dhe këshilla për Forcat e Mbrojtjes së Izraelit në përpjekjet e tyre për shpëtimin e pengjeve.

Pentagoni tha se këta trupa amerikane nuk po marrin pjesë në asnjë operacion për shpëtimin e pengjeve dhe se nuk ka forca ushtarake amerikane në terren në Izrael.

Avionë luftarakë të Forcës Ajrore

Pentagoni, po ashtu, ka urdhëruar dërgimin e më shumë avionëve luftarakë për t’iu bashkuar njësive të avionëve A-10, F-15 dhe F-16 në bazat ajrore nëpër Lindjen e Mesme. Edhe më shumë do të shtohen po qe nevoja.

Forcat Ajrore të SHBA-së kanë tashmë fuqi ajrore në rajon për të kryer operacione me dhe pa pilotë, kryesisht në Siri, ku avioni luftarak F-16 u urdhërua javën e kaluar ta rrëzonte një dron turk i cili po i kërcënonte forcat tokësore amerikane.

Trupa shtesë po bëhen gati

Austini urdhëroi 2.000 trupa të forcave amerikane të jenë të gatshëm për t’u zhvendosur, nëse është e nevojshme, në ditët apo javët në vijim.

Zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh, tha për gazetarë të martën se njësitë nuk janë identifikuar ende. Ajo tha se trupat do të jenë në gjendje të reagojnë shpejt, posaçërisht për të ofruar të dhëna të inteligjencës dhe mbikëqyrje, transportim dhe ndihmë mjekësore. Në mesin e 2.000 trupave me gjasë përfshihen edhe personeli i Forcës Ajrore dhe Ushtrisë. Marrë nga REL

Poll

MOS HUMB