LIVE UPDATES

Procesi i Berlinit/ Presidentja e KE vjen me 'çek', Rama: Nesër s'ka zgjidhje për Kosovën

➤ Gjithçka duket gati! ➤ Shqipëria pret nesër liderët botërorë pasi në kryeqytet do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit. ➤ E para që ka mbërritur është presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen. ➤ Kjo e fundit është pritur në aeroportin e Rinasit nga ministrja Elisa Spiropali dhe Luigi Soreca. ➤ Sot, Von der Leyen u takua presidentin Bajram Begaj dhe më pas, ka zhvilluar një konferencë për shtyp me kryeministrin Edi Rama. ➤ Kryeministri Edi Rama dhe presidentja e Komisionit Europian, deklaruan se nesër në vëmendje të bisedimeve do të jenë arritjet e procesit ndër vite dhe angazhimi i Shqipërisë. ➤ Von der Leyen deklaroi se brenda këtij 10-vjeçari, Bashkimi Europian do të dyfishojnë ekonominë e vendit tonë. ➤ Ndërsa Rama, duke folur për konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë tha se nesër nuk ka zgjidhje, por shtoi se takime bilaterale mund të zhvillohen. Për të njëjtën çështje, shefja e KE tha se zgjidhja e vetme ishte dialogu. ➤ Përveç Von der Leyen, priten që të mbërrijnë edhe liderët e vendeve të tjera të rajonit, përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Edhe pse ky i fundit ka pasur përplasje me kreun e qeverisë shqiptare. ➤ Piramida do të jetë mjedisi kryesor ku do të zhvillohen aktivitetet, që nisin në orën 11 të mëngjesit të 16 tetorit e përfundojnë në orën 19:30. ➤ Samiti do të hapet me fjalën e kryeministrit Rama, kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentes së Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen dhe presidentit të këshillit të BE-së, Charles Michel. ➤ Më pas, në agjendë është planifikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp mes Ramës, kancelarit Scholz dhe presidentes së KE-së, Von der Leyen.

8 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Rama konferencë me Von der Leyen, shefja e BE-së: Kosova dhe Serbia t'i kthehen dialogut!

Procesi i Berlinit/ Presidentja e KE vjen me 'çek', Rama:
Ursula von der Leyen dhe Edi Rama

TIRANË- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në dialog për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre. Disa orë pasi ajo ka mbërritur në Shqipëri, një ditë para nisjes së samitit të Procesit të Berlinit, Von der Leyen doli në një konferencë për mediat bashkë me kryeministrin Edi Rama. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ajo ceku disa pika të rëndësishme, duke u ndalur më gjatë mes Kosovës dhe Serbisë. E pyetur se çfarë ndodh me 'marrëveshjen e Ohrit', të arritur në mars mes Kosovës dhe Serbisë, Ursula von der Leyen tha se ajo është rruga ku duhet ecur drejt Bashkimit Evropian. 

Ndërsa Rama nga ana e tij tha se ka hapësirë për takime, por nuk do të ketë një deklaratë të përbashkët për dialogun mes dy vendeve dhe se asnjë nuk duhet të presë zgjidhje nga Samiti i nesërm. Kjo pasi pritet që kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dhe homologia e tij serbe Ana Brnabiç, të ulen të hënën në një tryezë për herë të parë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

KOSOVË

Von der Leyen: Marrëveshja e Ohrit, është baza për pajtimin nëpërmjet dialogut të BE. Është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezë për të normalizuar marrëdhënien mes tyre dhe kjo është e vetmja mënyrë nëpërmjet dialogut. Kjo është rruga e duhur për të ardhmen. Kosova dhe Serbia do të jenë pjesë e Bashkimit Europian. Pra pajtimi, angazhimi dhe bashkëpunimi janë tërësisht të domosdoshme dhe vendi për ta bërë këtë është dialogu.

Rama: Procesi i Berlinit, si dhe samitet nuk janë vendi për zgjidhjen e çështjeve bilaterale, por në programin e samitit që është përgatitur prej shumë kohësh në harmoni me kancelarinë gjermane dreka e punës e liderëve do t’i kushtohet edhe marrëdhënieve fqinjësore në rajon. Hapësira për një diskutim të hapur mes të pranishmëve është programuar por nuk është një samit që merr përsipër të gjejë zgjidhje për probleme që siç e tha presidentja në lidhje me çështjen konkrete janë probleme që trajtohen dhe duhet të zgjidhen nën ombrellën e BE”

Konflikti në GAZA

Von der Leyen: Me çfarë kam kuptuar nuk është parashikuar një deklaratë në samitin e Berlinit do të kemi një samit të Këshillit Europian një ditë më pas që do të kemi dhe një deklaratë. Është bërë publike, dënon fort sulmin terrorist të Hamasit ndaj Izraelin dhe që Izraeli ka të drejtën që të mbrohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Duhet ofruar ndihmë humanitare për civilët në Gazë dhe viktimat e Hamasit. Prandaj kemi trefishuar ndihëm në Rripin e Gazës në 75 mln euro. Kjo është korniza në ditën e martë që është bërë publike

Edi Rama: Në këtë kornizë ne, shumë më parë se të ndodhte kjo që ka ndodhur mes Hamas dhe Izraelit, kemi përcaktuar një hapësirë për të diskutuar çështjet e fqinjësisë në Rajon, por asgjë më shumë, sepse nuk është ky qëllimi i këtij samiti. Vërtetë Tirana është kryeqyteti evropian i Ballkanit por nuk është kërthiza e Europës. Kërthiza e Europës është në Bruksel ku atje diskutohen këto tema.

Ndër të tjera, Von der Leyen sqaroi se po ndërtohet një e ardhme e përbashkët dhe kjo duhet të krijojë mundësi të reja tregtie, që ekonomitë e Ballkanit dhe Evropës të afrohen. Sipas saj, do të ndërmerren një sërë reformash ekonomikë të cila brenda këtij 10-vjeçari do të dyfishojnë ekonominë e vendit tonë. Ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, planin e ri për Ballkanin do ta paraqesë nesër, me shumë gjasë gjatë punimeve të Samitit./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

Ndryshon plani/ Macron vjen nesër pasdite në Tiranë

Procesi i Berlinit/ Presidentja e KE vjen me 'çek', Rama:
Edi Rama dhe Emmanuel Macron

FRANCË- Presidenti francez Emmanuel Macron nuk do të jetë nesër që në nisje të Samitit në Tiranë! Kreu i shtetit francez duket se e ka shtyrë ardhjen e tij në Tiranë e nuk do të marrë pjesë në pjesën e parë të takimit të Samitit të Procesit të Berlinit. Shkak për shtyrjen e ardhjes është bërë një sulm terrorist në Arras (Frane) ku mbeti i vrarë një mësues.

Megjithatë, më herët është lajmëruar se gjatë datave 16 dhe 17 tetor, Macron do të jetë në Tiranë për një vizitë 2-ditore. Duke shënuar kështu vizitën e parë zyrtare të një presidenti francez në Shqipëri. Madje u bënë publike edhe masat e sigurisë, ku 100 oficerë të Xhandarmërisë franceze dhe forca sigurie kanë mbërritur në Tiranë për të siguruar presidetin Macron.

Ai ishte pritur që të hënën t'i bashkohej punimeve të takimit në kuadër të Procesit të Berlinit BE-Ballkani Perëndimor, e më pas të qëndronte për takimin zyrtar, por duket se plani ka ndryshuar në momentin e fundit. Në samitin e Procesit të Berlinit, Macron do të përfaqësohet nga Sekretarja e Shtetit për Evropën, Laurence Boone./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

Rama takohet me Von Der Leyen, kryeministri: BE t’i bën nervat copë!

Procesi i Berlinit/ Presidentja e KE vjen me 'çek', Rama:
Ursula Von Der Leyen dhe Edi Rama

TIRANË- Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, dhe kryeministri Edi Rama janë takuar ndërsa kanë marrë pjesë të dy në ceremoninë e hapjes së një dege të re të Kolegjit prestigjoz Europian të Bryzhit në Tiranë. Von der Leyen, fillimin zyrtar të regjistrimeve për Kolegjin Evropian të Tiranës, i cili do të çelë zyrtarisht vitin e parë akademik prej 2024-ës, e cilësoi si një urë e fortë drejt Bashkimit Evropian.

“I nderuar kryeministër, i dashur Edi, shumë e dashur federika. E mbaj mend vjet kur ishit ju që lançuat idene e mrekullueshme për të patur një degë të kolegjit të Europës në Tiranë, ishin ju që e patët këtë ide. Kështu filluan punën, KE qeveria juaj dhe Kolegji i Europës. Dhe ja ku jemi sot duke krijuar themelet e degës së tretë të kolegjit të europës në Tiranë. Nesër do të hapim edhe zyrën e kolegjit por sot do të përqendrohemi te ata që do ti japin jetë kolegjit. Dhe sot ishte kënaqsi të lanconim çeljen e regjistrimit në këtë kolegj për këtë vit akademik. Ju e thatë vetë kjo është dega e tretë e kolegjit. 31 studentë do të jenë pjesë e kurist master. Por kam kënaqësië tu njoftoj se do të kemi 15 bursa për studentë të Ballkanit Perëndimor për 3 vite,”- tha Von Der Leyen.

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama, falenderoi BE-në, por me nota ironie shtoi se 'unioni' është një mësues që t’i bën nervat copë, por në fund ia del të mësojë sesi formohet një shtet demokratik e funksional.

“Jemi shumë të lumtur sot. Është vërtet inkurajuese të shohësh BE të kalojë kaq shpejt nga fjalët në vepra. Kjo është diçka që e kemi përjetuar këto vitet e fundit falë përkushtimit të posaçëm të Presidentes, e cila na ka shoqëruar në momente tepër të errëta. Si për shembull kur tërmeti shkatërrimtar goditi Shqipërinë. Dua po ashtu të nënvizoj sesa e rëndësishme është kjo nismë që merr jetë sot. Pasi ne priremi që të besojmë se Europa ka të bëjë me ekonominë, financimin, më shumë qasje në tregun e përbashkët. Por unë besoj fort se Europa për ne më shumë se të gjitha këto bashkë ka të bëjë me dijen, me të mësuarin sesi të gjitha problemet që kemi trashëguar nga e shkuara t’i zgjidhim. Si të transformojmë atë çka është më e rëndësishme për një vend të ri në këtë sidë si ne. Dijen dhe shtetin. Ndaj gjithnjë mendoj sa të bekuar jemi që jetojmë në këtë vend dhe që rrethohemi nga BE. Po të hedh një sy në të shkuarën nuk ka shumë arsye për të qenë të frymëzuar apo për të besuar në një të ardhme të shndritshme. Askush nuk mund tu mësojë vendeve që gjenden në pjesë të tjera të botës, që duan të ecin përpara, të transformojnë jetën e tyre, shtetet e tyre, BE është më i miri që e bën këtë. Askush nuk mund ta shoqërojë një vend që të dalë nga e shkuara e vetë dhe të sigurojë një shtet demokratik dhe funkas9ional për qytetarët e vetë siç bën BE. Nuk ka asnjë mësues që t’i bën nervat copë si BE, ma merr mendja që kolegji është në pararojë të kësaj, por nuk ka rrugë tjetër. Ja pse besoj se ky kolegj është më shumë sesa një universitet që vjen këtu nga jashtë dhe bëhet pjesë e sistemit tonë për të ofruar një arsim të klasit më të lartë për të rinjtë tanë. Pasi është një mësim më i thelluar për vetë BE, ndaj kemi të drejtën sot të jemi të lumtur. Dhe besoj se më shumë të rinj shqiptarë sesa 31 fillestarët të bëhen pjesë e tij,”- shtoi Rama në fjalën e tij./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

Tirana gati për Samitin e Berlinit

Procesi i Berlinit/ Presidentja e KE vjen me 'çek', Rama:
Foto ilustruese

TIRANË- Nesër në Tiranë do të zhvillohet Samiti i Procesit të Berlinit. Siç duket edhe nga pamjet nga kryeqyteti që ka siguruar "Zëri.ai", të gjithë janë në gatishmëri, ndërsa po bëhen edhe "prekjet" e detajeve të fundit për eventin e nesërm. Teksa mbi 2 mijë efektivë do blindojnë Tiranën, disa rrugë do të bllokohen duke nisur nga ora 20:00 e mbrëmjes së sotme, ndërsa të tjera do të jenë të papërshkrueshme as me këmbë. 

Rrugët që do bllokohen:

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”;
-Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”;
-Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”;
-Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
-Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”;
-Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;
-Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;
-Rruga “Ukraina e lirë”.

Takimi do të zhvillohet në ambientet e Piramidës, ndërsa do të marrin pjesë: kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti i Francës, Emmanuel Macron; presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, etj./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

Ekonomiku dhe Filologjiku: E hëna pushim, Samiti i Berlinit ka bllokuar rrugët

Procesi i Berlinit/ Presidentja e KE vjen me 'çek', Rama:
Fakulteti i Ekonomisë

TIRANË – Fakulteti i Ekonomisë dhe ai i Histori-Filologjisë kanë njoftuar studentët, se dita e hënë do të jetë pushim. Kjo, për shkak të masave të ndërmarra nga policia, për Samitin e Berlinit.

Njoftimi është bërë në rrjetet sociale. Shkak për shpalljen pushim të së hënës, është bërë bllokimi i rrugëve. Fakultetet njoftojnë, se e hëna do të zevendësohet me një ditë tjetër.

"Me vendim të Dekanatit, për arsye të masave të marra për bllokimin e rrugëve në zonën ku ndodhet godina e Fakultetit të Ekonomisë edhe për këmbësorët, për shkak të zhvillimit të Samitit të Berlinit në Tiranë, njoftohen studentët dhe stafi se dita e hënë datë 16 Tetor 2023 do të jetë pushim dhe do të zëvendësohet një ditë tjetër", njofton Fakulteti i Ekonomisë.

Edhe Fakulteti i Histori-Filologjisë njoftoi studentët, për shpalljen e së hënës, ditë pushimi.

Procesi i Berlinit/ Presidentja e KE vjen me 'çek', Rama:
Njoftim i Filologjikut

Nesër, në Tiranë, do të mblidhen liderët e BE-së, në kuadër të Procesit të Berlinit. Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor (BP) i nisur në gusht 2014 si nismë, ka në themel të tij bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në rrugëtimin e tyre drejt hyrjes në BE./Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

FOTO/ Tirana 'gati' për të pritur Samitin e Berlinit

Procesi i Berlinit/ Presidentja e KE vjen me 'çek', Rama:
Tirana përpara Samitit të Berlinit

TIRANË – Nesër në Tiranë do të mbahet Samiti i Berlinit, ku liderë të BE-së do të jenë të pranishëm në kryeqytetin shqiptar.

Tirana po bëhet gati të presë liderët politikë të Europës.

Procesi i Berlinit/ Presidentja e KE vjen me 'çek', Rama:
Tirana përpara Samitit të Berlinit 2

Siç shihet dhe nga fotot ekskluzivisht të Zëri.ai, janë pastruar rrugët kryesore të Tiranës. Gjithashtu, policia ka rrethuar zona të caktuara. 

Procesi i Berlinit/ Presidentja e KE vjen me 'çek', Rama:
Tirana përpara Samitit të Berlinit 3

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Shtetit njoftoi se ka marrë masa, për bllokimin e rrugëve kryesore në kryeqytet.

Procesi i Berlinit/ Presidentja e KE vjen me 'çek', Rama:
Tirana përpara Samitit të Berlinit 4
Procesi i Berlinit/ Presidentja e KE vjen me 'çek', Rama:
Tirana përpara Samitit të Berlinit 5
Procesi i Berlinit/ Presidentja e KE vjen me 'çek', Rama:
Tirana përpara Samitit të Berlinit 6

Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor (BP) i nisur në gusht 2014 si një nismë, ka në themel të tij bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në rrugëtimin e tyre drejt hyrjes në BE.

Krahas gjashtë vendeve të BP (Bosnja - Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria) në këtë proces marrin pjesë BE dhe 10 vende anëtare të tij, nën drejtimin e Gjermanisë./Zëri.ai/

 

1 VITE ME PARE

Samiti në Tiranë, DW: Rigjallërim i Procesit të Berlinit në sfond tensionesh të reja 

Procesi i Berlinit/ Presidentja e KE vjen me 'çek', Rama:
Foto nga mbledhja, 6 tetor 2023

TIRANË- Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor (BP) i nisur në gusht 2014 si një nismë, ka në themel të tij bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen e vendeve të BP në rrugëtimin e tyre drejt hyrjes në BE. Krahas gjashtë vendeve të BP (Bosnja - Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria) në këtë proces marrin pjesë BE dhe 10 vende anëtare të tij, nën drejtimin e Gjermanisë.

Çfarë është arritur deri tani?

Rikthimi i vullnetit politik të vendeve anëtare të BE dhe atyre të BP në procesin e zgjerimit dhe bashkëpunimit rajonal qendron në krye të arritjeve të Procesit të Berlinit.

"Falë mbështetjes së Gjermanisë dhe vendeve të tjera, pjesëmarrëse në këtë proces është arritur të 'mbyllen' praktika të përgatitura teknikisht por që nuk nënshkruheshin prej mospajtimeve politike. I tillë është rasti i tri Marrëveshjeve të Mobilitetit, që u nënshkruan vitin e kaluar në Berlin. Këto marrëveshje janë ratifikuar edhe nga Parlamentet e Kosovës dhe të Serbisë dhe po zbatohen nga strukturat kombëtare përkatese, gjë që tregon qartë vlerën e shtuar të Procesit te Berlinit, krahasuar me inisiativa të ngjashme. Vullneti politik që injektohet nga Procesi i Berlinit është i domosdoshëm për Tranzicionin e Gjelbër dhe zbatimin e projekteve qidra-milionëshe euro të infrastrukturës në rajonin e BP", thotë për DW, Ardian Hackaj, Drejtor i Kërkimeve në Institutin e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit, me seli  në Tiranë.

Katër objektivat e Procesit të Berlinit

Këto objektiva të deklaruara që në fillim të këtij procesi mbeten të pandryshuara: zgjidhja e problemeve të brendshme, të hapura dypalëshe mes vendeve të BP, pajtimi mes shoqërive në rajon, përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe së fundi krijimi i  një baze për rritjen e qëndrueshme të rajonit.

"Ngritja e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO) me seli në Tiranë është një arritje e dukshme drejt plotësimit të këtyre objektivave. Forumi i Investimeve të Dhomave të gjashtë vendeve të BP (WB6 CIF) po bën progres në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e mundësive për tregti dhe investime brenda BP," thotë për DW, Emina Muminovic,  koordinatore projektesh në Qëndrën për Politikë Bashkëkohore, me seli në Beograd.

Arritje të tjera të Procesit të Berlinit janë Korsitë e Gjelbërta, brenda rajonit dhe ndërmjet tij dhe vendeve anëtare të BE, që kanë lehtësuar rritjen ekonomike dhe integrimin rajonal. Zbatimi i Marrëveshjes Rajonale të Roaming pritet të ulë kostot e komunikimit mes vendeve të BP dhe atë me vendet anëtare të BE duke forcuar lidhjet mes njerëzve.

Por adresimi i problemeve të hapura dypalëshe dhe të brendshme brenda BP, arritja e pajtimit brenda dhe ndërmjet shoqërive të tij mbeten sfida për Procesin e Berlinit.

"Këto çështje vazhdojnë. Ato kërkojnë përpjekje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe për të nxitur pajtimin në rajon. Rrënjosja thellë e këtyre sfidave në të kaluarën kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe qasje bashkëpunuese për të arritur rezultatet e dëshiruara”, thotë për DW , Emina Muminovic.

Mangësi të identifikuara gjatë Procesit të Berlinit

”Mangësitë kryesore janë tre „Jo": nuk ka buxhet, nuk ka struktura, nuk ka kuadër legjislativ,” thotë për DW, Ardian Hackaj.

Ai thekson se Procesi i Berlinit punon me fondet e BE dhe bazohet kryesisht në acquis,  lidhur me kuadrin legjislativ në fushat përkatëse.

”Emërimi i Manuel Sarrazin i ka dhënë shtysë themeltare ketij procesi. Ndryshimet pozitive , që ky emërim ka sjellë janë të qarta, por mendoj që për më tutje duhet një plotësim dhe konsolidim i strukturave mbështetese, koordinim më i detajuar me Drejtorirë e Përgjithshme (DG) të linjës në Komisionin Europian, në sektorët ku Procesi i Berlinit mbështet Zgjerimin" thekson për DW, Ardian Hackaj.

Hendeku kohor mes nënshkrimit të marrëveshjeve rajonale, hyrjes në fuqi dhe zbatimit të tyre përbën një tjetër mangësi të identifikuar.

„Ndryshe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria që kanë ratifikuar tre Marrveshjet e Mobilitetit, Bosnjë-Herzegovina përballet me vonesa në ratifikimin e marrëveshjeve për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë, Njohjen e Kualifikimeve Profesionale për Mjekët, Stomatologët dhe Arkitektët. Liria e Lëvizjes me karta identiteti është ende në pritje të miratimit nga qeveria e atjeshme. Edhe në Malin e Zi, tri marrëveshjet e Mobilitetit janë në pritje të ratifikimit", thotë për DW, Emina Muminovic.

Ku duhet përmirësuar Procesi i Berlinit?

"Në zbatimin e marrëveshjeve rajonale që janë arritur zbatimi është thembra e Akilit - premtohet shumë por djalli fshihet në detaje dhe tempizmin e zbatimit. Shikoni marrëveshjen e Ohrit mes Serbisë dhe Kosovës apo ratifikimin nga Bosnjë-Herzegovina të marreveshjes për lëvizjen me karta identiteti! Për fat të keq është vendi i vetëm në BP që nuk e ka ratifikuar. Personat që e pengojnë ratifikimin dhe mbylljen e procesit duhen vënë para përgjegjësisë,” thotë për DW, Ardian Hackaj.

Procesi i Berlinit mbetet një nismë e shumëanshme që përfshin  dimensione teknike dhe ato politike.

"Një nga mangësitë apo sfidat kryesore në këtë proces është ndërveprimi ndërmjet këtyre dy aspekteve. Pa vullnet të fortë politik, potenciali për përparim pengohet ndjeshëm," thotë për DW, Emina Muminovic.

Ajo thekson që duhet përmirësuar  komunikimi efektiv me qytetarët e BP që  „të kuptojnë implikimet dhe përfitimet e Procesit të Berlinit për të qënë qytetarë të informuar dhe të angazhuar."

Pritshmëri nga Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë

"Pritshmëria kryesore është ripërtëritja e premtimit, se Ballkani Perëndimor është me të vërtetë pjesë e Evropës. Premtimi i BE, 20 vjet më parë, në Samitin e Selanikut, se e ardhmja e BP është në BE është i paplotësuar. Koha po mbaron. Të rinjtë, që lindën njëzet vjet më parë, janë dëshmitarë të premtimeve të pambajtura. Ky proces i stërzgjatur ka lodhur qytetarët e BP. Presim progres real në Samitin e Tiranës për të rikthyer shpresën e njerëzve dhe treguar që jemi në rrugën për t'u bërë pjesë e Evropës”, thotë për DW Emina Muminovic.

Ajo thekson se "adresimi i sfidave urgjente si ikja e trurit nga rajoni, ndotja e ajrit, siguria energjetike dhe tranzicioni i gjelbër” janë pritshmëri të tjera kryesore nga Samiti i Procesit të Berlinit  në Tiranë.

Rigjallërim i Procesit të Berlinit në sfond tensionesh të reja 

Tensionet e kohëve të fundit në veri të Kosovës mund të kenë ndikim në rezultatet e pritshme nga samiti në Tiranë i këtij Procesi. Ҫfarë duhet bërë për të adresuar këtë situatë?

"Samiti në Tiranë duhet të ofrojë një platformë për adresimin e  tensioneve në fjalë ku të theksohet domosdoshmëria që Beogradi dhe Prishtina të angazhohen në dialog konstruktiv. Objektivi gjitëpërfshirës i Procesit të Berlinit mbetet promovimi i bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal. Shpresoj që të gjitha palët e përfshira ta kenë në vëmendje këtë parim themelor. Çdo samit i Procesit të Berlinit ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e bashkëpunimit rajonal. Kosova dhe Serbia kanë një aspiratë kolektive të përbashkët: të shkojnë përtej së kaluarës, për të reformuar kombet e tyre dhe krijuar një mjedis ku fëmijët e tyre mund të realizojnë aspiratat e tyre pa emigruar,” thotë për DW. Emina Muminovic. 

Marrë nga DW

1 VITE ME PARE

Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë/ Harta e rrugëve që do bllokohen dhe plani i masave

Procesi i Berlinit/ Presidentja e KE vjen me 'çek', Rama:
Harta e rrugëve që do të bllokohen

TIRANË- Samiti i liderëve të procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë më 16 tetor do e kthejë Tiranën praktikisht në një "fortesë" nga e cila vështirë të lëvizësh. Kështu përmes një deklarate për mediat Policia e Shtetit ka bërë me dije dhe planin e masave që do të merren ditën e hënë, datë 16 tetor.

Rrugët kryesore në Tiranë ku do të kalojnë delegacionet dhe krerët e shteteve europiane dhe të rajonit do të jenë të "blinduara" me agjentë të SHISH, Policisë dhe Gardës së Republikës ndërsa nuk do të lejohet qarkullimi i automjete dhe këmbësorëve. Ndërkohë 1604 efektivë të PSH do të jenë në terren për ruajtjen e sigurisë dhe rendit si dhe 400 efektivë të Gardës. 

Në këto akse rrugore ( Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”; Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”; Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”; Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”; Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”; Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC; Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit; Rruga “Ukraina e lirë”), duke filluar ora 20:00 e datës 15 tetor deri në përfundim të Samitit, më datë 16 tetor, në orën 20:00, do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, por do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë rezidentë në ambiente banimi brenda perimetrit të sigurisë.

Ndërkohë që kufizime do të ketë dhe në akset që lidhin kryqytetin me aeroportin e Rinasit, nga ku do të vijnë liderët europianë. Dhe në akset që lidhin Pikat Kufitare të Hanit të Hotit dhe Morinës me kryeqytetin do të ketë kufizime të lëvizjes së mjeteve në oraret kur do të kalojnë delegacionet e krerëve të vendeve fqinje.

Procesi i Berlinit/ Presidentja e KE vjen me 'çek', Rama:

Procesi i Berlinit/ Presidentja e KE vjen me 'çek', Rama:

PLANI I MASAVE:

Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm konsistojnë në disa plane, konkretisht:

-Garantimi i rendit publik, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit;

-Organizimi i shërbimeve policore, për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë së Samitit;

-Sigurimi i delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë;

-Eskortimi i delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas;

-Eskortimi i delegacioneve nga PKK Morinë, Kukës, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Morinë, Kukës;

-Eskortimi i delegacioneve nga PKK Hani i Hotit, Shkodër, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Hanin e Hotit, Shkodër;

-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, etj.

Paraprakisht, dua të theksoj faktin se Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës, për hartimin e Planit të Masave dhe për vendosjen e perimetrit të sigurisë për Samitin e Procesit të Berlinit, kanë bashkëpunuar edhe me ekspertë të sigurisë të vendeve të BE-së, me qëllim zbatimin e standardeve më të larta të sigurisë, gjatë zhvillimit të aktiviteteve të këtyre përmasave.

Gjithashtu, për të garantuar sigurinë e këtij aktiviteti, po bashkëpunohet me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në vend, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkembimin në kohë të informacioneve.

Po kështu, po bashkëpunohet me bashkinë e Tiranës, autoritetet e aeroportit të Rinasit, autoritetet e kontrollit të Aviacionit të Tiranës, Policinë Bashkiake të Tiranës, shërbimin zjarrfikës dhe qendrat spitalore të Tiranës, për mbarëvajtjen e tij.

Lëvizja e qytetarëve të Tiranës, më datë 16 tetor, do të afektohet drejtpërdrejt nga ky aktivitet me përmasa ndërkombëtare.

Për garantimin e sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie:

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”;

-Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;

-Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”;

-Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”;

-Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

-Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”;

-Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;

-Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;

-Rruga “Ukraina e lirë”.

Në këto akse rrugore, duke filluar ora 20:00 e datës 15 tetor deri në përfundim të Samitit, më datë 16 tetor, në orën 20:00, do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, por do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë rezidentë në ambiente banimi brenda perimetrit të sigurisë.

Të gjitha bizneset private që ndodhen brenda perimetrit të sigurisë, ditën e hënë do të jenë të mbyllura.

Në rrugën “Papa Gjon Pali II”, nuk do të lejohet as lëvizja me këmbë, e qytetarëve.

Theksojmë se kufizimet e mësipërme janë në funksion të perimetrit të sigurisë për Samitin, ndaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për të respektuar kërkesat dhe procedurat ligjore, të normuara nga Policia e Shtetit.

Ndalim të qarkullimit të automjeteve, më datë 16 tetor, nga ora 08:00 deri në orën 12:00, dhe nga ora 15:30 deri në orën 20:00, do të ketë në akset rrugore:

•Rinas – Mbikalimi i Kasharit – autostrada “Durrës – Tiranë” – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës - rrethrrotullimi i Saukut – rrethrrotullimi pranë Akademisë së Sigurisë – Pallati i Brigadave – rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”;

•Bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”, deri te Rruga e Elbasanit (ky ndalim vlen për të gjitha llojet e mjeteve);

•Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan D’Ark” deri te sheshi “Nënë Tereza”;

•E gjithë rruga “Papa Gjon Pali II”;

•Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë - Fushë Krujë – Vorë”.

Për të lehtësuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të rëndësishëm, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, që të reduktojnë në maksimum përdorimin dhe qarkullimin me automjete, gjatë kësaj dite, si dhe që të përdorin akse rrugore dhe drejtime të tjera lëvizjeje./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB