Lufta/ Izraeli&Palestina 'ndajnë' opinionin! Protesta në Bagdat e Nju Jork!

GAZA - Situata e luftës në Izrael dhe në Rripin Gazës, po ndiqet nga gjithë bota dhe reagimet për këtë ngjarje, kanë qenë të shumta. Protesta të mëdha janë mbajtur në vende të ndryshme të botës, në mbështetje të kauzës palestineze.
Gjithashtu, shumë mbështetës të Izraelit kanë mbajtur parakalime ose kanë nderuar viktimat e sulmit të Hamasit. Gjithashtu, incidente me protagonistë izraelitët dhe palestinezët janë regjistruar në Nju Jork, ku u shtuan krimet e urrejtjes.

Protesta të fuqishme pro Palestinës
Qytetarët janë mbledhur në sheshin qendror Tahrir në Bagdad, duke valëvitur flamuj palestinezë dhe dogjën flamurin izraelit, ndërsa brohoritnin kundër SHBA-së. Ata mbajtën po ashtu slogane antiizraelite.
"Ne jemi gati të bashkohemi me luftën dhe të shpëtojmë palestinezët nga mizoritë izraelite", tha Muntadhar Kareem, 25 vjeç, mësues. Ai ishte i veshur me një qefin të bardhë, si shumica e protestuesve, për të simbolizuar gatishmërinë e tyre për të luftuar deri në vdekje.
Tubimet e organizuara nga shteti u mbajtën në të gjithë Iranin - qeveria e të cilit është mbështetësi kryesor i Hamasit dhe një nga armiqtë kryesorë të Izraelit - në mbështetje të grupit militant dhe kundër bombardimeve izraelite të Gazës.
"Vdekje Izraelit, Vdekje Sionizmit!", brohoritnin demonstruesit, shumë prej të cilëve mbanin flamuj palestinezë dhe të grupit të fuqishëm të armatosur libanez, Hezbollahut.

Mitingje të tjera u organizuan në kampet palestineze si dhe në qytetet libaneze, ku Hezbollahu ka një prani të fortë. Në Indonezi, kleriku islamik Abu Bakar Bashir, organizatori i dyshuar i bombardimeve në Bali të vitit 2002 që vranë 202 njerëz, u bashkua me dhjetëra njerëz në një marshim kundër Izraelit në qytetin Solo.
"Ne nuk mund të jemi të dobët në përballjen me Izraelin," tha ai në një fjalim para protestuesve që tundnin flamujt palestinezë. Në kryeqytetin e Bangladeshit Dhaka, aktivistët protestuan kundër veprimeve të Izraelit, pas lutjeve të së premtes në xhaminë kryesore. Anëtarët e komunitetit mysliman të Japonisë demonstruan pranë ambasadës izraelite në Tokio, duke mbajtur pankarta dhe duke brohoritur "Izraeli, terrorist" dhe "Palestina e lirë".
Në Sri Lanka, protestuesit mbanin pankarta duke thënë: "Palestinë, nuk do të ecësh kurrë vetëm". Protestuesit dolën në rrugë edhe në rajonin e Kashmirit të Indisë, Pakistan, Afganistan dhe Egjipt. Tubimet pro-palestineze ishin planifikuar në disa qytete evropiane.
Përleshje mes policisë dhe protestuesve në Francë
Vendimi i marrë nga qeveria e Makron për të ndaluar manifestimet pro Palestinës, ka sjellë përleshjes mes efektivëve dhe demonstruesve. Tubimet në Paris u shoqëruan dhe me akte dhune.
Ministri i Brendshëm francez Xherald Darman vendosi që të ndalojë tubimet, pas sulmeve të vazhdueshme në sinagoga, anembanë Francës, fill pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit. 20 persona u arrestuan këtë javë si pjesëmarrës në akte dhune ndaj objekteve të shenjta, teksa Franca është një shtet, që ka komunitet të madh mysliman dhe hebre.
Lutje për Izraelin anekënd botës
Në anën tjetër, hebrenjtë gjithashtu mbajtën mitingje e u lutën në mbështetje të Izraelit, në qytetet evropiane.
Në Paris të enjten mbrëma, policia franceze hodhi gaz lotsjellës dhe topa uji për të ndaluar një tubim në mbështetje të palestinezëve, ndërsa presidenti Emmanuel Macron u bëri thirrje njerëzve që të përmbahen dhe që konflikti Izrael-Palestinë, të mos përcillet në Francë. Qeveria e Makronit kishte ndaluar më parë protestat pro-palestineze, duke thënë se ato mund të çonin në trazira publike.
Policia mbron sinagogat nga frika e sulmeve
Në Shtetet e Bashkuara, policia ka marrë masa për të mbrojtur komunitetet hebreje dhe myslimane përpara protestave pro-palestineze. Në Holandë, shkollat hebraike u mbyllën të premten, për arsye sigurie. Gjithashtu, dy shkolla hebraike në Londër u mbyllën, po për të njëjtën arsye.
Policia në Londër tha se mijëra oficerë po kryenin patrulla shtesë, në shkolla, sinagoga dhe xhami. Situata reflektoi një rritje të konsiderueshme të krimit të urrejtjes, veçanërisht antisemitizmit.
Mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në një marshim për Palestinën, të shtunën në kryeqytetin anglez. Zëvendës Ndihmës Komisioneri Laurence Taylor, tha se njerëzit kanë të drejtë të protestojnë, por shtoi se kushdo që ka një flamur të Hamasit, do të arrestohet.

Në Berlin, ku ndodhet një nga diasporat më të mëdha palestineze jashtë Lindjes së Mesme, policia refuzoi të autorizonte një demonstratë pro-palestineze, ndërkohë që masat e sigurisë për institucionet hebraike, si sinagogat, u shtuan. Disa lande të tjera gjermane vendosën një ndalim të plotë të demonstratave pro-palestineze.
Në Portugali, agjencitë e sigurisë thanë se po përforconin mbrojtjen rreth vendeve të shenjta hebraike, pasi gardhi i sinagogës në Porto u vandalizua me mbishkrime që shkruanin "Palestina e lirë" dhe "Fund Izraelit Aparteid".
Incidente në Nju Jork me protagonistë hebrenjtë dhe palestinezët
Në Nju Jork, janë mbajtur tubime pro Izraelit, por edhe pro Palestinës, duke qenë se në qytet jetojnë anëtarë të dy komuniteteve, të përfshira në konflikt. Në qytet kishte dhe incidente. Policia në Nju Jork po heton të paktën tre incidente që synojnë palestinezët dhe hebrenjtë në qytet në mes të tensioneve të rritura, rreth konfliktit të vazhdueshëm midis Izraelit dhe Hamasit.
Një seri sulmesh fizike dhe kërcënimesh u raportuan në të gjithë qytetin e Nju Jorkut mbrëmjen e së mërkurës. Në fillim të kësaj jave, kryebashkiaku Eric Adams tha se policia e Nju Jorkut ishte në gadishmëri të lartë për dhunën e mundshme të frymëzuar nga konflikti i fundit i Lindjes së Mesme.

Në lagjen jugore të Brooklynit, Bay Ridge, vendbanimi i shumë arabo-amerikanëve, një palestinez, 18 vjeç, u sulmua nga burra që tundnin flamujt izraelitë nga makinat, raportoi New York Daily News. Burrat bërtisnin mesazhe anti-palestineze përpara se të sulmonin viktimën me shkelma dhe grushte. Incidenti po hetohet si një krim i mundshëm i urrejtjes.
Diku tjetër në Brooklyn, stacioni televiziv lokal ABC7 raportoi se dy burra iu afruan dy personave që mbanin flamuj palestinezë, kapën një flamur dhe goditën një person mbi kokë.
Ndërkohë, në Gravesend – gjithashtu në Brooklyn – dy djem të mitur treguan se gjetën armë në sinagogën lokale B’Nai Yosef, e cila rezultoi false. Në një deklaratë të përbashkët, anëtari i këshillit të qytetit Justin Brannan dhe senatori i shtetit Andreu Gounardes dënuan krimet e raportuara të urrejtjes në Brooklyn jugor.
“Përshkallëzimi i dhunës në Izrael dhe Palestinë ka ndezur tensionet këtu në Nju Jork. Por ne nuk mund të lejojmë që këto konflikte të shkaktojnë dhunë ose retorikë urrejtjeje në rrugët e qytetit tonë. Askush nuk meriton të sulmohet për identitetin apo besimet e tij dhe ne nuk do ta mbështesim këtë në komunitetin tonë apo askund”, thanë ata.
Autoritetet në Nju Jork deklaruan se kanë marrë masa, që njerëzit të mund të vazhdojnë jetën e tyre qetësisht./Zëri.ai/
Vritet gazetari i Reuters në Liban

LIBAN- Gazetari i Reuters, Issam Abdallah është vrarë këtë të premte teksa ishte duke raportuar në Libanin jugor. Ai mbeti i vrarë teksa ishte duke raportuar live në kufirin Izrael-Liban.
“Ne jemi thellësisht të pikëlluar kur mësuam se videografi ynë, Issam Abdallah, është vrarë”, thuhet në deklaratën e Reuters.
Issam ishte pjesë e një ekipi të Reuters në Libanin jugor.
“Ne po kërkojmë urgjentisht më shumë informacion dhe jemi duke punuar me autoritetet në rajon”, tha Reuters./Zëri.ai
Blinken: SHBA po punon për krijimin e “zonave të sigurta” në Gaza

GAZA – Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka folur dhe njëherë për situatën e ndërlikuar në Gaza dhe për atë se çfarë mund të bëjë SHBA-të, për të përmiësuar gjendjen e enklavës.
Blinken gjatë një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed Bin Abdulrahman al-Thani, në Doha, deklaroi se ka biseduar me autoritetet izraelite dhe ka kërkuar që Izraeli të marrë çdo masë të mundshme, që të shmangë vdekjet e civilëve.
“SHBA-të kanë kërkuar nga Izraeli, që të merren masa, që të mos kemi viktima civile në Gaza. Ka shumë persona në enklavë dhe do ishte e patolerueshme, që të ndërrojnë jetë civilët”, tha Blinken.
Ai pranoi se ka biseduar me Izraelin, për të krijuar zona të sigurta në Gaza. Përpjekjet për të dërguar ndihma humanitare në Gaza janë të ndërlikuara, nga fakti se Hamasi akuzohet po vazhdon të përdorë civilët e pafajshëm si mburoja njerëzore.
Qeveria amerikane dhe Katari po punojnë për të siguruar lirimin e pengjeve që po mbahen në Gaza.
Blinken deklaroi se SHBA-të do të mbrojnë aleatin e tyre Izraelin. Ai ka bërë thirrje, që çdo vend në botë të dënojë sulmet e Hamasit. Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1300 persona. Tel Avivi u përgjigj, duke vrarë më shumë se 1700 njerëz./Zëri.ai/
Sulmet e Izraelit, MEPJ: Ka shqiptarë që duan të largohen nga Gaza

TIRANË - Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Ambasadave të Republikës së Shqipërisë në Izrael dhe Egjipt, deklaron se po vijon përpjekjet, për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë në vështirësi, për shkak të gjendjes së luftës në Izrael.
MEPJ, pas disa intervistave në media, përmes ambasadës në Egjipt, ka rënë në kontakt me disa shqiptarë, që duan të largohen nga Rripi i Gazës.
Ministria e Jashtme thotë se shqiptarët kanë thënë vetëm 48 orë më parë, se jetojnë në Gaza.
Pas kontaktit me shtetasit shqiptarë në Gaza, Ministria e Jashtme është në komunikim të vazhdueshëm, me përfaqësitë e saj në Egjipt dhe Izrael.
MEPJ deklaron se është në kontakt edhe me organizata ndërkombëtare, me qëllim që këta të fundit të ofrojnë ndihmë për lehtësim të nxjerrjes së shqiptarëve nga Rripi i Gazës.
Më 8 tetor, në Shqipëri mbërriti avioni i parë me shqiptarë, që u larguan nga Izraeli, për shkak të luftës atje.
Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë më shumë se 1300 persona. Izraeli u përgjigj, duke vrarë mbi 1700 njerëz. Tel Avivi po ndërmerr një operacion tokësor në Gaza. /Zëri.ai/
Rritet frika për luftime rajonale, Siria akuza të forta Izraelit

DAMASK - Media shtetërore siriane raporton se forcat izraelite kanë goditur me raketa dy aeroportet kryesore ndërkombëtare të vendit, duke i nxjerrë jashtë funksionit.
Media shtetërore tha se pistat ishin dëmtuar, si në aeroportin e Damaskut, ashtu edhe në Aleppo dhe fluturimet u detyruan që të devijohen në Latakia, një qytet në Sirinë veriperëndimore.
Izraeli nuk ka komentuar sulmin. Tel Avivi ka sulmuar më parë objektiva në Sirinë e shkatërruar nga lufta. Ministri i Jashtëm i Iranit po planifikonte të fluturonte për në Siri të premten.
Aeroportet e Damaskut dhe Aleppos të Sirisë, jo vetëm që trajtojnë aviacionin civil, por edhe bazat ushtarake, të cilat thuhet se janë pika tranziti për armët iraniane të dërguara për Hezbollahun, një grup militant, i cili është i fuqishëm, si në Siri ashtu edhe në Liban.
Një burim i paidentifikuar ushtarak, i cituar nga media shtetërore siriane, tha se sulmet të njëkohshme izraelite kishin dëmtuar shiritat e uljes në dy aeroporte, duke i nxjerrë ato jashtë shërbimit. Burimi e quajti këtë një përpjekje të dëshpëruar izraelite, për të larguar vëmendjen nga konflikti i Gazës.
Izraeli dyshon se Irani po mbështet Hamasin, që sundon Rripin e Gazës. Qeveria iraniane, armiqësore ndaj Izraelit, festoi sulmin e befasishëm të Hamasit të shtunën, në të cilin u vranë 1300 izraelitë. Irani ka dënuar bombardimin hakmarrës të Gazës nga Izraeli, i cili ka shkatërruar lagje të tëra. Zyrtarët palestinezë thonë se më shumë se 1 700 njerëz janë vrarë në bombardime.
Që nga sulmi i Hamasit, ka pasur disa shkëmbime zjarri ndërkufitare midis Izraelit dhe militantëve në Libanin jugor dhe Siri. Izraeli ka dërguar përforcime në veri për të penguar çdo sulm të Hezbollahut.
Irani, Hezbollahu dhe Rusia janë aleatët kryesorë të presidentit sirian Bashar al-Assad në betejën e tij të gjatë kundër grupeve opozitare dhe të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS). Ministria e Jashtme e Rusisë dënoi sulmin me raketa izraelite në Siri, duke thënë se jetët e njerëzve të pafajshëm dhe siguria e trafikut ajror ndërkombëtar u ekspozuan ndaj një kërcënimi real.
Moska tha se në kohën e përkeqësimit të mprehtë në konfliktin e Izraelit me palestinezët, veprime të tilla janë të mbushura me pasoja jashtëzakonisht të rrezikshme, pasi ato mund të provokojnë një përshkallëzim të armatosur në të gjithë rajonin.
Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1300 persona. Tel Avivi u përgjigj, duke vrarë më shumë se 1700 njerëz. /Zëri.ai/
Banorët e Gazës: Po jetojmë ferrin mbi tokë, askush s'na ndihmon

GAZA- Ashtu siç edhe OKB e kishte paralajmëruar, situata në Gaza është bërë kritike. Kjo, pasi palestinezët po largohen, pas sinjalizimit nga Izraeli, që të ikin për 24 orë, sepse Tel Avivi do të nisë një operacion tokësor.
Një banor i Gazës, i quajtur Farah Abo Sedo, duke folur për BBC, tha se jeta e komunitetit në këtë zonë është kthyer në një ferr në tokë. “Unë po shoh se njerëzit kanë marrë çantat dhe po ikin. Nuk e di se ku do ikin, sepse këtu pak hapësirë ka”, deklaroi banori.
“Është një vend i vogël, nuk e di nëse do të shpëtojmë. Ne po përpiqemi të mbijetojmë, nga një situatë kritike, që ka përfshirë enklavën. Askush nuk na mbron dhe nuk na jep ndihmë. Nuk ka mbrojtje nga askush në këtë vend. Ka gra shtatëzënë e fëmijë e sërish, e asnjë ndihmë”, tha Sedo.
Izraeli ka akuzuar prej kohësh Hamasin për përdorimin e civilëve si mbulesë për operacionet e tij ushtarake. Tel Avivi pretendon se kjo skemë e Hamasit, vë në rrezik civilët palestinezë, që ruajnë municionet objektet kryesore ushtarake në mes të qendrave të populluara, të mbushura me njerëz.
Hamasi sulmoi Izraelin më datë 7 tetor 2023, duke vrarë 1300 njerëz. Izraeli u përgjigj, teksa vrau 1800 persona./Zëri.ai/
Sulmi i Hamasit/ Flasin të mbijetuarit e 'ferrit'

GAZA- Shani Hadar është 35-vjeçarja, e cila arriti të shpëtonte nga sulmi i Hamasit në festivalin “Supernova” në shkretëtirën e Negevit. Ajo tregon se kur militantët e Hamasit hapën zjarr ajo mori një plumb në shpatull.
Pas kësaj ajo qëndroi për 10 orë pa lëvizur, derisa gjeti momentin të arratisej. Nga sulmi 260 persona humbën jetën, të tjerë u morën peng.
“U sulmova nga një terrorist kur u përpoqa të shpëtoja. Ata thjesht dolën në rrugë dhe ishin para dhe pas meje. Nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të vrapoja anash rrugës. Përdora rrobat si fasho. E kuptova se gjaku do të vazhdonte të rridhte dhe e dija që ndihma nuk do të vinte”, tregoi ajo.
Ndërkohë një grua që po kujdeset për të mbijetuarit e tjerë në një hotel që u ka ofruar strehim tregon se ata janë në gjendje të traumatizuar. Sipas saj disa janë hequr si të vdekur për t’i shpëtuar vdekjes.
“Ata janë në gjendje traumatike pasi po përjetojnë ferrin duke mos ditur asgjë. Ata nuk kanë fjetur dhe nuk kanë ngrënë. Disa u hoqën si të vdekur për të shpëtuar”, thotë një grua./Zëri.ai
Hezbollahu: Jemi të gatshëm të luftojmë!

LIBAN - Zëvendës shefi i Hezbollahut, Naim Qassem tha të premten se Hezbollahu nuk do të ndikohet nga asnjë thirrje e nuk do qëndrojë në periferi të konflikteve, por është gati që të luftojë.
"Thirrjet nga fuqitë e mëdha, vendet arabe, të dërguarit e Kombeve të Bashkuara, duke na thënë drejtpërdrejt dhe indirekt të mos ndërhyjmë në situatën në Izrael e Palestinë, nuk do të kenë asnjë efekt", u tha ai mbështetësve të mbledhur në periferinë jugore të Bejrutit, në një tubim.
"Hezbollahu i njeh detyrat e tij në mënyrë të përkryer. Ne jemi të përgatitur dhe të gatshëm, plotësisht gati", tha Qassem.
Grupi tashmë është përplasur me Izraelin përtej kufirit libanez disa herë gjatë javës së kaluar, në konfrontimet më vdekjeprurëse, që kur ata nisën një luftë njëmujore në 2006.
Sulmet dhe granatimet me raketa ndërkufitare pasuan sulmin e grupit palestinez Hamas kundër qyteteve izraelite dhe bombardimet hakmarrëse të Izraelit në Rripin e Gazës./Zëri.ai/
Bagdati në 'këmbë', mijëra irakianë marshojnë në mbështetje të Palestinës

IRAK- Mijëra irakianë kanë marshuar këtë të premte në rrugët e kryqytetit të vendit Bagdad, në mbështetje të Palestinës në luftën e saj me Izraelin. Kjo ishte protesta më e madhe në dekadat e fundit.
Gjatë protestës, disa persona dogjën flamujt e Izraelit. Udhëheqësi i vendit Muqtada Al-Sadr u bëri thirrje irakianëve të protestojnë kundër “terrorizmit ndërkombëtar” dhe atij që ai e quan “pushtim amerikan”.
Po ashtu gjithë protesta u shoqerua me thirrje kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës./Zëri.ai
Cilat janë ndodhitë e fundit në luftën Izrael-Palestinë?

GAZA – Situata në Gaza dhe në Izrael vijon që të jetë e trazuar. Një sërë zhvillimesh kanë ndodhur së fundmi. Njerëzit po largohen nga Gaza, pasi Izraeli tha se civilët duhet të largohen, pasi do të ndërhyjë ushtarakisht në zonë.
Hamasi nga ana tjetër vazhdon të hedhë raketa në drejtim të shtetit izraelit. Në mbarë botën, qytetarët po solidarizohen me Izraelin, pas masakrës së Hamasit. Ndërsa, nuk kanë munguar vizitat në Izrael, apo vende fqinje, të zyrtarëve të lartë perëndimorë.
Eksod masiv në zonën e Gazës: Njerëzit po ikin në jug të Rripit të Gazës, pasi Izraeli u tha atyre që të evakuoheshin brenda 24 orëve, për sigurinë e tyre. OKB-ja dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë kritikuar Izraelin për këtë operacion, duke thënë se në enklavë mund të shpërthejë krizë humanitare.

Ushtria izraelite tha se e kuptonte se evakuimi do të zgjaste më shumë se afati që kishte vendosur. Ndërkohë, Hamasi u bëri thirrje njerëzve që të injorojnë paralajmërimin e Tev Avivit.
Raketa të lëshuara drejt Izraelit: Hamasi vazhdon të lëshojë raketa nga Gaza drejt Izraelit jugor. Një ekip i BBC-së në terren pa një raketë, që synonte qytetin e Ashkelonit. Krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat al-Qassam, pretendojnë se kanë gjuajtur 150 raketa me breshëri këtë mengjes.

Protesta pro-palestineze: Mijëra demonstrues janë mbledhur tashmë në Irak, Jordani dhe Indonezi, dhe protesta priten gjithashtu në xhaminë al-Aksa. Kjo vjen pas thirrjeve nga figura të larta të Hamasit dhe Hezbollahut për të mbajtur mitingje.
Mbështetje për Izraelin: Njerëzit në mbarë botën po mbajnë parakalime dhe mitingje në mbështetje të Izraelit, pas vrasjeve masive nga Hamasi në fundjavë. Izraeli po vazhdon të mbajë zi për më shumë se 1300 viktima.

Zyrtarë të lartë vizitë në rajon: Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka takuar Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas në Jordani. Më parë ai vizitoi Izraelin, ku premtoi mbështetjen e palëkundur ndaj shtetit.
Por Blinken, i tha gjithashtu kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se duhet të veprojë sipas rregullave të luftës në përgjigjen ndaj sulmeve të Hamasit. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Lloyd Austin është tani në Izrael për bisedime dhe zyrtarët e BE-së po vizitojnë shtetin izraelit, gjithashtu.
Hamasi sulmoi befasisht Izraelin, duke vrarë më shumë se 1300 persona. Tel Avivi u përgjigj, duke ekzekutuar më shumë se 1350 njerëz./Zëri.ai/
Diplomati izraelit goditet me thikë në mes të rrugës në Pekin

Momente paniku u përjetuan në mes të një rruge në Pekin kur një burrë i paidentifikuar sulmoi dhe goditi me thikë një diplomat izraelit në pamje të parë.
Në video shihet se autori përleshet me viktimën dhe e hedh në trotuar, para se ta godasë me thikë, para syve të habitur të kalimtarëve. Viktima më pas ngrihet dhe largohet nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që edhe autori ecën duke çaluar.
Shikoni videon tronditëse
Big Breaking????
— QuickUpdate (@BigBreakingWire) October 13, 2023
Video of an Israeli embassy diplomat being attacked on the streets of Beijing. Graphic violence, be cautious when viewing. From the video, it appears that the assailant is not Chinese but also does not have the typical appearance of an Arab person.#China #Israel https://t.co/7h8m0R3tls pic.twitter.com/Y0qEGCMaby
Punonjësi i ambasadës izraelite në Pekin u dërgua në spital pas sulmit.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Jashtme e Izraelit, burri është shtruar në spital në gjendje të qëndrueshme, ndërsa po hetohet për motivin e sulmit, i cili nuk ndodhi në ambasadë.
Kujtojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Izraelit lëshuan një paralajmërim dje të enjten për të gjithë izraelitët dhe hebrenjtë që jetojnë jashtë vendit që të jenë veçanërisht të kujdesshëm ditën e premte, për shkak të thirrjes së dërguar nga Hamasi drejtuar mbështetësve të saj në mbarë botën për të marrë pjesë në të ashtuquajturën "Dita e tërbimit".
Protestat pro-palestineze që do të mbahen në vende të ndryshme mund të rezultojnë në incidente të dhunshme që synojnë izraelitët dhe hebrenjtë, thuhet në paralajmërim. Zëri.ai
Puthja e ‘fundit’ e dy të mbijetuarve në festivalin e tmerrit në Izrael

IZRAEL- Disa ditë pas sulmit të Hamasit në Festivalin Nova në Izrael, një e mbijetur, Amit Bar, postoi në Instagram një foto të një puthjeje me të dashurin e saj Nir De Jorno – i cili gjithashtu i shpëtoi masakrës. Fotoja ishte realizuar gjatë momenteve të tmerrit.
Një puthje që kishte shijen e lamtumirës, mes tyre dhe njerëzve të tyre të dashur. “Befas vendosi të bënte selfie, gati u inatosa, nuk e kuptova se çfarë ishte urgjenca, por thashë me vete: të paktën, nëse vdesim, familja jonë do ta shohë që ne e kemi dashur njëri-tjetrin deri në fund”, ka shkruar e reja duke iu kthyer djalit.
Në postim, Bari ka përshkruar momentet që ka përjetuar më 7 tetor dhe ka shpjeguar historinë e imazhit. "Është ende e vështirë për mua të përmbledh atë që kemi kaluar atje, sepse miku jonë Ziv nuk është ende mes nesh”.
“Gjithçka filloi me raketat, ishte stresuese, por arrita të marr guxim duke menduar se nuk do të binin mbi ne, ndoshta gjithçka do të ishte mirë”, vazhdoi e reja. Më pas, çifti dhe shoku i tyre Ziv morën makinën për të tentuar të arratiseshin, por mbetën të bllokuar.
"Të gjithë donin të iknin. Kështu, ne u shtrimë dhe pritëm që situata të qetësohej, por më pas njerëzit filluan të vrapojnë dhe të bërtasin se kishte terroristë. Pastaj edhe ne ikëm. Ne dëgjuam plumbat që fishkëllenin pranë nesh, njerëzit po binin, terroristët na ndiqnin me motoçikleta për të na vrarë”, shtoi vajza, duke rrëfyer momentet e tmerrit.
Me çanta në duar, palestinezët po largohen nga Gaza

GAZA – Pas urdhrit të dhënë nga Izraeli, që banorët e Gazës, të lënë vendin, pasi do nisë një operacion tokësor, ka nisur eksodi masiv i palestinezëve nga enklava.
Në disa foto të postuara në rrjetet sociale, palestinezët kanë nisur që të largohen masivisht nga Gaza.



Siç shikohet edhe në foto, palestinezët kanë nisur të largohen, duke marrë çdo gjë që munden, çanta, ushqim, ujë, por edhe krevatë të imporvizuar, për të fjetur.
Disa prej tyre po zgjedhin që të ikin me makina. Pamjet po bëjnë xhiron e mediave botërore. Izraeli thotë se ka hedhur 6 000 bomba në Gaza, me peshë 4 000 tonë secila, në gjashtë ditë, duke goditur më shumë se 3 600 objektiva të Hamasit.




Hamasi mori përgjegjësinë për lëshimin e të paktën 150 raketave në qytetin e Ashkelonit.


Ndërkohë, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, teksa vizitoi Izraelin, tha se Hamasi është si ISIS dhe si nazistët. “Hamasi është si ISIS, si SS, si Gestapo, bëjnë të njëjtat gjëra, janë terroristë”, tha ai.
Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1300 persona. Izraeli u përgjigj, duke vrarë më tepër se 1350 palestinezë./Zëri.ai/
Blinken takohet me presidentin e Palestinës: Hamasi nuk përfaqëson palestinezët

JORDANI - Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka takuar presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas, në Jordani.
Abbas, i cili është aktualisht në Bregun Perëndimor, është një rival politik i Hamasit, që sundon Rripin e Gazës.
Blinken do takohet gjithashtu me Mbretin e Jordanisë Abdullah, në Aman. Dje ai ishte në Izrael për bisedime me kryeministrin Benjamin Netanyhau, ku pa foto të tmerrshme të fëmijëve të vdekur, të vrarë nga Hamasi.
Kauza e Palestinës ka njohur mbështetje në vendet me popullsi dërrmuese myslimane. Mijëra irakianë janë mbledhur në Bagdad, në mbështetje të palestinezëve në Gaza.
“Ky tubim synon të dënojë atë që po ndodh në Palestinën e pushtuar, gjakderdhjen dhe shkeljen e të drejtave të njeriut”, tha Abu Kayan, një nga organizatorët për agjencinë e lajmeve AFP.
Ky është vetëm një nga disa tubime të planifikuara për sot në të gjithë Lindjen e Mesme, pasi figura të larta të Hamasit dhe Hezbollahut, bënë thirrje që njerëzit të protestojnë pas lutjeve të së premtes.
Ish-udhëheqësi i Hamasit, Khaled Meshaal, u bëri thirrje dje njerëzve që të shkonin në sheshe dhe hapësira të hapura në të gjithë botën arabe dhe islame, për të mbështetur kauzën palestineze.
Sot priten disa tubime si në Liban, Tunizi dhe Jordani. Forcat e sigurisë po përgatiten gjithashtu për trazira të mundshme në xhaminë al-Aksa në Jerusalemin Lindor./Zëri.ai/
Hamas: Sulmet izraelite iu morën jetën 13 pengjeve

GAZA- Trembëdhjetë pengje të mbajtura nga Hamasi janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, ka pretenduar njësia e konsideruar nga perëndimi si grup terrorist.
Izraeli më parë tha se rreth 150 njerëz mbaheshin peng nga militantët e Hamasit, dhe shumë prej tyre ishin fshehur në tunele të nëndheshme.
Në mesin e pengjeve ka të ngjarë të jenë shtetas amerikanë dhe britanikë. Hamasi ka kërcënuar se do të vrasë pengjet nëse shtëpitë e civilëve bombardohen nga Izraeli pa paralajmërim.
Izraeli ka bombarduar vazhdimisht Rripin e Gazës në përgjigje të sulmeve të Hamasit, duke thënë se ka në shënjestër militantët e Hamasit dhe jo civilët.
Në një deklaratë të lëshuar orët e fundit, Izraeli i kërkoi popullsisë civile që të largoheshin nga Gaza, pasi bombardimet nuk do të ndaleshin.
Urdhri vjen pasi Izraeli pritet të nisë një ofensivë tokësore në Gaza me mijëra trupa të grumbulluara në kufi.
OKB-ja ka apeluar fuqishëm që urdhri të anulohet, duke thënë se një evakuim mund të çojë në një "situatë katastrofike" dhe do të kishte "pasoja shkatërruese humanitare"./Zëri.ai
Izraeli ju bën thirrje 1.1 mln civilëvve që të largohen nga Gaza, OKB reagon ashpër

GAZA- Ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të Gazës të largohen për “sigurinë e tyre dhe për t’u mbrojtur”.
BBC njoftoi se orët e fundit, ushtria izraelite u ka thënë drejtpërdrejt civilëve të qytetit të Gazës që të evakuohen në jug të vendit.
"Ju do të jeni në gjendje të ktheheni në qytetin e Gazës vetëm kur të bëhet një njoftim tjetër që e lejon", thanë zyrtarët në deklaratën drejtuar qytetit, i cili është zona kryesore urbane e Rripit të Gazës.
IDF tha se militantët e Hamasit janë fshehur brenda tuneleve nën qytet dhe brenda ndërtesave të populluara me civilë. Ai u bëri thirrje civilëve që të evakuohen nga qyteti "për sigurinë e tyre dhe sigurinë e familjeve tuaja dhe të distancoheni nga terroristët e Hamasit që po ju përdorin si mburoja njerëzore".
"Në ditët në vijim, IDF do të vazhdojë të operojë në mënyrë të konsiderueshme në qytetin e Gazës dhe të bëjë përpjekje të gjera për të shmangur dëmtimin e civilëve," thoshte urdhri.
Urdhri vjen pasi Izraeli pritet të nisë një ofensivë tokësore në Gaza me mijëra trupa të grumbulluara në kufi.
OKB-ja ka apeluar fuqishëm që urdhri të anulohet, duke thënë se një evakuim mund të çojë në një "situatë katastrofike" dhe do të kishte "pasoja shkatërruese humanitare".