Shqipëria fantastike, nis marshimin drejt Gjermanisë

TIRANË- Shqipëria është më pranë se kurrë kualifikimit në Europianin e Gjermanisë, më 2024. Ekipi ynë kombëtar fitoi thellë 3:0 ndaj Çekisë, duke qenë kryesuese e Grupit E.
Tashmë ekipit tonë i duhen vetëm dy pikë ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, që të sigurojë matematikisht një vend në Europian.
Kombëtarja ka zhvilluar një nga ndeshjet më të bukura të saj, teksa nuk lejoi kundërshtarin për asnjë moment, që të jetë i rrezikshëm.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1:0 për Shqipërinë, ndërsa Çekia mbeti dhe me 10 lojtarë në të 40-tën minutë.

Pjesa e dytë foli tërësisht për kuqezinjtë, që realizuan dhe tre gola, një prej të cilëve ishte pozicion jashtë loje. Dy golat e rregullt u realizuan nga Seferi.
Shqipëria kryeson grupin me 13 pikë, Polonia ndjek me 9 pikë, më pas vjen Çekia me 8 pikë, Moldavia 8 dhe Ishujt Faroe mbyll renditjen me 1 pikë./Zëri.ai/
Shqipëria shënoi të 4-tin, por VAR-i i mohon golin Mujës

TIRANË – Arbnor Muja shënoi dhe golin e katërt për Shqipërinë, mirëpo VAR-i e konsideroi pozicion jashtë loje, këtë gol.
Kuqezinjtë janë në avantazh me rezultatin e thellë 3:0, me gola të shënuar nga Asani dhe Seferi (2).
Shqipëria është më afër se kurrë ëndrrës për të qenë pjesë e Europianit të vitit 2024-trës.
Ekipi ynë përfaqësues është në vend të parë në grup me 13 pikë./Zëri.ai/
Shkurte Fejza ngre në këmbë 'Air Albania-n'! Tifozët këndojnë në kor këngën 'Mora fjalë'

TIRANË- Këngëtarja e mirënjohur Shkurte Fejza ka elektrizuar mbrëmjen e kësaj të enjteje stadiumin "Air Albania" ku ka performuar këngën ikonë, "Mora Fjalë". E ftuar speciale në ndeshjen Shqipëri-Çeki, Fejza ka zbritur në mes të fushës dhe ka performuar këngën, e cila u këndua në kor nga gjithë tifozët.
Siç mund të shihet në video të gjithë në kor kanë shoqëruar Shkurte Fejzën. Ndërkohë Shqipëria është në kryesim të pandalshëm ndaj Çekisë me rezultatin 3 me 0. Taulant Seferi shënoi 2 gola ndërsa Jasar Asani shënoi një gol në minutat e para të ndeshjes./Zëri.ai
Seferi ‘bombardon’ sërish portën çeke

TIRANË – Shqipëria tashmë nuk e diskuton 3 pikëshin përballë Çekisë.
Ekipi ynë përfaqësues ka zhvilluar një tjetër sulm model, teksa topi gjeti rrjetën e kundërshtarëve për here të tretë.
Taulant Seferi ishte sërish aty, pranë portës dhe shënoi me një qetësi të madhe.
Në rast fitoreje, Shqipëria shkon në kuotën e 13 pikëve dhe gjendet në vend të parë në grup.
Shanset për kualifikim në Europianin e 2024-trës për Shqipërinë janë të mëdha./Zëri.ai/
Shqipëria e pandalshme, Seferi ndëshkon sërish Çekinë

TIRANË – Shqipëria është e pandalshme. Kombëtarja shqiptare ka shënuar sërish me Taulant Seferin.
Goli i Seferit ka ardhur pas një aksioni model të përfaqësueses sonë. Asllani, Hysaj dhe Asani pasuan me njëri-tjetrin dhe në fund, realizoi pikërisht Seferi.
Goli i Seferit dhe Asanit bëjnë që Shqipëria të jetë në pozita shumë të mira në grupin E.
Kombëtarja jonë tashmë është shkëputur si e para e grupit me 13 pikë të grumbulluara.
Ekipi ynë kombëtar është shumë pranë kualifikimit për në Europian, për herë të dytë në Europian./Zëri.ai/
Në kate të ndara, Ramën dhe Kurtin s'i bashkon as Kombëtarja

TIRANË- Kryeministrin Edi Rama dhe homologun e tij të Kosovës Albin Kurti me sa duket nuk i bashkon dot as futbolli. Të dy po ndjekin ndeshjen Shqipëri-Çeki në stadiumin ‘’Air Albania’’ por në kate të ndryshme dhe pa asnjë komunikim me njëri-tjetrin.
Siç shihet në foto kryeministri Edi Rama ndodhet në stadium me bashkëshorten Linda dhe djalin Zaho. Po ashtu krah tij ndodhet dhe Presidenti Bajram Begaj dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Dukaj. Ndërsa Kurti po shijon ndeshjen nën shoqërinë e djalit të Adem Jasharit, Lulzim Jashari.
Megjithatë, Kurti nuk është lënë vetëm pasi krah tij ishte zv.kryeministrja Belinda Balluku.
Në seancën e sotme plenare kryeministri Edi Rama kritikoi sërish Kurtin sa i përket qëndrimit të tij për situatën në Veri të Kosovës dhe u shpreh se sjellja e tij e largon Kosovën nga aleatët ndërkombëtarë./Zëri.ai
Shqipëria në avantazh dhe superioritet numerik, Mojmir Chytil del me karton të kuq

TIRANË- Pas thuajse 40 mintutash lojë, Shqipëria është në avantazh 1-0 kundër Çekisë. Për më tepër që kuqezinjtë janë në superioritet numerik, pasi Chutil u ndëshkua me karton të kuq. Në minutën e ’37 skuadra çeke kërcënoi portën e kombëtares shqiptare në “Air Albania”.
Futbollisti çek Mojmir Chytil tentoi të shënonte në portën e Shëqipërisë, por për shkak të shpejtësisë nuk arriti të godiste topin më këmbë, por zgjati dorë duke e futur topin në rrjet. Po arbitri u tregua i vëmendshëm dhe e ndëshkoi me karton të verdhë, por për shkak se kishte një karton të verdhë edhe më parë Chytil ka marrë karton të kuq duke e lënë skuadrën e Çekisë me 10 lojtarë./Zëri.ai
'Hajduti Lupin' me plis në kokë në 'Air Albania'

TIRANË- Mijëra tifozë Kuq e Zi janë mbledhur në stadiumin "Air Albania" për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Çeki ku nuk kanë munguar dhe banderolat "pikante" nga tifozët.
Siç shihet dhe në foto një banderolë ku shfaqet ''hajduti Lupin'', një nga personazhet e njohur si hajdut i sendeve me vlerë. Ai mban plis në kokë.

"Shiko kush është kthyer", shkruhet në banderolë.
Ndërkohë në një tjetër:
“Euro 2024”! Krenarë për atë që dhurojnë djemtë në fushë, por më shumë krenarë për tifozët në tribuna"./Zëri.ai
Asani ndëshkon Çekinë me “predhë”, feston me qeleshe
TIRANË - Jasir Asani është i jashtëzakonshëm! Është sërish ylli i Kombëtares, që befason dhe ka shënuar një super gol.
Asani gjuajti nga një distancë e konsiderueshme, duke gjetur cepin e portës.
pic.twitter.com/VAHEyuYGW1
— QJT (@QJTXSJT) October 12, 2023
GOAL! Albania 1-0 Czech Republic (9 Jasir Asani)
Lojtari i Përfaqësueses ka festuar, duke vendosur qeleshe në kokë.
Kështu, Shqipëria është në avantazh ndaj Çekisë.
Në rast fitoreje ndaj çekëve, Shqipëria është shumë pranë kualifikimit./Zëri.ai/
Nis ndeshja Shqipëri – Çeki

TIRANË – Ka nisur ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Çekisë, e vlefshme për Grupin E, për kualifikueset e Europianit 2024.
Stadiumi Air Albania është mbushur plot me shqiptarë, që kanë ardhur të ndjekin sfidën nga të gjitha trevat shqipfolëse.
Shqipëria është në vend të parë në grup me 10 pikë. Një fitore ndaj Çekisë do na afronte me kualifikimin.
Mbi 1700 efektivë të policisë po kujdesen për mbarëvajtjen e ndeshjes.
Formacionet
Shqipëria: Berisha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Bajrami, Asllani, Ramadani; Asani, Seferi, Cikalleshi
Trajner: Sylvinho
Çeki: Pavlenka; Krejci, Brabec, Holes; Jurasek, Sadilek, Soucek, Coufal; Kuchta, Chytil, Cerny
Trajner: Jaroslav Silhavy./Zëri.ai/
Policia ‘blindon’ stadiumin, nis grumbullimi i tifozëve
TIRANË – Tashmë gjithçka është gati për ndeshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Çekisë, që do të luhet në Air Albania, në orën 20:45 minuta.
Zëri.ai sjell ekskluzivisht pamjet e Policisë, e cila është vendosur përreth stadiumit, për të garantuar zhvillimin e qetë të sfidës së sotme.
Policia dhe më herët njoftoi për marrjen e masave, teksa disa rrugë në Tiranë u bllokuan dhe u sekuestruan gjithashtu edhe mjete piroteknike.
Ndeshja Shqipëri-Çeki është e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024 dhe është mjaft e rëndësishme për të përcaktuar udhëtimin e Kombëtares sonë në Europian./Zëri.ai/
2 orë nga ndeshja! Tifozët presin radhën për t'u futur në stadium

TIRANË- Ndeshja mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke do të nisë në orën 20.45, por tifozët kanë nisur që të futen në stadium. "Zëri.ai" ka siguruar pamjet nga momenti që tifozët, në radhë, kontrollojnë biletën për t'u futur në stadium. Ajo që bie në sy është veshja e tyre, e gjitha e kuqe dhe një plis mbi krye. Po ashtu, brenda do të kenë edhe qeleshe të tjera, që u janë lënë në ulëset përkatëse nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Tirana dhe të gjithë shqiptarët bëhen gati për të përjetuar sot një prej ndeshjeve me emocionuese të Kombëtares, përballë Çekisë, ku në rast fitoreje, shanset për një biletë në Euro 2024 që mbahet në Gjermani janë vërtetë të larta./Zëri.ai
Formacioni zytar i Shqipërisë kundër Çekisë

TIRANË- Shqipëria ka publikuar formacionin zyrtar që do të rreshtohet në fushë kundër Çekisë në sfidën e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024. Trajneri Silvinjo do ta rreshtojë skuadrën me skemën 4-2-3-1.
Ndryshimi i vetëm nga takimi i luajtur në Pragë do të jetë aktivizimi i Ajetit në vend të Ismajlit. Në portë do ta nisë Berisha, ndërsa në prapavijë nga e majta në të djathtë do të luajnë: Mitaj; Gjimshiti; Ajeti; Hysaj.
Tekniku 49-vjeçar ka zgjedhur qendërmbrojtësin e Kluzhit për të zëvendësuar Ardjan Ismajlin e dëmtuar. 30-vjeçari ka luajtur rregulisht në Rumani, ndërsa në 11 takime në kampionat ka shënuar edhe 1 gol, e ka marrë vetëm 1 karton të verdhë.
Në mesfushë do të jenë muskujt dhe energjia e Ramadanit si edhe fatnazia e Asllanit.
Më të avancuar, nga e majta Seferi, në qendër Bajrami, i cili i ndëshkoi çekët në Pragë, si edhe Asani. Në qendër do të luajë Cikalleshi./Zëri.ai
Himni i dytë i shqiptarëve! ‘Mora fjalë’ sonte nga Shkurte Fejza në ‘Air Albania’

TIRANË- Ndeshja që mezi po e presin tifozat kuq e zi do të hapet me këngën legjendare: Mora fjalë! Artistja e njohur shqiptare, Shkurte Fejza do ngrejë ‘peshë’ sonte tifozat kuqezi me performacën e saj live në stadiumin ‘Air Albania’.
Kjo është një befasi e madhe për të gjithë ata që arritën të siguronin bileta për këtë lojë vendimtare të Kombëtares Shqiptare kundër Çekisë, por edhe shikuesit nga ekrani, të cilët do dëgjojnë ‘himnin’ e preferuar. Me siguri, kjo performancë do memorizohet nga tifozët përmes telefonave të tyre, e më pas pamjet do bëhen virale në rrjetet sociale.
‘Mora fjalë’, kënga legjendare për heroin e Kosovës, Adem Jasharin, është nga ata këngë e ata vargje që nuk do ta shijojnë kurrë vdekjen pasi do të jetojnë gjithmonë në frymën e çdo shqiptari. Naim Gjoshi i dha jetë këtyre vargjeve ndërsa Shkurte Fejza e bëri ‘himn’ anembanë diasporës me zërin e saj ikonik.
Kujtojmë që ndeshja Shqipëri-Çeki luhet mbrëmjen e sotme në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”./Zëri.ai
Albin Kurti po vjen në Tiranë! Do shohë ndeshjen bashkë me djalin e Adem Jasharit

TIRANË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po vjen në Tiranë. Por jo vetëm, bashkë me të është edhe djali i komandantit legjendar të Kosovës, Adem Jashari. Vetë Kurti ka postuar edhe një foto të tijën në makinë, bashkë me Lulzim Jasharin.
"Bashkë me Lulzim Jasharin rrugës për Tiranë në përkrahje të Shqipërisë. Forca djema. Evropiani po na pret,"-shkruan Kurti në postimin e tij.
Tirana dhe të gjithë shqiptarët bëhen gati për të përjetuar sot një prej ndeshjeve me emocionuese të Kombëtares, përballë Çekisë, ku në rast fitoreje, shanset për një biletë në Euro 2024 që mbahet në Gjermani janë vërtetë të larta./Zëri.ai
“Fytyra shqiponjë” e Kombëtares merr nënshtetësinë shqiptare

TIRANË- Besmir Limani njihet si “Fytyra shqiponjë” e Kombëtares Kuq e Zi. Ndaj dhe me artin që ai bën për çdo ndeshje të kombëtares, konsiderohet si një nga tifozët më të zjarrtë. Por sot, është ai që ka marrë një dhuratë, në prag të ndeshjes Shqipëri-Çeki. Bëhet fjalë për nënshtetësinë shqiptare.
“Në Gjermani Euro 2024, unë Besmir Limani “Fytyra me shqiponjë” udhëtoj me dokumenta kuq e zi!,”- shkruan ai në faqen e tij në Facebook.
Besmir Limani është me origjinë nga fshati Tatesh i Strugës, por prej vitesh jeton në ëinthertur të Zvicrës. Por edhe pse larg, e ka ndjekur kombëtaren shqiptare në çdo hap./Zëri.ai
Silvinjo pritet të sjellë vetëm një risi në formacionin 'anti-Çeki'

TIRANË- Trajneri Silvinjo pritet që të bëjë vetëm një ndryshim në formacionin që Shqipëria do të ketë kundër Çekisë, krahasuar me 11-shen që u aktivizua në Pragë. Në konferencën për shtyp, braziliani tha se psikologjiksht ekipi është mirë dhe se nuk ndikohet nga euforia. Ai mendon se diferencën do ta bëjë shpirti dhe zemra në fushë.
Silvinjo pritet që ta rreshtojë skuadrën me skemën 4-2-3-1.
Në portë shansin më të madh për ta nisur e ka Berisha, ndërsa në prapavijë nga e majta në të djathtë do të luajnë: Mitaj; Gjimshiti; Ajeti; Hysaj. Tekniku 49-vjeçar ka zgjedhur qendërmbrojtësin e Kluzhit për të zëvendësuar Ardjan Ismajlin e dëmtuar. 30-vjeçari ka luajtur rregulisht në Rumani, ndërsa ka shënuar 1 gol në 11 takime, e është ndëshkuar vetëm 1 herë me karton të verdhë. Në mesfushë do të jenë muskujt dhe energjia e Ramadanit si edhe teknika e Asllanit.
Më të avancuar, nga e majta Seferi, në qendër Bajrami, i cili i ndëshkoi çekët në Pragë, si edhe Asani. Në qendër të sulmit pritet që të aktivizohet Cikalleshi. Sulmuesi ka realizuar 3 gola e 1 asit në 6 ndeshje në Superligën turke te Koniaspori./Zëri.ai
Shqipëri-Çeki/ Me plisa dhe flamuj, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nisen drejt Tiranës

QAFË THANË- Qindra shqiptarë nga Maqedonia e Veriut janë nisur drejt Tiranës për të ndjekur ndeshjen e Kombëtares Shqiptare kundër Çekisë. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin "Air Albania" dhe do të nisë në orën 20:45. Ardhja e tyre ka shkaktuar fluks në Pikën KLufitare të Qafë Thanës.
Disa prej tyre shprehen se për të parë ndeshjen kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa shprehen se i kanë siguruar biletat në minutën e fundit.
Ata shihen me plisa në kokë ndërsa flamuri shqiptar valvitet thuajse në çdo makinë. Po ashtu nuk mungojnë simbolet kombëtare në veshjen e tyre./Zëri.ai
Tentuan të fusin flakadanë në stadium gjatë ndeshjes, 12 të shoqëruar

MORINË - Policia bën me dije se në pikën kufitare të Morinës, ka sekuestruar lëndë piroteknike, por edhe mjete prerëse, që dyshohet se do futeshin në stadium, gjatë zhvillimit të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Çekisë.
Efektivët shprehen se janë shoqëruar 12 persona, të cilët dyshohet se posedonin mjetet e paligjshme. Sipas policisë, personat e shoqëruar lëviznin në mënyrë të organizuar, ndërsa janë sekuestruar gjithashtu edhe dy makina të këtij grupi.
Në operacionin policor, janë sekuestruar 43 kapsolla, 12 tymuese, 9 flakadanë dhe dy thika. Ndaj të shoqëruarve do të kryhen hetime dhe veprime proceduriale. Ndeshja mes Shqipërisë dhe Çekisë, e vlefshme për kualifikueset e Europianit 2024, do të luhet sonte në orën 20:45 minuta.
Njoftimi i policisë:
PKK Morinë/Kontrolle të shtuara ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, në kuadër të planit të masave të Policisë, për garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësise publike, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit Shqipëri - Çeki.
Tentuan të futnin në vendin tonë, lëndë piroteknike dhe mjete prerëse, me qëllim përdorimin gjatë ndeshjes Shqipëri - Çeki, shoqërohen në ambientet e Policisë, 12 shtetas që lëviznin në mënyrë të organizuar me 2 automjete.
Sekuestrohen 43 kapsolla, 12 tymuese, 9 flakadanë dhe 2 mjete prerëse (thika).
Në kuadër të intensifikimit të punës në hyrje të vendit, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të kundërligjshme që mund të përdoren gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri - Çeki, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e sotme, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, kanë kaluar në vijë të dytë, për kontrolle të imtësishme, automjetin tip "Volkswagen", me drejtues shtetasin E. A., 22 vjeç, banues në Preshevë, dhe automjetin tip "BMW", me drejtues shtetasin F. Ç., 30 vjeç, banues në Kosovë.
Gjatë kontrolleve në këto automjete, ku ishin dhe 10 pasagjerë në total, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 43 kapsolla, 12 tymuese, 9 flakadanë dhe 2 mjete prerëse (thika), të cilat dyshohet se do të përdoreshin në stadium, gjatë ndeshjes së futbollit që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme.
12 shtetasit u shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, me qëllim kryerjen e hetimeve dhe veprimeve procedurale të mëtejshme për posedimin e kundërligjshëm të këtyre sendeve.
Kontrollet e imtësishme vijojnë./Zëri.ai/
Gjithçka gati! Me sytë nga Kombëtarja për ëndrrën europiane, plani i masave nga policia

TIRANË- Tirana dhe të gjithë shqiptarët bëhen gati për të përjetuar sot një prej ndeshjeve me emocionuese të Kombëtares, përballë Çekisë, ku në rast fitoreje, shanset për një biletë në Euro 2024 që mbahet në Gjermani janë vërtetë të larta. Përpos ndeshjes që në aspektin sportiv fjalën e ka Sylvinho, edhe jashtë stadiumit Ait Albania ka një sërë përgatitjesh që situata të jetë e qetë dhe të shmanget çdo incident i mundshëm nga tifozët. Mijëra punonjës policie do të jenë në rrugët e Tiranës për të menaxhuar trafikun, por edhe numrin e madh të tifozëve që kanë ardhur dhe nga shtete të ndryshme të BE-së.
Në kuadër të përgatitjes së ndeshjes nga pikëpamja e menaxhimit ka pasur një takim mes ministrit të brendshëm Taulant Balla dhe kreut të FSHF-së Armando Duka. Ky i fundit tha se shpresonte që ndeshja e sotme të ishte një festë, jo vetëm sa i takon rezultatit por edhe sjelljes së tifozëve. Nga ana tjetër Balla tha se do të ketë zero tolerancë ndaj tifozëve që tentojnë të fusin në stadium mjete shpërthyese.
“Janë disa problematika që duhet t’i ndajmë me publikun, duke nisur nga kontrolli i biletave që do të bëhet pa hyrë në stadium, kur bëhet kontrolli fizik edhe kontrolli me pajisje e cila verifikon vlefshmërinë e biletës. Policia ka marrë masat për të luftuar falsifikimin e biletave dhe kushdo që do tentojë do të ndiqet nga policia dhe prokuroria.
Nisur nga ndeshja me Poloninë, Federata ka marrë vendime për të penguar disa persona të hyjnë në stadium, identitetet e tyre janë publike. Këto shembuj do të ndiqen dhe për ndeshjet e tjera sportive në vend. Nga FSHF na duhet që për personat që ka vendim gjykate, të përjashtohen nga eventet sportive. Dua të jem i qartë me sportdashësit dhe tifo-grupet, nuk do të tolerohen raste dhune dhe masat do të jenë drastike.
Jemi duke studiuar që Policia të rimarrë sigurinë për ndeshjet e mëdha, për mbarëvajtjen e tyre në bashkëpunim me FSHF. Për të gjithë sportdashësit dua të përsëris thirrjen për të mos tentuar të hyjnë me lëndë piroteknike, të cilat sjellin dëmtime të imazhit të vendit. Të rritim vigjilencën para ndeshjes dhe gjatë kontrolleve”, u shpreh Balla në takimin e përbashkët.
Zëri.ai sjell dhe planin e plotë të masave që janë marrë nga Policia e Shtetit për ndeshjen e sotme, nga shoqërimi i ekipeve, te bllokimi i rrugëve në afërsi të stadiumit.
-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Çekisë, nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;
-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Shqipërisë, në stadium;
-Kryerja e kontrollit të hollësishëm në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për persona të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët;
-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;
-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.
Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ndër të cilët përmendim:
• Federatën Shqiptare të Futbollit;
• Policinë Bashkiake;
• Shërbimin Zjarrfikës;
• Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë);
• Spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.
-Gjithashtu, janë vendosur kontaktet dhe po bashkëpunohet edhe me personelin e shërbimit të
sigurisë të ekipit të futbollit të Çekisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para,
gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 12 tetor 2023, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara:
-bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;
-rruga “Papa Gjon Pali II”;
-rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
-rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së”;
-rruga “Themistokli Gërmenji”;
-rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i liceut;
-rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
-rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
-rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
-rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.
"Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale goditjen apo çdo vepër tjetër dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, vepër penale që dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Portat e hyrjes në stadium, ditën e ndeshjes, do të hapen në orën 17:00. Apelojmë për tifozët që do të ndjekin ndeshjen në stadium, që të paraqiten në kohë dhe të zbatojnë rregullat e përmendura më lart, në mënyrë të të mos krijohen radhë ose vonesa dhe ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit", njofton policia.
Përpos masave të policisë, nga FSHF ka pasur një organizim edhe për të pajisur çdo tifoz që do të jetë në stadium me qeleshe, të cilat janë vënë në stolat e Air Albania. Sa i takon lojtarëve që do të zbresin në fushë, tekniku Sylvinho konfirmoi në konferencën e djeshme mungesën e Armando Brojës, për të cilin kishte shpresa se do të ishte pjesë e Kombëtares, por gjendja e tij fizike nuk është ende në ditët më të mira.
-
-
Ndeshja Shqipëri-Çeki, FSHF surprizon tifozët!
11 Tetor, 19:47
Ndeshja me Çekinë është shumë e rëndësishme për kualifikimin në ‘’Euro 2024’’. Kuqezinjtë mbajnë vendin e parë në grup me 10 pikë, ndërsa Çekia është në vendin e dytë me tetë pikë. /Zëri.ai