Henrik Hoxhaj: Vrasjen e Lulzim Mashës e porositi Eldi Dizdari

TIRANË- Henrik Hoxha kërkon t’i rikthehet statusi i bashkëpunëtorit të drejtësis, ndaj edhe për herë të parë ka përmendur një emër tjetër si porositësin e atentatit ndaj biznesmenit Lulzim Masha. Në seancën e sotme, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ai pretendon se porositësi nuk ishte Suel Çela. Emri i Suel Çelës doli pas zbërthimit të Nuredin Dumanit. Me arrestimin e këtij të fundit dhe të mikut të tij, Henrik Hoxhaj u zbërthyen një sërë vrasjesh e atentatesh, mes tyre dhe ato që ishin përgatitur për Otin.
Lulzim Masha u shpëtoi plumbave në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë teksa udhëtonte me mjetin e tij tip “Mercedes Benz”, të llojit "ML". Drejt tij u qëllua disa herë nga personi që tashmë është vënë në pranga, Skerdi Tase, por asnjë nga plumbat nuk e kapi. Ngjarja e mbyll me vetëm dëme materiale në mjetin e Mashës. Vetë ky i fundit dëshmoi se nuk kishte konflikte me askënd, por Dumani tregoi se kishte marrë udhëzime nga Çela për organizimin e atij atentati dhe të një tjetri të zhvilluar në Elbasan për eliminimin e Elton Kilës.
Tani Henrik Hoxha pretendon se atentati ndaj biznesmenit Lulzim Masha është porositur nga i shumëkërkuari i drejtësisë që dyshohet se fshihet në Dubai, Eldi Dizdari./ZËRI
Henrik Hoxhaj kërkesë GJKKO: Më riktheni statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë

TIRANË- Ka nisur sërish gjyqi në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për operacionin "Plumbi i artë". Në seancën e sotme, Henrik Hoxhaj ka bërë një kërkesë të veçantë për trupën gjykuese. Përmes avokatit të tij, Hoxhaj ka kërkuar që t'i rikthehet statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Ai pretendon se ka treguar me detaje dhe me përpikmëri të gjitha ngjarjet kriminale ku ka marrë pjesë, duke pretenduar se heqja e statusit ishte e padrejtë. Për më tepër që me heqjen e Statusit ai tashmë nuk përfiton nga ulja e dënimit. Hoxhaj ka qënë bashkëpuntori i Nuredin Dumanit dhe grupit të tij në disa vrasje dhe tentiva, si dhe krime tjera. Hoxhaj e ka humbur statusin e tij si "bashkëpunëtor i drejtësisë" që në korrik, për shkak se ai nuk ishte treguar i sinqertë në 4 ngjarje kriminale. Këto ngjarje u zbardhën nga dëshmia e Skerdi Tases./ZËRI