Simixhiu u kthye në burg për "grup kriminal"/ Altin Dumani për gjykatësin e GJKKO: Nuk mund të ngrejë akuzë!

TIRANË- Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, në një takim me gazetarët, ka folur për vendimin e gjyqtarit të Apelit të GJKKO, Dhimitër Lara, i cili riktheu në burg Namik Simixhiun, një prej të akuzuarve për inceneratorin e Tiranës. Veçse ky i fundit, siç u zbulua nga ZËRI, u kthye në burg me një akuzë më tepër, atë të grupit të strukturuar kriminal. I pyetur lidhur me këtë çëshje, Dumani u shpreh se gjyqtari nuk mund të ngrejë akuzë.
Pyetja: Gjykata e Apelit dha vendim për Namik Simixhiun, në dispozitiv gjykata dhe gjyqtari Dhimitër Lara ngriti akuzë që nuk është në kërkesën tuaj. A po hetohet inceneratori i Tiranës si grup kriminal? Apo ka lajthitur gjykata?
Altin Dumani: Kjo çështje është në hetim paraprak, s’mund të jap informacione. Gjyqtari i hetimit paraprak nuk mund të ngrejë akuzë. Ne si prokurore dhe unë… Gjyqtari nuk mund të ndërhyjë në këtë moment procedural.
Sipas Dumanit, sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës nuk mund të bëhet, pasi aty ka shumë shoqëri të përfshira, ndaj edhe duhet që të gjendet pronari real, duke përsëritur edhe njëherë që SPAK po shmang një përballje në Arbitrazh.
Pyetja: Pse nuk sekuestrohet inceneratori i Tiranës?
Altin Dumani: I takon prokurorit të çështjes. E para ata po kryejnë shumë veprime hetimore, me intensitet shumë të lartë. Aty ka shoqëri pas shoqërie dhe duhet të gjendet pronari real se nesër, pasnesër të çon në Arbitrazh. Patjetër që po paguajmë se është detyrim kontraktual. Por e para prokurori konstaton paligjshmëri dhe më pas nxjerr përgjegjësit.
1 muaj pasi masa i ishte ndryshuar në arrest shtëpie, anëtari i Komisionit të Dhënies së Koncesionit për inceneratorin e Tiranës, Namik Simixhiu u rikthye pak ditë më parë në qelipor kësaj here me 2 akuza të reja. ZËRI pikasi një element të ri në njoftimin e GJKKO-së që sqaron akuzat ndaj Simixhiut i cili u arrestua nga SPAK në 9 dhjetor të vitit 2023 bashkë me zyrtarë të tjerë të bashkisë Tiranë. GJKKO njofton se Simixhiu është i dyshuar për 3 akuza, "shpërdorim detyre" kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal./ZËRI
"Xibraka", Dumani sqarim: Bardhi nuk ka bërë asnjë kallëzim, dosja është rihapur

TIRANË- Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një takim të zhvilluar me gazetarët u është përgjigjur disa pyetjeve lidhur me disa çështje që kanë qenë në qendër të vëmendjes së opinionit publik, një prej tyre edhe "Xibraka". Në fjalën e tij, kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u shpreh se ka nisur një hetim për këtë dosje. Por sqaroi se nga ana e Gazment Bardhit, kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, nuk ka asnjë kallëzim të bërë pranë SPAK.
“Qartësisht nuk ka bërë kallëzim,”- ka deklaruar Dumani.
-
"Xibraka", Rama: Kallëzim i paqenë, SPAK ka rihapur dosjen
28 Qershor, 14:55 -
-
SPAK vendosi që të rihapë hetimet për dosjen Xibraka, pas denoncimit të Bardhit, se një person i paidentifikuar, i moshës 45 vjec, rezulton të ketë përdorur automjetin me targa AA 653 DM. Sipas të dhënave TIMS, Olsi Rama është përdorues i këtij automjeti, sëbashku me tre drejtuesit e tjerë të organizatës kriminale. Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku Policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër. Sipas Bardhit, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi.
Dokumentet e TIMS të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës. E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014./ZËRI
Dekonspirim në operacionet e SPAK? Altin Dumani: Jemi duke hetuar

TIRANË- Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ka konfirmuar se ka hetim për dekonspirime të operacioneve që inciohen nga SPAK. Në një takim informal me gazetarët, Dumani e konfirmoi se ka nisur një hetim, por nuk dha më tej detaje të tjera.
“Ka hetime për dekonspirim të opercioneve tona,”- tha Dumani.
Duke e lënë kështu të pasqaruar se për cilat operacione janë dekonspiruar./ZËRI
Qytetari vrau veten në dyert e SPAK/ Dumani: Na vjen keq, kemi vetëm një çështje të regjistruar për mikrokreditë

TIRANË- Në një takim informal që ka pasur me gazetarët, kreu i SPAK Altin Dumani, ka folur mbi vetëvrasjen e Pal Trashajt, pasi kërkoi një takim me të. Dumani tha se mashtrimi i qytetarëve përmes mikrokredive nuk është një kompetencë e SPAK, dhe në Prokurorinë e Posaçme është regjistruar vetëm një çështje. Duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për dosjen në ngarkim të guvernatorit Gent Sejko, ndaj të cilit është regjistruar kallëzimi për shpërdorim detyre.
Skema e mashtrimit me mikro-kreditë, sa kallëzime ka për këtë çështje? Ka hetim të regjistruar dhe për cilat akuza?
Dumani: Ne kemi vetëm një çështje të regjistruar, por nuk hetojmë rastet e qytetarëve që janë mashtruar. Kemi një hetim, për një objekt konkret. Nuk bëj komente. Realisht dhe ne na vjen keq që qytetarët përplasen në dyert tona dhe për personat që vijnë për çështje të ndryshme që nuk janë në kompentencën tonë. Shpreh keqardhjen për atë që ndodhi përpara dyerve të SPAK-ut. Ka kërkesa të shumta nga qytarë, ligji na e ka përcaktuar qartë kompetencën tonë.
Pal Trashaj ndërroi jetë pak ditë më parë, pasi kishte pirë fostoksinë në hyrje të SPAK. Prej kohësh ai kërkonte një takim me kreun e SPAK Altin Dumani, për t’i shpjeguar atij, të gjithë zhvatjen që i ishte bërë nga kompania MCA, e cila merret me mbledhjen e kredive të këqija në vendin tonë.
Trashaj nuk ka mundur që të mbijetojë, pasi u dërgua dje pak pas mesdite në spital, pasi kishte pirë fostoksinë në hyrje të SPAK. Prej kohësh ai kërkonte një takim me kreun e SPAK Altin Dumani, për t’i shpjeguar atij, të gjithë zhvatjen që i ishte bërë nga kompania MCA, e cila merret me mbledhjen e kredive të këqija në vendin tonë. /ZËRI
Dumani hesht për deklaratat e Metës: S’ju them dot nëse janë nën hetim apo jo

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani është shprehur se nuk mund të japë dot detaje lidhur me statusin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe të bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.
Në një takim informal me gazetarët, Dumani nuk tha nëse Meta e Kryemadhi janë nën hetim apo jo. Ai u pyet dhe për deklaratat e Metës kundrejt tij, i cili e ka quajtur ‘Dum Dumani’ dhe pjesë të grupeve kriminale, por u shpreh se nuk ka asnjë koment për këtë gjë.
“Nuk kam asnjë koment për deklaratat e bëra nga ish-presidenti Ilir Meta. Nuk mund të jap informacion për statusin e Metës dhe Monika Kryemadhit,”- tha Dumani ndër të tjera.
Dosja ‘Partizani’, Dumani: Kemi nisur dhe hetimin pasuror ndaj Sali Berishës

TIRANË- Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka zhvilluar sot një bisedim me gazetarët, ku ka folur dhe mbi ecurinë e hetimeve për dosjen Partizani, në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.
Dumani tha se paralelisht me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit sportive, SPAK po heton edhe pasurinë e Berishës dhe familjarëve të tij. Dumani nuk dha një datë për mbylljen e hetimeve, por tha se do t’i drejtohen gjykatës vetëm kur dosja të jetë kopsitur.
"Kur të përfundojnë hetimet plotësisht, dosja do t'i dorëzohet gjykatës. Janë grumbulluar provat dhe i takon prokurorëve të çështjes të vlerësojnë edhe sa do të zgjasë hetim”, tha ai.
Sa i takon çështjes së 21 Janarit, Dumani ka thënë se materialet po depozitohen dhe do të koordinohet me Prokurorinë e Tiranës.
“Materialet depozitohen dhe patjetër lind nevoja për koordinim me prokurorinë e Tiranës”, mësohet të ketë thënë Dumani.
Me zbardhjen e vendimit për 21 janarin nga Gjykata e Lartë, SPAK është i detyruar të merret me hetimin e çështjes. /ZËRI
Pse nuk po ekstradohet Arben Ahmetaj dhe a po hetohen deklaratat në RAI3? Flet kreu i SPAK Altin Dumani

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Psaçme, Altin Dumani ka folur gjatë një takimi me gazetarët, i cili ësgrë zhvilluar në rrugë informale dhe pa praninë e kamerave. Gjatë bashëbisedimit me gazetarët, Dumani është pyetur në lidhje me ekstradimin e Arben Ahmetajt, ku tha se SPAK është në pritje nga autoritetet zviceriane.
Dumani komentoi edhe deklaratat e Ahmetajt për Rai 3, që akuzonte kryeministrin për lidhje me eksponentë të krimit.
“Ne kemi procedime për inceneratorët dhe këto deklarata janë duke u verifikuar në kuadër të këtyre procedimeve”, u shpreh Dumani.
Kreu i SPAK u ndal edhe te ekstradimet e të kërkuarve shqiptarë nga Dubai, vend me të cilin Shqipëria nuk ka ende një marrëveshje ekstradimi.
“7 procedura zyrtare ekstradimi kemi me Dubain, pasi në informacionet që ne kemi, aty ndodhen të dyshuarit që u kemi firmosur urdhërarreste ndërkombëtare”, tha Dumani, por pa dhënë një përgjigje konkrete nëse esktradimet do të kryhen.
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023. Ai akuzohet për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bëhet fjalë një dosje voluminoze ku ai akuzohet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të fitojnë projektet për inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit./ZËRI