LIVE UPDATES

"ZIFT deformimesh lajmet për bllokimin e procesit të integrimit"/ Rama: Ulja e akcizës së naftës 20%! Risi skema e bujqësisë 2026

➤Kryeministri Edi Rama reagoi në podcastin e tij "Flasim" pas lajmit që Sali Berisha dha dje duke thënë se 9 vende në Bruksel kanë bllokuar miratimin e raportit IBAR për Shqipërinë, duke vendosur procesin e integrimit në BE në vendnumëro. Ram i quajti lajmet “zift deformimesh”, duke u shprehur se puna për integrimin vazhdon çdo ditë. ➤ Ai foli gjithashtu edhe për uljen me 20% të akcizës për naftën dhe benzinën sapo çmimet të kalojnë pragjet 220 dhe 200 lekë për litër, duke e cilësuar si një masë që mbron qytetarët dhe garanton stabilitet në treg.➤ Në të njëjtën kohë, Rama prezantoi Skemën Kombëtare Mbështetëse për Fermerët 2026, e cila sipas tij rrit ndjeshëm mbështetjen financiare dhe ka në fokus të veçantë fermerët e rinj.

3 artikuj për këtë temë.
3 MUAJ ME PARE

Skema Kombëtare e Bujqësisë 2026, Rama: Fokus tek fermerët e rinj, risi nxitja e praktikave të qëndrueshme

"ZIFT deformimesh lajmet për bllokimin e procesit të
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama foli sot për miratimin e skemës kombëtare mbështetëse për fermerët për vitin 2026, një skemë që, sipas tij, është ndërtuar mbi konsultime intensive të drejtpërdrejta në të gjitha qarqet me fermerët dhe orientuar nga nevojat e tyre.

Ai theksoi se për herë të parë përfshihen forma mbështetjeje që nuk janë përdorur më parë dhe se skema synon nxitjen e praktikave të qëndrueshme në bujqësi, duke mbështetur metodat biologjike dhe përafrimin me standardet europiane.

"Këtë javë është miratuar edhe skema kombëtare mbështetëse për fermerët për vitin 2026, e cila u ndërtua mbi konsultime intensive të drejtpërdrejta në të gjitha qarqet me fermerët dhe është orientuar prej tyre. Për këtë arsye, skema rrit ndjeshëm mbështetjen për fermerët, jo thjesht në aspektin e volumit financiar, por edhe në aspektin e lehtësimit të kushteve për ta përfituar atë që çdo fermeri i takon nga skema dhe, njëkohësisht, duke financuar në ato drejtime prioritare që garantojnë më shumë produktivitet dhe fuqizim më të mirë të zinxhirit të vlerës.

Për herë të parë përfshihen në skemë forma mbështetjeje të cilat nuk kanë qenë të përdorura deri më sot. Ndërsa një tjetër risi është nxitja e praktikave të qëndrueshme në bujqësi, përmes mbështetjes së metodave biologjike dhe afrimit me standardet europiane. Një fokus i veçantë i skemës janë edhe fermerët e rinj, për të cilët është parashikuar një fond i konsiderueshëm që mbështet investimet e tyre dhe, nga ana tjetër, skema në tërësi forcon prodhimin vendas, sepse ky është një synim parësor, rrit konkurrueshmërinë duke krijuar më shumë mundësi dhe akses dhe, sigurisht, inkurajon përafrimin me standardet europiane," tha Rama.

/ZËRI

3 MUAJ ME PARE

Rritja e çmimit te naftës, Rama: Akciza ulet 20% sapo çmimi të kalojë 220 lekë për litër

"ZIFT deformimesh lajmet për bllokimin e procesit të
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama njoftoi se akti normativ për uljen me 20% të akcizës për naftën hyn në fuqi menjëherë sapo çmimi i naftës të kalojë 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër. Ai shtoi se masa do të qëndrojë në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare.

Në podkastin “Flasim”, Rama e përshkroi këtë vendim si një reagim të matur, që mbron qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve nga abuzimet e distributorëve të karburanteve. Ai theksoi se Bordi i Transparencës do të monitorojë tregjet globale dhe do të sigurojë që çdo masë të reflektohet drejtë në tregun vendas.

“Këtë javë kemi miratuar edhe aktin normativ për uljen e akcizës së naftës, që aktivizohet në momentin kur çmimi i naftës, si pasojë e impaktit të luftës mbi tregjet ndërkombëtare, kalon limitin e 220 lekëve. Ulja e akcizës me 20% hyn menjëherë në fuqi kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër.

Këto pragje janë vendosur për të garantuar një ndërhyrje të drejtë dhe të balancuar, duke marrë parasysh zhvillimet e tregut, të cilat nuk janë nën kontrollin tonë. Ne kemi detyrimin t’i trajtojmë ato në funksion të amortizimit të goditjes së menjëhershme mbi konsumatorët, pa cenuar stabilitetin e financave publike, në një kohë kur pasiguria në tregjet ndërkombëtare mbetet e lartë dhe dinamike.

Masa do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare, ndërsa Bordi i Transparencës do të jetë garant i çdo zhvillimi në tregjet globale, për të reflektuar drejt çdo ndryshimi në tregun vendas. Ky është një reagim i duhur dhe i matur, që garanton vendimmarrje të shpejta dhe mbron qytetarët nga abuzimet e distributorëve. Masat për të gjithë ata që do të shkelin çmimin e përcaktuar nga Bordi i Transparencës do të jenë drastike,” tha Rama.

Bordi i Transparencës vendosi rritjen e çmimeve të karburanteve me 3 prill duke vendosur që çmimi i naftës të shkojë në 224 lekë për litër. Vendimi i Bordit zbatohet në kuadër të aktit normativ të miratuar për uljen e akcizës së naftës. Sipas këtij akti, niveli i akcizës u ul me 20%, ndërsa bashkë me TVSH-në ka një ulje efektive prej 9.5 lekë/litër./ZËRI

3 MUAJ ME PARE

Bllokimi i negociatave për Shqipërinë, Rama reagon pas deklaratave të Berishës: Zift deformimesh, së shpejti lajme të mira për procesin

"ZIFT deformimesh lajmet për bllokimin e procesit të
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, tha në podcastin e tij të përjavshëm “Flasim” se Partia Socialiste është përfshirë në një proces të brendshëm për të zgjedhur drejtuesit e organizatave në të gjithë territorin e Shqipërisë, nga niveli i qendrës së votimit, te njësitë administrative dhe bashkitë. Ai theksoi se kjo nuk është thjesht një fushatë organizative, por edhe një fushatë komunikimi me qytetarët, mbështetësit dhe të gjithë ata që duan të informohen nga burime të drejtpërdrejta.

Ai nuk la pa përmendur informacionet që qarkullojnë në vend, për bllokimin e procesit të integrimit, të përmedura dhe dje nga kreu i opozitës Sali Berisha. Rama i quajti “zift deformimesh” këto lajme, duke theksuar se puna e Shqipërisë për procesin e integrimit vazhdon çdo ditë dhe së shpejti do të ketë lajme shumë të mira për vendin tonë.

“Jemi përfshirë në një proces, në një fushatë të brendshme në Partinë Socialiste, për të zgjedhur ata që do të jenë drejtues të organizatave tona, në të gjithë territorin e Shqipërisë, që nga niveli i qendrës së votimit, te niveli i njësive administrative dhe bashkisë. Por njëkohësisht ka rëndësi të kuptohet se kjo nuk është thjesht një fushatë organizative, por edhe një fushatë komunikimi mes nesh dhe atyre që na mbështesin, që na besojnë ose kanë dëshirë dhe nevojë të na dëgjojnë dhe t’i dëgjojmë.

Pasi jetojmë në një kohë që bëhet gjithmonë e më e vështirë për të mësuar të vërtetën ose për të marrë informacion të drejtëpërdrejtë lidhur me një fakt që të intereson, ndodh e kundërta. Je menjëherë i përmbysur nga gjysma e të vërtetës, që shpesh përmban edhe gënjeshtra të mëdha. Nga gënjeshtra të qarta, nga sajesa dhe nga komente të ndryshme që në fund të ditës më shumë e mbulojnë sesa ndihmojnë në kërkimin e së vërtetës.

Ajo që më shqetëson më shumë për sa na takon është se nuk flitet, nuk komunikohet dhe nuk diskutohet për punët e Shqipërisë. Përkundrazi, punët e Shqipërisë identifikohen vetëm me një luftë mizerabël politike dhe përpjekje të vazhdueshme të kujtdo që është në anën e kundërt me ne që qeverisim Shqipërinë, për t’i mbuluar punët e vendit me ziftin e deformimesh, baltën e gjithë urrejtjes, mllefit dhe inatit të tyre.

Shqipëria ka probleme patjetër, nuk mund të themi se nuk ka, dhe duhet të pranojmë sa kemi bërë. Por punët e Shqipërisë janë në vijë. Po ashtu, procesi më i rëndësishëm historik për anëtarësimin në BE vazhdon, përmes negociatave që po zhvillohen. E vërteta e thjeshtë është se puna e madhe e Shqipërisë vazhdon çdo ditë dhe, edhe pse procesi i hapjes së kapitujve ka ka ndaluar, do të kemi lajme shumë të mira për të gjithë,” -tha ai.

Ditën e djeshme, kreu i opozitës, Sali Berisha, u shpreh se 9 vende në Bruksel kanë bllokuar miratimin e raportit IBAR për Shqipërinë, duke vendosur procesin e integrimit në BE në vendnumëro. Ai akuzoi qeverinë se fshehu këtë fakt nga publiku, pasi sipas tij, qeveria u përpoq të mashtrojë qytetarët.

Berisha tha se pa votimin unanim të këtij raporti, asnjë kapitull i integrimit nuk mund të mbyllet, dhe nëse vazhdohet ky qëndrim, procesi mund të kthehet mbrapsht me pasoja serioze për vendin./ ZËRI

Poll

MOS HUMB