Irlanda mbështet integrimin e Shqipërisë në BE, Byrne: Duam të mbyllim edhe kapituj të tjerë
LUKSEMBURG- Ministri i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen i Irlandës Thomas Byrne ka shprehur mbështetjen për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e vijimit të reformave për avancimin e negociatave me Bashkimin Europian.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Luksemburg me kryeministrin Edi Rama dhe komisioneren europiane për Zgjerimin Marta Kos Byrne inkurajoi qeverinë shqiptare të vijojë me reformat duke i cilësuar ato si një instrument të rëndësishëm për transformimin e institucioneve ekonomisë dhe shoqërisë.
“Inkurajoj kryeministrin Edi Rama që të vazhdojë reformat. Zbatimi i reformave u jep mundësi vendeve të transformojnë institucionet, ekonominë dhe shoqërinë e tyre”, tha Byrne.
Ministri irlandez theksoi gjithashtu se vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Europian, ndërsa shprehu dëshirën që negociatat të vijojnë me mbylljen e kapitujve të tjerë.
“Dua të mbyllim kapituj të tjerë me Shqipërinë, sepse e ardhmja juaj është në BE”, u shpreh ai.
Deklaratat e Byrne vijnë në kuadër të procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, ku vijimi i reformave dhe përmbushja e angazhimeve të ndërmarra mbeten elemente kyçe për avancimin drejt anëtarësimit./ZËRI
“Reformat duhet të vijojnë”/ Kos për integrimin e Shqipërisë në BE: Ka ambicie të mbyllë reformat deri në fund të 2027 (VIDEO)
LUKSEMBURG- Komisionerja europiane për Zgjerimin Marta Kos ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, gjatë hapjes së grupkapitullit të radhës të negociatave me Bashkimin Europian në Luksemburg.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin irlandez për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen Thomas Byrne, Kos u ndal te afrimi i politikave industriale shqiptare me ato të BE-së, duke theksuar rëndësinë e bizneseve të vogla dhe të mesme për ekonominë e vendit.
View this post on Instagram
“Shqipëria është një nga kryesuesit e këtij progresi mbresëlënës, po mbyllim një kapitull tjetër negociues. Bizneset e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare. Shqipëria po sjell politikat e saj industriale më afër BE-së. Këto janë thelbësore për të ndërtuar një ekonomi më të fortë”, tha Kos.
Komisionerja për Zgjerimin përgëzoi Shqipërinë për arritjet në procesin e negociatave, ndërsa bëri të ditur se objektivi i vendosur nga vendi për përmbylljen e reformave deri në fund të vitit 2027 mbështetet nga Bashkimi Europian.
Megjithatë, ajo nënvizoi se përmbushja e këtij synimi kërkon vijimin e reformave.
“Dua të përgëzoj Shqipërinë për një tjetër arritje. Shqipëria i ka vënë ambicie për të mbyllur reformat deri në fund të 2027, ne e mbështesim këtë ambicie, por reformat duhet të vijojnë”, u shpreh Kos.
Procesi i negociatave me BE-në vijon të jetë në fokus të përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin europian, ndërsa përmbushja e reformave mbetet një nga elementet kryesore për avancimin drejt anëtarësimit./ZËRI
"Kushner", Rama nga Luskemburgu: Projekti në harmoni me natyrën! "SHISH"? Kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë fund
LUKSEMBURG- Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet e brendshme në Shqipëri gjatë konferencës në Luksemburg, ku u pyet edhe për projektin e planifikuar në Zvërnec, i cili ka qenë në qendër të debatit publik gjatë muajve të fundit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për projektin që lidhet me Jared Kushner, Rama u shpreh se ai përfshin më shumë sesa një emër. Më tej, ai theksoi ambicien për ta kthyer investimin në një model të zhvillimit në harmoni me natyrën.
“Do t’ju ftoja të vini në Shqipëri, sepse nga jashtë mund të hutohesh, të ngatërrohesh me filtrat e medias online. Nuk e di çfarë kuptoni me projektin e Kushnerit, por është përmendur një projekt që përfshin shumë më tepër sesa një emër. Kemi një ambicie të madhe dhe duam ta realizojmë si një model se si mund të investohet në harmoni me natyrën. Edhe manifestimet që janë përcjellë në mbarë botën kanë ndihmuar për ta përmirësuar projektin dhe për të arritur rezultate më bindëse sesa në fillim. Kjo mbetet diçka për t’u provuar”, u shpreh Rama.
Një tjetër çështje për të cilën u pyet kryeministri ishte arrestimi i ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH). Lidhur me këtë, Rama u ndal te reforma në drejtësi dhe funksionimi i institucioneve të drejtësisë, duke deklaruar se askush nuk është mbi ligjin.
“Ndërsa, nga ana tjetër, ju mund ta kuptoni shumë mirë se çfarë nënkupton kur flasim për drejtësinë që bën punën e vet. Sistemi ka nisur të funksionojë. Kur e nisëm këtë rrugëtim, njiheshim si atdheu i pandëshkueshmërisë, ndërsa tani njihemi si pararojë. Kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Askush nuk është më mbi ligjin”, deklaroi kryeministri.
Ta ‘tundim’ këtë shtëpi! Shqipëria mbyll Kapitullin 20, Rama: Synojmë të dyfishojmë ritmin drejt BE-së
LUKSEMBURG- Shqipëria mbylli sot ndërmjetësisht negociatat për Kapitullin 20 për anëtarësimin në Bashkimin Europian, për “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.
Në nisje të fjalës së tij në Luksemburg, kryeministri Edi Rama përshëndeti mbylljen e ndërmjetme të këtij kapitulli dhe falenderoi presidentin irlandeze. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Shqipëria synon të përshpejtojë procesin e negociatave dhe të mbyllë sa më shumë kapituj.
View this post on Instagram
“Sot, Shqipëria ka hedhur një hap tjetër vendimtar drejt vendit të saj të merituar në BE, me mbylljen e ndërmjetme të Kapitullit 20. Ky është kapitulli i katërt që mbyllet brenda pak muajsh.
Ne duam të bëjmë dyfishin! Të punojmë së bashku, shqiptarët dhe irlandezët, për ta “tundur“ këtë shtëpi dhe për ta bërë realitet këtë objektiv.
Progresi nuk matet thjesht me kapitujt e mbyllur, por me reformat e realizuara për fuqizimin e institucioneve dhe me rezultatet e prekshme të arritura.
Falënderimet shkojnë për presidencën irlandeze dhe nuk ka asnjë dyshim për Marta Kos dhe ekipin e saj, por edhe për të gjitha vendet anëtare, për besimin dhe angazhimin. Kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë, por jemi gati për t’ia dalë“, tha Rama./ZËRI
Rama takohet me kryeministrin Luc Frieden: Nga marsi, Luksemburgu do të ketë fluturim direkt me Shqipërinë
LUKSEMBURG- Kryeministri i vendit Edi Rama është takuar në Luksemburg me homologun e tij Luc Frieden ku në fokus të bisedimeve kanë qenë marrëdhëniet dypalëshe dhe rrugëtimi europian i Shqipërisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se nga muaji mars do të nisë lidhja ajrore direkte mes Shqipërisë dhe Luksemburgut përmes kompanisë ajrore Luxair.
“Luksemburg- Me Kryeministrin Luc Frieden për marrëdhëniet dypalëshe dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë”, tha Rama, duke njoftuar gjithashtu për linjën e re ajrore mes dy vendeve.
Fluturimi direkt pritet të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe të krijojë mundësi më të mira për lidhjet mes Shqipërisë dhe Luksemburgut./ZËRI
Sot Konferenca e 10-ë Ndërqeveritare në Luksemburg, Shqipëria mbyll negociatat e Kapitullit 20 me BE (AXHENDA)
LUKSEMBURG-Sot, në Luksemburg, zhvillohet Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, ku pritet të formalizohet mbyllja e negociatave për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”. Takimi do të mbahet në orën 17:00, ku delegacioni shqiptar do të kryesohet nga kryeministri Edi Rama.
Vetë kreu i qeverisë ka njoftuar takimin, me anë të video në rrjete sociale, ku shprehet se Shqipëria hedh një tjetër hap drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur Kapitullin 20 në Konferencën e 10-të të negociatave të Anëtarësimit në BE.
View this post on Instagram
Kapitulli 20 përqendrohet te politikat për zhvillimin e sipërmarrjes dhe industrisë. Në fokus të tij janë mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së investimeve dhe forcimi i aftësisë së ekonomisë për t’u integruar në Tregun e Vetëm Evropian.
Ky kapitull përfshin gjithashtu masa për inovacionin, digjitalizimin, tranzicionin e gjelbër, zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe rritjen e produktivitetit të sektorit privat, në përputhje me politikat dhe praktikat më të mira evropiane.
AXHENDA
16:40 – Nisja drejt Qendrës Europiane të Konventave.
16:45 – Doorstep.
16:50 – Fotografi e përbashkët e Kryeministrit Edi Rama, Komisioneres Marta Kos dhe Ministrit Thomas Byrne.
17:00 – Hapja e Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE dhe miratimi i agjendës.
17:45 – Përfundimi i Konferencës Ndërqeveritare dhe vijimi i konferencës për shtyp; Kryeministri Edi Rama, Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos dhe ministrin irlandez, Thomas Byrne./ZËRI