Parregullsi në zgjedhjen e kreut të RTSH, Kuvendi shkarkon Këshillin Drejtues

TIRANË- Kuvendi ka miratuar shkarkimin e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar. Mazhoranca dhe opozita kanë bashkuar sërish votat së bashku dhe kanë shkarkuar anëtarët e këshillit drejtues.
Ata që u shkarkuan sot me miratimin e Parlamentit janë:
Gëzim Podgorica 89 vota pro, 5 abstenim, 4 kundër
Genc Përmeti 91 vota pro, 0 abstenim, 4 kundër
Leka Bungo 95 vota pro, 5 abstenim, 3 kundër
Albert Minga, 88 vota pro, 6 abstenim, 6 kundër
Ardita Reçi 92 vota pro, 3 abstenim, 3 kundër
Dionis Papadhimitri 92 vota pro, 3 abstenim, 2 kundër
Edmond Tullumani 96 vota pro, 1 abstenim, 3 vota kundër
Ëngjëll Ndocaj 94 vota pro, 4 abstenim, 4 kundër
Ilir Keko 89 vota pro, 3 abstenime, 11 kundër
Mevlan Shanaj 64 vota pro, 12 abstenime, 15 kundër
Milena Selimi, 93 vota pro, 3 abstenime, 4 vota kundër
Debati për drejtuesin e ri të RTSH nisi kur sapo ishin dorëzuar të gjithë emrat e kandidatëve. Thuajse 6 muaj nga largimi i Alfred Pezës nga detyra, në garë për të pasuar atë ishin: Harilla Koçi; Jetmir Shpuza; Enrik Mehmeti; Floriana Paskali; Eni Vasili; Ermal Hoxha; Aurora Polo; Kliton Rama; Flamur Buçрарај dhe Laureta Roshi. Por në një mbledhje, u kualifikuan për në raundin e dytë vetëm 2 persona; drejtuesja e komanduar Aurora Polo dhe Jetmir Shpuza. Skualifikimi i bërë pa dëgjuar kandidatët shkaktoi reagime, ku si rrallë herë, PS dhe PD ishin të një mendimi; të dyja palët kërkuan zgjedhje të drejta në të kundërt do të ndërhynin.
Përveç politikës, edhe kryetari i Këshillit Drejtues, Leka Bungo e denoncoi vendimin për skualifikimin e kandidatëve dhe kërkoi shkrirjen e të gjithë Këshillit. Por po ashtu, ky proces po ndiqet me vëmendje edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Pak ditë më parë OSBE e BE bënë thirrje për transparencë dhe deklaruan se do të ndjekin me vëmendje seancën e sotme në Komisionin e Medias. Tani ka ndërhyrë Kuvendi i Shqipërisë! Komisioni i Medias i sugjeroi Këshillin Drejtues të RTSH të bëjë rivlerësimin e 10 kandidaturave për postin e drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së./ZËRI
Mazhoranca dhe opozita bashkojnë votat, miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor

TIRANË- Me 107 vota pro, asnjë kundërshtim dhe abstenim mazhoranca dhe opozita kanë bashkuar votat së bashku dhe kanë miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor për zgjedhësit nga jashtë. Në ndryshimet e propozuara përfshihej mbulimi i shpenzimeve postare për votën e diasporës, në mënyrë që emigrantët shqiptarë të mos paguajnë për kthimin e fletëve të votimit në vend.
Gjithashtu u kërkua afrimi i datës për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetët në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në mënyrë që fletat të dërgohën në kohë jashtë vendit. Gjithashtu u miratua edhe përfshirja e komisionerëve politikë gjatë procesit të numërimit të votave të diasporës në KQZ.
Platforma online "PER" u hap më 11 janar për të pritur aplikimet e emigrantëve që duan të regjistrohen si votues nga jashtë. Për të gjithë ata që duan të votojnë, platforma do të rrijë e hapur deri në 31 mars. Pasi aplikimi të ketë përfunduar, brenda 5 ditëve, KQZ u kthen përgjigje brenda 5 ditëve duke njoftuar nëse aplikimi i tyre është pranuar, ose jo. Nëse aplikimi është i suksesshëm, KQZ do t'u dërgojë emigrantëve fletën e votimit me postë. Pasi vullneti të jetë nënshkruar në letër, fleta e votimit do të kthehet sërish me postë në Shqipëri për t'u numëruar më 11 maj./ZËRI
Avokati i Popullit/ Berisha propozoi Besim Ndregjonin, PS e refuzon, hiqet nga rendi i ditës

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha propozoi në Kuvend përzgjedhjen e Besim Ndregjonit si Avokat të Popullit. Por, kërkesa e tij u kundërshtua nga Partia Socialiste. Kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Niko Peleshi tha se emri për Avokatin e Popullit duhet të vinte me konsensus, pasi ka munguar diskutimi nga të dyja palët. Peleshi propozoi që zgjedhja e Avokatit të Popullit të hiqet nga rendi i ditës, kërkesë kjo që u pranua edhe nga Berisha.
Sali Berisha: Në detyrimin e këtij parlamenti të votojë për avokat të popullit përfaqësuesin e asaj shtrese që përjetoi kalvarin më të egër barbaritë më të mëdha në të gjithë Europën. Shekuj dhe mijëvjeçar burgje dhe vite rinie të humbura.
Mijëra e mijëra jetë të këputura në mes nga skuadrat e pushkatimit. Kampet e përqendrimit dhe gulagët e regjimit të shkuar janë një rast për këtë parlament për të emëruar pikërisht avokat të të drejtave të shqiptarëve, të drejtave themelore, një përfaqësues të shquar të tyre, një përfaqësues të shquar të një prej familjeve më të nderuara të Dibrës, dhe mendoj se nuk ka nevojë të përdoren votat sekrete, por të votoni Besim Ndregjonin edhe si një akt ndjese detyrimi, ndjese për atë që ka ndodhur, për dramën e tmerrshme që ka përjetuar shtresa e tyre. Ndaj dhe, them mos përdorni fshehtësinë, por dilni haptas ta miratojmë me në fund një përfaqësues të një shtrese të martirizuar në respekt për vuajtjet, sakrificat e tyre.
Pavarësisht se ne jemi në pozicione shumë të ndryshme nga njëri-tjetri, por në këtë rast, unë ftoj parlamentin të bashkojë votat për të kaluar si përfaqësues të avokatit të të drejtave të qytetarëve shqiptarë, Besim Ndregjonin I cili përfaqëson shpresën e madhe të tyë përndjekurve politikë.
Niko Peleshi: E njohim dhe të gjithë e dimë traditën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit i takon Kuvendit të zgjedhë, por propozimet i takojnë opozitës dhe diskutohet për të arritur një emër konsesual. Duhet thënë që edhe në respekt të emrave. Duhet ti japim seriozitet procesit, mos ta lemë në seancë, thuhet një emër. Nuk kemi një vendim politik, përsa kohë ka munguar ky proces, nëse s’do kemi një rezultat për një emër të caktuar, ftoj opozitën të ndërtojmë procesin siç është traditë për të arritur me konsensus me një emër. S’jemi kundër asnjë emri, të ndërtojmë procesin dhe flasim për propozimet tuaja.
Sali Berisha: Në rast se është problemi për konsultim më të thelluar, mos e hidhni në votë, të bëjmë konsultimin dhe të vijmë ta votojmë. Kemi besim të plotë se ai kandidat nderon atë post.
Niko Peleshi: Jemi dakord për ta hequr nga rendi i ditës dhe të ndërtojmë procesin sic është tradita.
Tradiacionalisht, Avokati i Popullit është një emër që propozohet nga opozita dhe duhet të marrë mbështetjen e mazhorancës në Kuvend. Opozita ka propozuar 7 kandidatë për këtë pozicion, i cili po mbahet nga Erinda Ballanca pavarësisht përfundimit të mandatit.
Kandidatët për Avokat Populli:
Bledar Dervishaj
Vitore Tusha
Tartar Bazaj
Besim Ndregjoni
Dardan Mustafaj
Edison Frangu
Erald Aga
Erinda Ballanca u zgjodh në krye të kësaj detyre në vitin 2017, por ende nuk është zgjedhur një pasues i saj. Në vitin 2023, u propozua nga Partia Demokratike, Ledio Braho, por u refuzua nga kryeministri Edi Rama me argumentin se “nuk do të votonte një avokat partie”.
/ZËRI
“Të vij aty dhe të zvarris”/ Noka sërish sherr me Ballën: Mbylle se të erdha!

TIRANË- Një tjetër përplasje ka ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë. Teksa kryedemokrati Sali Berisha po mbante një fjalë në Foltoren e Kuvendit, deputeti demokrat Flamur Noka është përplasur sërish me Taulant Ballën. Edhe pas përplasjes së fundit, Noka sërish e ka kërcënuar socialistin, i cili i është përgjigjur, por nuk kuptohet se është pa mikrofon.
BISEDA NË VIDEO:
Taulant Balla: *komenton deklaratat e Berishës
Flamur Noka: Mjaft! Pusho! Boll të thashë! Rri Taulant, Tao pusho, mos të vij aty. Pusho të them, mos fol. Mbylle se të erdha aty, të vij të zvarris aty.
Taulant Balla: *flet pa mikrofon dhe nuk kuptohet
-
MOMENTI me VIDEO: Noka qëllon me shishe Taulant Ballën
13 Shkurt, 13:12
Kjo nuk është përplasja e parë me dy politikanëve. Të enjten, Noka u përjashtua nga seanca pasi tentoi që të qëllonte me shishe uji ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin./ZËRI
'Të dënohen aktet armiqësore ndaj shqiptarëve e demokracisë', Berisha: Rama të vijë urgjent

TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend propozoi që të miratojë një rezolutë në të cilën të dënohen aktet armiqësore ndaj shqiptarëve dhe demokracisë. Berisha kërkoi që kjo rezolutë të hidhet për votim dhe i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të paraqitet në Parlament. Kreu i PD kujtoi sërish edhe një deklaratë të zëvendëspresidentit amerikan JD Vance ku iu drejtohej europianëve dhe shprehej se armiku më i rrezikshëm është ai që keni brenda.
Sali Berisha: Të dashur qytetarë dhe qytetare, ky parlament bën sikur nuk ekziston. Dy ditë më zv.Presidenti i SHBA-ve në mënyrë eksplicite u tha europianëve, shqiptarëve dhe botës se, armiku më i rrezikshëm është ai që keni brenda, sepse është ai armik që arreston kreun e opozitës. Dhe kreun e opozitës në Europë e ka arrestuar vetëm Edi Rama. Lukashenko jo, e ka jashtë vendit, nuk e ka në burg. Iu tha se, armiku juaj i brendshëm është ai që ju mbyll mediat sociale, dhe rrjetin social Tik Tok ka vendosur ta mbyllë Edi Rama, sepse nuk duron dot kritikat, talljet, përqeshjet e të rinjve, e qytetarëve. Në fjalën e tij historike, ju them unë ju, fjala më e rëndësishme që është mbajtur në këtë kontinent, pas asaj që ka mbajtur në portën e Brandenburgut, Ronald Reagan. Ju tha, arrestoni gazetarët. Dy gazetarë i arrestoi para dy muajsh Edi Rama. Tani, kam propozimin tim: Edi Rama të vijë urgjent në parlament dhe urgjent të miratohet këtu një rezolutë në të cilën të dënohen këto akte armiqësore ndaj shqiptarëve dhe demokracisë. Zv.Presidenti JD Vance deklaroi se ky është rreziku më i madh i qytetarëve, ky është rreziku më i madh i qytetarëve të Shqipërisë. Po ky, është rrezik për të gjithë ata që aspirojnë dhe ëndërrojnë të jenë të lirë, dhe jo ata të cilët pasurohen në mënyrë të tmerrshme due vjedhur qytetarët shqiptarë. Ndaj ju, duhet të ishit vetë ju, që të kërkonit një debat me urgjencë. Ky është vetëm njëri kapitull, natyrisht më dramatiku. Se ky ka të bëjë me sistemin, çfarë sistemi jemi. Jemi në sistem demokrat, apo jemi në sistem tiranie. Dakord. Ky është propozimi, hidheni në votë dhe pastaj vazhdojmë.
Vota e diasporës/ Bylykbashi: 19% e emigrantëve iu është refuzuar regjistrimi, të hiqen barrierat
TIRANË-Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, gjatë fjalës së tij në Kuvend, tha se KQZ duhet që të ndihmojë emigrantët që u është refuzuar kërkesa për tu regjistruar që të votojnë në zgjedhje. Ai i kërkoj mazhorancës që të votojë ndryshimet në kodin zgjedhor për votën e diasporës.
Bylykbashi: KQZ të merret ne uljen e numrit të personave që u është refuzuar kërkesa për tu regjistruar si votues nga jashtë. U është refuzuar kërkesa, janë 19 për qind e zgjedhëvse që kanë bërë kërkesë dhe u është refuzuar. KQZ duhet patjetër që të merret në mënyrë të fokusuar duke i kontaktuar që të bëjnë të mundur regjistrimin e tyre. KQZ duhet të merret me secilin prej tyre, ata duhet që ti ndihmojnë sepse ata e kanë dokumentacion, KQZ nuk duhet të fshihet pas procedurave të ftohta por duhet që ti ndihmojnë. Është teknikisht e mundur. Hapini rrugën që KQZ të bëjë ndryshimet dhe ata të regjistrohen, parlamenti duhet të heq barrierat për ata që duan të regjistrohen dhe të votojnë më 11 maj.
Kuvendi sot zgjedh Avokatin e Popullit, Berisha prezanton kandidatin e PD

TIRANË-Në një konferencë për gazetarët, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka konfirmuar që kandidat i PD për avokat të Popullit është kryetari i Unionit të të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni.
“PD ka kandidatë të vetë kryetarin e Unionit të të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjonin”, tha Berisha.
Kandidaturën për këtë post, e kanë shpallur edhe Vitore Tusha, Bledar Dervishaj, Tartar Bazaj, Dardan Mustadaj, Edison Frangu dhe Erald Aga. Votimi i emrit të Avokatit të Popullit kërkon 84 vota në Kuvendin e Shqipërisë.
LaCivita drejton PD/ Noka: Ju ka kapur makthi! Peleshi: Gjetët kompani marketingu

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka gjatë fjalës së tij në Kuvend ka akuzuar mazhorancën se mbron krimin dhe korrupsionin pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Ndër të tjera Noka tha se mazhoranca është e frikësuar pas ardhjes së Chris LaCivita në Tiranë, arkitekti i fitores së Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit 2024 në SHBA, i cili tanimë do të udhëheqë edhe fushatën e Sali Berishës dhe PD në Shqipëri.
Flamur Noka: Çfarë halli keni? Si mund të quash normale që zonja e kryebashkiakut të ketë 876 mijë euro vetëm blerje online. Lëre sa blerje ka bërë nëpër dyqane. Ju këtu guxoni dhe mbroni…kush mund ta shpjegojë këtë gjë? 870 mijë euro. O Pandi a e kupton? Kjo zonjë që jeton në luks… është një zonjë që jeton në Fier, në barakë e ka lënë qeveria juaj. Nuk flisni ju për Vaiden dhe për mijëra Vaide që janë në Shqipëri. Vini dhe e mbroni. Po si ka mundësi mo? Ku e keni drejtësinë tuaj? Ka gjë më të turpshme, a ka ndodhur në ndonjë vend të botës që kryeministri të shkojë në bashki 2 herë brenda ditës pasi është arrestuar hajduti dhe të mbledhë policinë bashkiake e administratën e t’i thotë oranizoni protestë kundër institucioneve. Si mund të flisni ju për shtet ligjor? Harrojeni se keni shpëtim. Ju ka pushtuar Satanai, ndaj të dashur kolegë zhytja në krim dhe korrupsion kurrë nuk jep rrugë të gjatë. Të zhyt shumë shpejt dhe pastaj në makth, makthi e dini se kush është apo jo? Chris LaCivita zbarkoi një sherif në Tiranë dhe ju nuk flini gjumë. S’keni më shans t’ju mbrojë askush as krimin as korrupsionin, fundi juaj po vjen, e kuptoj shoh trishtim tek të gjithë ( u drejtohet deputetëve). Këta nuk kanë thjesht trishtim kanë halle të mëdha, sepse atje prapa hekurave është botë tjetër. Janë delikatë këta nuk e durojnë dot atë lloj jete (drejtohet nga ministrat) ndaj zverdhen, janë më makthe se atje i pret sapuni të gjithë. Ndaj nuk i zë gjumi.
Niko Peleshi, kreu i grupit parlamentar të PS-së iu përgjigj Nokës duke i thënë se nuk duhet ta bazojnë fushatën në një kompani marketingu, duke iu referuar ekipit të Chris LaCivita.
Niko Peleshi: Për ju vota e diasporës nuk është as shpëtim as e rëndësishme. E rëndësishme është vetëm…keni gjetur një shpëtim tjetër që është një kompani marketingu. Për një parti kaq të rëendësishme për Shqipërinë, si PD, ta mbështesë të gjithë shpresën te një kompani marketingu, është dorëzim. Duket si dorëzim nga ana juaj. Nuk ka një shpëtim që vjen nga qielli, Shqipëria e së nesërmes do ndërtohet nga shqiptarët. Mos sillni një alternativë “kemi gjetur një kompani marketingu që nuk e njihte fare Shqipërinë dhe di të bëjë të zezën të bardhë”. Kjo nuk ka asgjëkundi ku të qëndrojë.
'Nesti Angoni ka dy seanca mungon në Kuvend", Bardhi: Ministri i Brendshëm të shkarkohet

TIRANË-Kryetrari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, ka komentuar protestën e zhvilluar nga mbështetësit e Erion Veliajt, duke e cilësuar si të paligjshme. Bardhi ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha. Demokrati tha se ministri gënjeu kur tha se policia nuk kishte pasur dijeni për mbështetësit e Erion Veliajt para GJKKO, ditën që u caktua masa e sigurisë arrest me burg.
Gazment Bardhi: Qëllimi nuk ka qenë për të mbështetur Erion Veliaj se po ta kishin për ta mbështetur nuk i kishin vënë Nesti Angonin që ka dy seanca që mungon në kuvendin e Shqipërisë e nuk e dimë se ku është zhdukur këto ditë. Thërrisni në seancë ministrin e Brendshëm, që në seancën e kaluar gënjeu pa turp, duke na dhënë informacione të rreme që Policia nuk kishte pasur asnjë dijeni për prezencën e një turme para SPAK kur po mbahet seanca për masën ndaj Veliajt. SPAK dhe GJKKO kanë konfirmuar se kishin njoftuar për cenimin e ambienteve të sigurisë dhe në mënyrë të paprecedentë Policia e Shtetit, jo vetëm nuk kishte bërë detyrën, por ka refuzuar thirrjen e Gardës së Republikës. Nuk mund ta lëmë pa e kaluar këtë. Kjo do të thotë që kanë rënë themelet e shtetit. Jo vetëm duhet të dorëhiqet, po Ministri i Brendshëm duhet të shkarkohet. Madje, qëndrimi i Policisë së Tiranës ishte akoma më idiot, kur thoshte se nuk tubimi ishte spontan. Kur tubi është spontan, quhet i paligjshëm.
Qindra mbështetës të Partisë Socialiste u mblodhën para kangjellave të Gjykatës së Posaçme duke protestuar kundër arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pjesë e tubimit ishin edhe personazhe publike. Që atë ditë opozita ngriti zërin duke kërkuar që si në protestat e tyre, edhe kësaj here të vendosej gardhi rrethues. Por mesa duket të njëjtat pretendime ka edhe GJKKO dhe SPAK. Në Kuvend, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se masat nuk ishin marrë për shkak se nuk ishin lajmëruar për protestë./ZËRI
Tensione në Kuvend/ Bardhi kërkon fjalën, Garda rrethon Foltoren

TIRANË- Tensionet nuk kanë munguar në seancën e sotme plenare. Kryeparlamentarja Elisa Spiropali nuk lejoi replikën e Gazment Bardhit me Blendi Klosin, vendim i cili shkaktoi reagimin e ashpër të demokratëve, me Bardhin dhe deputetin Flamur Noka që iu afruan foltores në shenjë protestë, ndërsa aty u vendos edhe garda. Deputetët akuzuan mazhorancën për pengim të debatit parlamentar, ndërsa Spiropali u kërkoi vazhdimisht demokratëve të ulen në vendet e tyre pasi do të merrnin fjalën më pas.
Bardhi: Më jep fjalën për procedurë
Noka: Po shkel rregulloren
Spiropali: Jo, nuk e shkel as për ju, as për mazhorancën. Deputet, ulu të lutem. Garda mund të largohet, nuk ka nevojë
/ZËRI
Votimi me dokumente identifikimi të huaja/ Klosi: Hile! Tabaku: Presione ndaj emigrantëve

TIRANË-Në seancën plenare në Kuvend po diskutohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, u shpreh kundër propozimit të opozitës që shqiptarët e Diasporës të votojnë me dokumente identifikimi të vendeve ku jetojnë.
Blendi Klosi: Kërkojnë që çdokush që ka një telefon, të regjistrojë sa herë të dojë. Kjo do ta hedhë në erë sistemin. Nuk ka negociatë për këtë. Kush ka celular, për 2 minuta del gjurmë ID dhe të japin çdo të dhëë si është forma e një karte belge. Mund të prodhohen aq shumë dokumente, sa mund të hedhin sistemin në erë. Nuk mund të identifikohet dot. Prandaj po e them, nëse do të paraqitet me ndonjë dokument anglez, kanadez etj, nuk mund të verifikohen dot. Është një hile, nuk është një dëshirë për të prodhuar më shumë shqiptarët. Hile nga ai i katit të tetë (Berishës). Kërkojnë të ndërtojnë një mekanizëm që manipulohet kaq thjeshtë. Kjo është një hile aq e vjetër sa lideri i tyre.
Ndërkohë deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku gjatë fjalës së saj në Kuvend akuzoi mazhorancën se janë ata që kanë larguar shqiptarët në Diasporë dhe po i detyrojnë të votojnë për ta.
Jorida Tabaku: Kemi dëgjuar për presione të papara ndaj shqiptarëve të Diasporës. I keni detyruar të largohen nga vendi, tani doni t’i detyroni të votojnë për ju. Kemi parë raste të emigrantëve që janë fotografuar në takimet tona dhe fotot i kanë sjellë këtu si presion ndaj familjarëve të tyre. Arrestimi i 10 shkurtit (Veliajt) është pikë kthese. Shqiptarët po shohin të vërtetën e një sistemi të kalbur. Kemi parë vetëm majën e ajsbergut, nuk janë akuzat e ngritura vetëm për një kryetar bashkie por të një skeme të organizuar që zhvasnin paratë e shtetit. Është skemë që ka kapur të gjithë vendin. Kjo është ajo që bëri Ahmetaj dhe Ilir Beqaj. Ky është fillimi i shembjes së një kulture kriminale që për 12 vite ka vjedhur. Arrestimi i Veliajt nuk shënon fundin e korrupsionin, por tregon se korrupsioni ka hyrë në cdo vend.
Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, çfarë pritet të ndodh

TIRANË-Kuvendi zhvillon sot seancën plenare me të njëjtin rend të ditës të seancës së të enjtes së kaluar. Kuvendi do të shqyrtojë projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë””, i ndryshuar si dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë””, i ndryshuar.
Në rendin e ditës në Kuvend është edhe projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr.1/2024 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediteriane të 12 dhjetorit 2024, për ndryshimin e vendimit nr.1/2023 të Komitetit të Përbashkët, miratuar me ligjin nr.59/2024, në lidhje me përdorimin e certifikatave të qarkullimit të lëshuara në mënyrë elektronike, në kuadrin e kësaj konvente, të zbatueshme që nga 1 janari 2025”.
Më pas do të diskutohet projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar.
Kuvendi do të shqyrtojë edhe dy projektvendime për zgjedhjen e kryetarit dhe një anëtari të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Gjithashtu Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektvendimin “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”.
Në seancë pritet të shqyrtohet edhe projektvendimi “Për emërimin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do mbajë funksionin e Kryetarit të Bordit”.
Gjithashtu do të shqyrtohet edhe projektvendimi “Për miratimin e fondit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e vitit 2025”.
Kuvendi gjithashtu do të shqyrtojë projektvendimet për lirimin e Gëzim Podgoricës dhe Genc Përmetit nga detyra e anëtarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar si dhe projektvendimet për shkarkimin e Leka Bungos nga detyra e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar si dhe shkarkimin nga detyra e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, Albert Minga, Ardita Reçi, Dionis Papadhimitri, Edmond Tullumani, Engjëll Ndocaj, Ilir Keko, Mevlan Shanaj dhe Milena Selimi./ZËRI