“Sot në QSUT nuk mungon asnjë ilaç”, Minstrja Sala: Analizat nuk ndërpriten në asnjë moment
TIRANË-Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala gjatë fjalës së saj në Kuvend hodhi poshtë edhe çdo pretendim për qarkullimin e barnave të skaduara në treg dhe deklaroi se në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk mungon asnjë ilaç dhe se për vitin 2026 nuk ka patur asnjë rritje të çmimit të barnave, falë metodologjisë së re të zbatuar.
"Sot në QSUT nuk mungon asnjë bar. Në lidhje me çmimet e barnave dua të theksoj se nuk ka patur rritje gjatë vitit 2026. Përkundrazi, në disa raste ka patur ulje të çmimit, si rezultat i një metodologjie të përmirësuar, e cila bazohet në standardet europiane dhe në zbatimin rigoroz të legjislacionit në fuqi,"-deklaroi Evis Sala.
Sala sqaroi edhe akuzat e bëra për ndërprerje të analizave pas datës 20 të çdo muaji. Sala tha se kontrata parashikon një planifikim mujor të të volumit dhe buxhetit të analizave për çdo spital dhe kur arrihet rreth 75% e këtij vëllimi, koncesionari njofton strukturat drejtuese përkatëse. Sala thotë se në këtë fazë, shërbimi vijon normalisht, por prioritet u jepet analizave urgjente.
“Në momentin kur arrihet rreth 75% e këtij volumi, koncesionari njofton strukturat drejtuese përkatëse, si një mekanizëm monitorimi dhe menaxhimi të përdorimit të shërbimit. Në këtë fazë, shërbimi vijon normalisht, por prioritet i jepet analizave urgjente dhe atyre të domosdoshme për vendimmarrjen klinike. Kjo do të thotë se në raste të caktuara mund të shtyhen disa analiza rutinë, por në asnjë rast nuk cenohet ekzaminimi, diagnostikimi apo trajtimi i pacientit. Pra, çdo pacient që ka nevojë për analizë në funksion të diagnozës apo trajtimit, e merr atë pa ndërprerje,"-u shpreh Sala.
Debate për KAYO-n/ Balliu: Përdoret për afera korruptive, ministri Nufi: Bashkëpunon me kompani private, 400 mln € fitime
TIRANË- Deputeti demokrat, Klevis Balliu, gjatë interpelancës me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, u ndal te roli dhe funsionimi i shoqërisë KAYO. Balliu pretendoi se kompania shtetërore e krijuar për krijimin e armëve po përdoret për afera korruptive.
Ministri Nufi hodhi poshtë të gjitha pretendimet e Balliut, duke theksuar se KAYO nuk është konceptuar si një kompani prodhuese në kuptimin klasik, por si një strukturë që bashkëpunon me partnerë privatë dhe kapital të specializuar në industrinë ushtarake.
Më tej, ai tregoi se Shqipëria nëpërmjet kompanisë ka siguruar marrëveshje me shtetin e Izraelit për prodhimin e dronëve luftarakë të teknologjisë së fundit që garanton sigurinë e forcave tokësore të ushtrisë shqiptarë.
Sipas Nufit, KAYO bashkëpunon me kompani të specializuara në fushën e prodhimit të municioneve, ndërsa përfitimet e Shqipërisë nga ky bashkëpunim përkthehet në fitime deri në 400 milionë euro dhe mbi 1 vende punë për qytetarët.
Pjesë nga debati:
Balliu: Këtë interpelancë e kam kërkuar sepse ka të bëjë me interesin kombëtar, i cili sot po cënohet vetëm për interesa korruptive dhe afera korruptive, tanimë jo nëpërmjet një kompanie apo një tjetër, por nëpërmjet krijimit të një kompanie shtetërore e cila bashkëpunon me kompani të tjera private për të ndërtuar afera korruptive. Kjo është kompania KAYO.
Kjo interpelancë bëhet për të kërkuar sqarime mbi një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të Shqipërisë, paratë e çdo taksapaguesi shqiptar dhe reputacionin e vendit tonë brenda NATO-s. Çdo qytetar shqiptar ka të drejtë të kuptojë se çfarë po ndodh me paratë dhe sigurinë e tij.
Nufi: Është rast shumë i mirë të prezantoj detyrat e shoqërisë KAYO. KAYO është konceptuar jo si një kompani drejtpërdrejt prodhuese, por qëllimi i saj është të ketë një funksion holding, pra të bashkëpunojë me kompanitë e prodhimit të mjeteve ushtarake. Ky është një model ndërkombëtar dhe qëllimi është të angazhojë kapitale private dhe jo shtetërore. Fusha e ushtrisë është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Është e vërtetë që edhe në vende të tjera ka kompani private që prodhojnë, janë private jo shtetërore. KAYO është themeluar në vitin 2024. Kjo është një praktikë që i shërben transparencës. Ka vende në BE që sot kanë prodhuesin dhe rregullatorin që bashkëpunojnë, pra nuk është Shqipëria rasti i vetëm. Qëllimi i KAYO-s është rijetëzimi i industrisë ushtarake shqiptare, si një angazhim që Shqipëria duhet ta marrë si anëtare e NATO-s.
...
Në kundërshtim nga çfarë pretendon deputeti i nderuar, që i gjykoj të nxituar dhe aspak serioze për sa kohë flasim për sigurinë kombëtare dhe kapacitet prodhues në Republikë, do të ishte shumë e drejtë të ishte një realitet tjetër, sot fqinjët tanë kanë 5 miliardë euro në vit fitim nga industria ushtarake përveç faktit që forcat e ushtrisë kanë rezerva të garantuara për sigurinë kombëtare. Kjo shihet me dritëhije se funksionon me partnerë privatë, patjetër që është ashtu sepse ata investojnë me kapital, deri tani buxheti i shtetit për shoqërinë janë 3 milion euro, të gjitha investimet e tjera për të katër kompanitë e krijuara vijnë patjetër nga kapitali privat.
"Ne fshatarëve s'na vjen radha", Korreshi ironizon: Situata në Lushnjë s'pret...apo kur të ketë terezinë ministrja (VIDEO)
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, bëri thirrje që të realizohet interpelanca me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala. Korreshi ironizoi për vonesën në pranimin kërkesës së tij për interpelancë. Ai shtoi se çështje nuk mund të neglizhohet, ndërsa solli në vëmendje situatën e spitalin të Lushnjës, e cila sipas tij, paraqitet mjaft shqetësuese.
"Me nder jush jam bërë edhe unë një kërkesë për interpelancë me shoqen ministre të punëve të shëndetit. Janë kategorizuar këtu deputetët, ne fshatarëve nuk na vjen radha? Kujtohet para ’90, kur mbaja radhën për vaj guri, kur më vinte mua radha nuk kishte më vajguri.
Edhe kjo pjesa e interpelancës po në të njëjtin nivel jeni. Në Lushnje nuk pret situata se kur do ta ketë terezinë ministrja. Ajo ka ca batuta të bukura e thotë në fund të vitit por deri atëherë nuk premton situata për spitalin e Lushnjes.“, u shpreh Korreshi.
Nga ana tjetër, Peleshi iu përgjigj se interpelancat e kërkuara nga Korreshi janë programuar në kalendarin që sapo u miratua dhe e ftoi atë t’i hidhte një sy./ZËRI
Rrëzohet kërkesa e Kaprit dhe Xhelal Mziut për interpelancë, demokrati: E padrejtë! Peleshi: Çështja është nën hetim
TIRANË- Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka hedhur për votim kërkesën për interpelancë të deputetit Xhelal Mziu, me ministrin për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Andis Salla. Me 74 votat e mazhorancës, u rrëzua kërkesa e deputetit Xhelal Mziu me ministrin e bujqësisë, Andis Salla për Fondet e IPARD.
Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, e konsideroi një vendim të pavend, ndërsa kërkoi që t’i jepet e drejta e interpelancës. Nga foltorja e kuvendit, Mziu kërkoi që t'i jepet e drejta për interpelancë, pasi prej javësh është kërkuar nga ai dhe një grup deputetësh.
“Unë dhe një grup deputetësh kishim kërkuar prej javësh një interpelancë me ministrin e Bujqësisë dhe në mënyrë të papritur ju zoti kryetar bëni anulimin e kësaj interpelance, për shkak se në një nga pikat kërkohet të diskutohet për fondet e IPARD-it, me pretendimin se ne futemi në kompetencën e SPAK-ut. Ju me pa të drejtë, meqenëse përmenden fondet e IPARD-it thoni se bie ndesh me SPAK. Është e paimagjinueshme. Parlamenti dhe SPAK-u janë dy institucione të ndryshme. Nëse SPAK heton individët për korrupsion, deputetët janë personat që marrin qeverinë në pyetje për problematikat e sektorit, siç është bujqësia. Është e padrejtë dhe dua të më jepet e drejta e interpelancës.”, tha Mziu.
Peleshi iu përgjigj duke thënë se pas shqyrtimit të përmbajtjes së kërkesës, është kthyer përgjigje se ajo është refuzuar, pasi nuk plotësonte kushtet ligjore për t’u pranuar. Kjo sepse çështja po hetohet nga SPAK.
“Do të cënonte parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Në këto rrethana kërkesa nuk mund të pranohet.”, tha Peleshi.
Kuvend: Bashkohen interpelancat, ministrat do mbajnë fjalën 1 herë
TIRANË- Ka nisur seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvend, ku pritet të zhvillohen 6 interpelanca të ndryshme si dhe të shqyrtohen 6 projektligje. Menjëherë në nisje, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka lexuar pikat e rendit të ditës.
Peleshi njoftoi gjithashtu se Konferenca e Kryetarëve ka miratuar projekt-kalendarin e punimeve parlamentare. Kryeparlamentari u shpreh se çdo ministër do të mbajë fjalën vetëm njëherë, ndërsa 74 deputetë votuan pro për bashkimin e interpelancave./ZËRI
Sot, Kuvendi në seancë plenare: 6 interpelanca, opozita përballë 4 ministrave (RENDI I DITËS)
TIRANË- Kuvendi do të mblidhet sot në seancën e radhës plenare, në orën 10:00. Seanca parashikohet me një rend dite të ngarkuar, pasi përfshihen disa interpelanca mes pozitës dhe opozitës dhe shqyrtimin e disa projektligjeve. Mësohet se seanca do të hapet me miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të datave 9 dhe 16 prill, si dhe me njoftime të ndryshme procedurale.
Konkretisht, është planifikuar të mbahen 6 interpelanca. Deputetët e opozitës kanë kërkuar interpelanca me Ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi dhe me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro. Tre të tjera janë parashikuar me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, të kërkuara nga deputetët Kliti Hoti, Bardh Spahia dhe Erisa Xhixho. Një tjetër interpelancë do të zhvillohet edhe me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, me kërkesë të deputetit Zija Ismaili. Në vijim, ministri i Financave, Petrit Malaj, do të jetë pjesë e një seance pyetje-përgjigje me deputeten Jorida Tabaku.
Rendi i Ditës:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 23.4.2026, ora 10:00. II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 9.4.2026 dhe 16.4.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Mbrojtjes, z. Ermal Nufi, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë urgjente me Ministrin e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
5. Interpelancë me Ministrin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputeti Kliti Hoti.
6. Interpelancë me Ministrin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputeti Bardh Spahia.
7. Interpelancë me Ministrin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho.
8.Interpelancë me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, kërkuar nga deputeti Zija Ismaili.
9. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputetja Jorida Tabaku.
10. Projektligji “Për lirinë e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë”. 11. Projektligji “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore”.
12. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 52/2024, “Për etiketimin e produkteve me ndikim në energji”.
13. Projektligji “Për ratifikimin e Konventës Shumëpalëshe, “Për lehtësimin e zbatimit të shtyllës së dytë, subjekt i rregullit tatimor”.
14. Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar”.
15. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 33, datë 31.03.2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.
16. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.