KAOS në Kuvend! Demokratët godasin tavolina, Pelishi kalon në votim, Noka u merr kartonët e mazhorancës
TIRANË-Në rikthimin në seancë pas pushimit, opozita ka përmbysur karriget dhe ka vijuar të mbajë të bllokuar foltoren. Mes kaosit kryeparlamentari Niko Peleshi ka kaluar rendin e ditës për votim. Vendimi i PS ka shkaktuar reagimin e deputetëve të opozitës, të cilët kanë kundërshtuar. Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka u ka marrë deputetëve të Partisë Socialiste kartonat jeshilë të votimit.
Nis me debate Kuvendi! Opozita bllokon foltoren, Noka i hedh letra fytyrës Ballës, ndërpritet seanca
TIRANË-Seanca e Kuvendit ka nisur me tensione, ku në momentin që kryetari Niko Peleshi po lexonte rendin e ditës, deputetët e opozitës bllokuan foltoren. Deputetët e opozitës kanë mbajtur në duar fotografi të studentëve të dhunuar.
Situata është tensionuar ku deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka i ka hequr mikrofonin kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla. Ndërkohë që Balla mori fjalën, pranë tij u afrua Flamur Noka, i cili i mori kartën dhe i bllokoi mikrofonin. Noka vijoi duke i hedhur letra në fytyrë Ballës, pasi ky i fundit tha se Policia e Shtetit po bën punën e vet në protestë.
Policia, kordon sigurie rreth Kuvendit, vendoset edhe një zjarrfikëse në oborr
TIRANË-Në pritje të seancës plenare, godina e Kuvendit është rrethuar nga efektivët. Policia ka rrethuar perimetrin në afërsi të parlamentit duke vendosur barriera metalike te Xhamia e Namazgjasë e deri te hyrja e institucionit. Në oborrin e Parlamentit është parë të futet edhe një zjarrfikëse.
Masat e shtuara vijnë, teksa të rinjtë dhe studentët kanë paralajmëruar protestë para Kuvendit.
View this post on Instagram
Deputetët në seancë plenare, studentë dhe pedagogë mblidhen para Parlamentit
TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në seancë plenate në orën 10:00. Javën e kaluar seanca e Kuvendit u shty si pasojë e trazirave dhe tensioneve të zhvilluara gjatë protestës së studentëve, ku edhe Kryesia e Kuvendit u përfshi nga sulmet. Seanca do të shoqërohet nga protesta e thirrur nga studentë e pedagogë, të cilët në ditën e 10-të tubimeve do të mblidhen para godinës së Parlamentit. Prej 9-ditësh Tirana ndodhet në 'duart' e studentëve dhe protestuesve.
Sa i përket seancës pika e parë e rendit të ditës parashikon një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, e kërkuar nga Partia Demokratike. Sipas rendit zyrtar të ditës, të miratuar me urdhër të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, më 20 tetor, janë parashikuar edhe interpelanca të tjera.
Deputeti i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka kërkuar gjithashtu interperlancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi dhe ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Në seancën e së enjtes do të shqyrtohen edhe disa projektligje, mes tyre ai për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave, si dhe ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, si dhe projektligjin për treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale.
Një tjetër pikë e rendit të ditës është projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale./ZËRI