Unioni Turistik Shqiptar reagon për protestat: Qeveria të hapë dialogun, dhuna rrezikon turizmin
TIRANË- Unioni Turistik Shqiptar ka reaguar për protestat e zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, duke kërkuar uljen e tensioneve dhe nisjen e dialogut mes qeverisë dhe studentëve.
Në deklaratën unionit paralajmëron se pamjet e përplasjeve dhe pasiguria mund të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në mediat ndërkombëtare, besimin e turistëve dhe marrëdhëniet me operatorët e huaj.
Organizata shpreh mbështetje për shqetësimet e të rinjve, duke theksuar se turizmi ka nevojë për profesionistë të rinj dhe se krijimi i kushteve për ta qëndruar në Shqipëri është i rëndësishëm për zhvillimin e sektorit.
Njëkohësisht, Unioni dënon përdorimin e pajustifikuar ose joproporcional të forcës nga policia dhe u bën thirrje protestuesve të ruajnë karakterin paqësor të tubimeve, duke shmangur veprimet që cenojnë sigurinë dhe bizneset private.
Në reagim, kërkohet që qeveria të shmangë retorikën nxitëse dhe të krijojë hapësirë për negociata, ndërsa studentët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre për dialogun me institucionet.
Deklarata e plotë:
Unioni Turistik Shqiptar po ndjek me shqetësim protestat e studentëve dhe të rinjve që po zhvillohen në Tiranë dhe në disa qytete të Shqipërisë, të cilat kanë shkaktuar përplasje dhe tensione sociale, duke sjellë lëndime të protestuesve dhe të forcave të rendit.
E drejta për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësinë është një nga vlerat themelore të një shoqërie demokratike. Por, në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje pjesëmarrësve në protesta që të ruajnë karakterin paqësor të tyre, të distancohen nga çdo veprim që cenon sigurinë e qytetarëve dhe të mos dëmtojnë bizneset private, shumica e të cilave janë në mbështetje të tyre.
Duke pasur parasysh se në këtë sektor kanë investuar shumë sipërmarrës të ndershëm dhe se shumë familje shqiptare kanë investuar kursimet e fëmijëve të tyre në emigracion, duhet që, së bashku, të mbrojmë këto investime, sepse ato nuk janë pronë e një qeverie apo e një force politike.
Shqetësimet e studentëve janë edhe shqetësimet tona, pasi ky sektor ka nevojë për të rinj të kualifikuar, të cilët t’i shërbejnë kësaj industrie dhe të mos detyrohen të emigrojnë jashtë vendit, por të qëndrojnë në Shqipëri dhe t’i shërbejnë kësaj industrie, e cila siguron të ardhura për dhjetëra mijëra familje.
Zhvillimet e ditëve të fundit, veçanërisht pamjet e dhunës dhe pasigurisë që përcillen në mediat ndërkombëtare, rrezikojnë të ndikojnë negativisht në imazhin e vendit, në besimin e turistëve dhe në marrëdhëniet me operatorët e huaj, me të cilët kemi ndërtuar një partneritet të besueshëm. Këta operatorë, mbi të gjitha, e kanë vlerësuar Shqipërinë për mikpritjen dhe sigurinë.
Për këtë arsye, Unioni Turistik Shqiptar u bën thirrje institucioneve shtetërore dhe drejtuesve të shtetit që të shmangin retorikën nxitëse dhe të krijojnë hapësirë për dialog, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e negociuar për të ndaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Qëllimi është të rikthehet normaliteti dhe të shmangen pasoja edhe më të rënda për njerëzit dhe ekonominë.
Dënojmë çdo përdorim të pajustifikuar apo joproporcional të forcës nga strukturat policore ndaj protestuesve dhe theksojmë se garantimi i rendit publik nuk mund të shërbejë si justifikim për cenimin e integritetit fizik, dinjitetit dhe të drejtave themelore të qytetarëve dhe, mbi të gjitha, për rrezikimin e jetës së protestuesve.
Unioni Turistik Shqiptar apelon për përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, të cilat do të ndihmojnë në uljen e tensioneve. Natyrisht, në këtë rast, qeveria duhet të hapë rrugën e dialogut. Por edhe studentët duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, me të cilët të negociohet.
Zëri i të rinjve duhet të dëgjohet me seriozitet dhe respekt nga institucionet shtetërore, në mënyrë që të garantohet paqja sociale, siguria dhe vazhdimësia e zhvillimit ekonomik të vendit./ZËRI
Policia nuk 'fal' protestuesit: 11 të arrestuar, mes tyre 2 të mitur! Në pranga edhe 33-vjeçari për sulmin ndaj Komisariatit nr. 3 (EMRAT)
TIRANË- Policia e Tiranës ka arrestuar 11 persona dhe ka proceduar në gjendje të lirë 7 të tjerë, pas protestës së të martës në kryeqytet. Sipas njoftimit, Policia bën me dije se mes të ndaluarve janë edhe dy të mitur.
Disa prej të arrestuarve: Ermal Progni, Gezim Karruli, Fernando Bahushi, Eugent Balla, Sajmir Dollapi, Enialdo Buci, Anxhelo Demollaj, Loris Zacaj, Elis Brahimi.
Ndërkohë, në vijim të hetimeve është identifikuar dhe ndaluar edhe një 33-vjeçar, i dyshuar për dëmtimin e ambienteve të Komisariatit të Policisë nr.3. Gjatë sulmit të godinës, sipas autoriteteve, janë përdorur lëndë piroteknike, gurë dhe bomba molotovë, duke shkaktuar zjarr dhe dëmtime materiale, si dhe duke dëmtuar dhjetë punonjës policie.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të zhvilluar dje:
\- u arrestuan në flagrancë shtetasit E. P., 29 vjeç, G. K., 24 vjeç, F. B., 19 vjeç, E. B., 23 vjeç, S. D., 52 vjeç, E. B., 27 vjeç, A. D., 23 vjeç, L. Z., 18 vjeç dhe E. B., 20 vjeç, si dhe dy shtetas të mitur;
\- u proceduan në gjendje të lirë 7 shtetas.
Ndërkohë, në vijim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, për identifikimin dhe kapjen e personave që sulmuan punonjësit e Policisë dhe godinën e Komisariatit të Policisë Nr. 3 me lëndë piroteknike, gurë e bomba molotov, duke shkaktuar zjarr dhe dëmtime në godinën e Komisariatit, si dhe duke dëmtuar 10 punonjës policie, u identifikua dhe u ndalua shtetasi E. K., 33 vjeç, i cili dyshohet se gjatë tubimit, tri ditë më parë, ka dëmtuar me sende të forta ambientet e këtij komisariati.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Shkatërrimi i pronës", "Shkatërrimi i pronës me zjarr", "Goditjet për shkak të detyrës", "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme", "Kundërshtimi i punonjësit të Policisë të rendit publik", "Prishja e qetësisë publike", "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik", "Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive", "Pengimi i qarkullimit të mjeteve", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".
Gjatë protestës së mbrëmjes së 18 tetorit në Tiranë, situata u përshkallëzua, teksa Komisariati i Policisë Nr. 3 u përfshi nga flakët. Si pasojë e zjarrit, u dogj kati i parë i godinës, ndërsa 10 efektivë policie mbetën të lënduar./ZËRI
Pa gurë dhe pa ujë me presion, vijon në tone paqësore protesta sot në Tiranë (VIDEO)
TIRANË- Ndryshe nga ditët e mëparshme, dita e nëntë e protestës po zhvillohet në qetësi dhe pa tensione. Pas qëndrimit prej më shumë se një prë para Ministrisë së Arsimit, protestuesit kanë vijuar marshimin drejt Kryeministrisë. Aktualisht, situata paraqitet e qetë dhe protesta po vijon në mënyrë paqësore.
View this post on Instagram
Mëngjesin e sotëm, me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, studentëve dhe të rinjve u janë bashkuar edhe pedagogët./ZËRI
Rama i vendosi për dialog, protestuesit e refuzojnë, ia hedhin karriget drejt Kryeministrisë
TIRANË-Pedagogë e protestues kanë refuzuar sërsh ftesën për dialog të kryeministrir Edi Rama. Njejtë si një ditë më parë Rama vendosi karrige para Kryeministrë, por protestuesit i rrëzuan edhe sot karriget e vendosura si thirrje për dialog. Pjesë e protestët të studentëve janë edhe pedagogët të cilët janë vendosur për të dytën ditë radhazi para Kryeministrisë në mbështetje të studentëve.
View this post on Instagram
'Bojkot deri në plotësimin e kërkesave', Sindikata e Pedagogëve: Ndalni dhunën ndaj studentëve
TIRANË-Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçi ka lexuar para mediave vendimin e Kryesisë së Sindikatës, për shpalljen e bojkotit në të gjitha universitetet e vendit. Kreu i Sindikatës njoftoi se e njëjta situatë do të vazhdojë derisa kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të jepet përgjigje për kërkesat e studentëve. Kovaçi ka theksuar se do të mbështesin studentët, ndërsa ka kërkuar që të mos merret asnjë masë disiplinore ndaj çdo pedagogu që merr pjesë në protestë.
Deklarata:
Media në këtë protestë ka shkuar pushteti i parë, me prezencën në terren kanë mbrojtur qytetarët. Sindikata ka bërë një vendim për organizimin e bojkotit në mbështetje të studentëve, jemi pro studentëve në mbështetje të tyre dhe kundër dhunës.
Kryesia në mbledhjen e 20 tetorit në sheshin e protestës vendosi njëzëri bojkotin e në të gjithë universitetet e Shqipërisë. Bojkoti nis sot dhe vijon deri në një njoftim të dytë.
Arsyet: Studentët protestojnë për arsim, shëndetësi, llogaridhënie etj. Përgjigja e marrë ka qenë heshtja dhe dhuna. Nuk mund të vijojmë mësimin kur studentët tanë dhunohen. Jemi në një mendim me studentët. Të ndalohet dhuna ndaj studentëve dhe protestuesve. Hetim për përdorimi n e forcës policore dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që ushtruan dhe udhëhoqën dhunën. Trajtim i ligjshëm dhe dinjnitoz i çdo të riu të ndaluar. Thirrje rektorëve të respektojnë vendimin dhe të mos ketë masa ndaj pedagogëve të cilët marrin pjesë në protestë. Deri sa themi të realizohen kërkesat e studentëve, nuk duam dialog, por dorëheqje
Protesta e studentëve/ Dalin sot para Gjykatës së Tiranës 58 protestues, do të njihen me masën e sigurisë
TIRANË-58 prej të arrestuarve gjatë protestave studentore do të dalin sot para Gjykatës së Tiranës për t'u njohur me masën e sigurisë. Gjykata Penale e Tiranës një ditë më parë liroi nga qelia 28 protestues të arrestuar gjatë protestave të dhunshme në kryeqytet, duke caktuar për të gjithë masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Gjykata nuk ka publikuar emrat e personave që do të dalin përpara saj, ndërsa prindërit paraqiten pranë ambienteve të gjykatës dhe pyesin për fëmijët e tyre.
Protesta e studentëve/ Pedagogët shpallin bojkotin e mësimit në universitetet publike
TIRANË-Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka nisur bojkotin e mësimdhënies në të gjitha universitetet publike të vendit, në solidaritet me studentët dhe nxënësit që protestojnë. Bojkoti nis nga sot dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë, ndërsa pedagogët, sikurse ditën e djeshme, do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 para Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik.
Në njoftimin zyrtar, sindikata shprehet se studentët protestojnë prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, sigurinë e jetës dhe pronës, si dhe llogaridhënien. Sipas saj, përgjigjja ndaj kërkesave të tyre ka qenë heshtja dhe, që prej 13 tetorit, edhe dhuna. Rikthimi në auditor do të jetë, pasi studentët të marrin përgjigjen që meritojnë, thuhet në njoftim.
“Arsyet e bojkotit: Studentët protestojnë prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, siguri jete e prone, për të drejtën e llogaridhënies etj. Përgjigjja që kanë marrë nuk ka qenë dialogu, por heshtja dhe, që nga 13 tetori dhe në vijim, edhe dhuna ekstreme. Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë. Pedagogët ndajnë të njejtat oipinione me studentet në lidhje me zhvillimet politike, ekonomike, korrupsionin galopant, mungesën e meritokracisë etj. Bojkoti nuk është braktisje e auditorit. Është mënyra jonë për të treguar se auditori, pa të drejta dhe pa dinjitet, humbet kuptimin e vet. Do të kthehemi në auditor, sapo studentët tanë të marrin përgjigjen që meritojnë”, thuhet në njoftim.


Lëvizja vjen një ditë pasi pedagogët nisën protestën në mbështetje të studentëve.
'Dora ime është e shtrirë'! Rama nxjerr sërish karrige para zyrës: 1001 halle por dhuna është krim, distancohuni
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka vendosur sërish karriget me mbishkrimin 'DIALOG' para kryeministrisë. I vendosur para zyrës së tij, Rama deklaron se një ditë më parë thirrja për bisedime mori përgjigjen e dhunës, ku gjatë tubimit të studentëve dhe pedagogëve karriget e vendosura para kryeministrisë u thyen. Kreu i qeverisë thekson se dora e tij është e shtrirë për këdo që mendon ndryshe.
Rama deklaron se e drejta e protestës është e pamohueshme, por dhuna është krim. Me thirrjet për distancim nga aktet e dhunës, Rama njofton se çdo dhunues do të marrë përgjigje ligjore dhe financiare.
View this post on Instagram
Edi Rama: Ka një mijë e një pakënaqësi, një mijë e një halle, një mijë e një probleme, mund të ketë edhe 1001 arsye për të protestuar, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun mes njerëzve që ndajnë të njëjtin atdhe, mes njerëzish që ndajnë një atdhe, që kanë të njëjtën shtëpi të përbashkët, mes njerëzish që duan të njëjtën gjë në fund, si ta bëjnë Shqipërinë më të mirë. E drejta e protestës është e pamohueshme, dhuna është krim i ndëshkueshëm. Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot dialogu është këtu përsëri.
Dora ime është e shtrirë për këdo që mendon ndryshe nga unë dhe që mendon ndryshe nga shumica e terrorizuar nën trysninë e dhunës. Por çdo gjë që kërkojmë më mirë, më shumë dhe më shpejtë, bëhet me punë, me të ardhurat nga puna, duke i çuar ato të ardhura aty ku janë problemet që kërkojnë zgjidhje. Distancohuni nga dhuna dhe çdo dhunues do të marrë përgjigje. Përgjigja do të jetë konstante, ligjore dhe financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët dhe pasurinë e tjetrit do të paguajë. Në Shqipëri gjithësecili do të ketë vendin e vet, por nga ana tjetër liria e askujt nuk mund të shtrihet aty ku fillon liria e të tjerëve. E drejta e askujt nuk mund të imponohet aty ku të tjerët kanë të drejtë të jetojnë nën qiellin e përbashkët të bashkëjetesës demokratike e paqësore.
Sot protestat e studentëve të shoqëruara me trazira, përplasje mes efektivësh, shkatërrime të bizneseve dhe institucioneve publike, shënojnë ditën e 9-të radhazi./ZËRI