BE bën thirrje për takim të jashtëzakonshëm për Lindjen e Mesme

BRUKSEL- Shefja e politikës së jashtme evropiane, Kaia Kallas ka kërkuar një mbledhje emergjente të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian për ditën pas të martës mbi çështjen e konfliktit midis Izraelit dhe Iranit. Lajmin e bëri me dije një zyrtar i lartë i BE-së.
"Duke pasur parasysh seriozitetin e situatës në Lindjen e Mesme, 27 shteteve anëtare u bëhet thirrje të koordinojnë përpjekjet e tyre për të ulur tensionet,"- tha zyrtari.
Takimi i së martës do të mbahet nëpërmjet video-konferencës.
Izraeli kreu bombardime në të gjithë Iranin për të tretën ditë radhazi të dielën dhe kërcënoi se do të përdorë forcë edhe më të madhe, ndërsa disa raketa iraniane i shpëtuan mbrojtjes ajrore izraelite dhe goditën ndërtesa në zemër të vendit, duke i vrarë dhjetëra njerëz. Rajoni është duke u përgatitur për një konflikt të zgjatur. Deri më tani, Izraeli thotë se sulmet iraniane kanë vrarë 13 persona dhe kanë plagosur 380 të tjerë. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë e Iranit raporton për 128 të vdekur dhe rreth 900 të plagosur./ZËRI
Reuters: Trump vuri veto për ekzekutimin e Khameneit nga ushtria izraelite

TEHERAN- Një komplot për të vrarë Ali Khamenein u pengua nga Donald Trump. Sipas Reuters, presidenti amerikan i vuri veto Izraelit në planin që ata thurën për të ekzekutuar udhëheqësin Suprem Fetar të Iranit. Media, duke cituar zyrtarë amerikanë, Trump pengoi planin për të vrarë Udhëheqësin Suprem Fetar të Iranit, i cili me shumë gjasa u krye nga Ushtria Izraelite.
"A kanë vrarë iranianët ndonjë amerikan? Jo. Derisa ta bëjnë këtë, nuk lejohet goditja e udhëheqjes politike,"- tha një nga burimet, një zyrtar lartë i qeverisë amerikane.
Po i njëjti person, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se zyrtarët e lartë amerikanë kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarët izraelitë në ditët që kur Izraeli nisi një sulm masiv ndaj Iranit në një përpjekje për të ndaluar programin e tij bërthamor. Sipas tij, izraelitët raportuan se kishin një mundësi për të vrarë udhëheqësin më të lartë iranian, por Trump i detyroi të hiqnin dorë nga plani. Por nuk e zbuloi nëse ishte vetë Trump, ai që e përcolli mesazhin.
Por Trump ka qenë në komunikime të shpeshta me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Që nga ardhja e tij në pushtet, Trump kishte shpresuar për një rifillim të negociatave SHBA-Iran mbi programin bërthamor të Teheranit. Por, bisedimet që ishin planifikuar të zhvilloheshin të dielën në Oman u anuluan si pasojë e sulmeve ajrore. Izraeli thotë se sulmet iraniane kanë vrarë 13 persona dhe kanë plagosur 380 të tjerë. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë e Iranit raporton për 128 të vdekur dhe rreth 900 të plagosur./ZËRI
VD- Frika nga bombardimet, iranianët po largohen nga Teherani

TEHERAN- Iranianët filluan të largoheshin masivisht nga Teherani drejt veriut, më 15 qershor, ndërsa sulmet ajrore izraelite vazhduan të synonin infrastrukturën ushtarake dhe objektet bërthamore për të tretën ditë me radhë në kryeqytetin e vendit, por edhe në periferitë e tij.
CNN raportoi se shumë banorë po përpiqeshin të iknin në Iranin verior, duke shkaktuar bllokimin e rrugëve nga trafiku.

"Nuk dua të largohem nga shtëpia ime, por nuk do t'i vë fëmijët e mi të vegjël në këtë situatë,"- tha për CNN një baba i dy fëmijëve, i cili kërkoi të mos identifikohej.
"Shpresoj që SHBA-të do të ndërhyjnë për të ndaluar sulmet midis dy vendeve", shtoi ai.
TRAFIKU ME VIDEO:
Forcat Ajrore Izraelite nisën një sulm të papritur ndaj Iranit të premten në mëngjes, duke kryer sulme në shtëpitë e zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe shkencëtarëve iranianë. Të dielën, Forcat Mbrojtëse të Izraelit lëshuan një paralajmërim të paprecedentë për qytetarët iranianë, duke i kërkuar që të evakuoheshin nga zonat përreth fabrikave të armëve.
Kryetari i Këshillit të Qytetit të Teheranit, Mehdi Charman, tha se qyteti po kërkon zgjidhje alternative pasi nuk ka strehimore për të mbrojtur qytetarët nga bombardimet./ZËRI
Izraeli dhe Irani vazhdojnë të shkëmbejnë sulme për ditën e tretë radhazi

TEL AVIV- Izraeli kreu bombardime në të gjithë Iranin për të tretën ditë radhazi të dielën dhe kërcënoi se do të përdorë forcë edhe më të madhe, ndërsa disa raketa iraniane i shpëtuan mbrojtjes ajrore izraelite dhe goditën ndërtesa në zemër të vendit, duke i vrarë dhjetëra njerëz. Rajoni është duke u përgatitur për një konflikt të zgjatur pas bombardimeve të papritura të Izraelit ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake të Iranit të premten, ku u vranë disa gjeneralë dhe shkencëtarë të lartë bërthamorë.
Prej të premtes, as Izraeli e as Iranit nuk po tregojnë shenja zmbrapsjeje. Të dielën pasdite, ushtria izraelite, përmes një postimi në rrjetet sociale, paralajmëroi iranianët të largohen nga fabrikat e armëve, duke lënët të kuptohet se do ta zgjerojë fushatën e bombardimeve.
Izraeli, i vetmi shtet — megjithëse i padeklaruar zyrtarisht — me armë bërthamore në Lindjen e Mesme, tha se e nisi sulmin për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i një arme bërthamore. Kryeqyteti i Iranit, Teherani u trondit nga shpërthime rreth mesditës dhe më pas sërish rreth orës 15:30 të dielën. Agjenci gjysmëzyrtare, të afërta me Gardën Revolucionare të Iranit, raportuan për një sulm në zonën e sheshit Vali-e Asr në qendër të qytetit dhe një tjetër në një lagje ku ndodhet selia e forcave ajrore.
Sirenat ranë në pjesën më të madhe të Izraelit sërish rreth orës 16:00 të dielën, duke paralajmëruar për sulme ajrore nga Irani gjatë ditës. Prej së filluan luftimet, Irani ka kryer sulme vetëm natën. Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima.
Irani tha se Izraeli goditi dy rafineri nafte, duke ngritur shqetësime për një sulm më të gjerë ndaj industrisë së energjisë iraniane, gjë që mund të ndikojë në tregjet globale. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shprehu mbështetje të plotë për veprimet e Izraelit, duke paralajmëruar Iranin se mund t’i shmangë shkatërrimet e mëtejshme vetëm duke pranuar një marrëveshje të re për programin e vet bërthamor. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha të dielën se nëse sulmet izraelite ndaj Iranit ndalojnë, “atëherë edhe përgjigjet tona do të ndalen”.
Dhjetëra të vrarë
Ambasadori i Iranit në OKB tha të shtunën se 78 persona janë vrarë dhe mbi 320 janë plagosur. Që atëherë, nuk ka pasur ndonjë përditësim zyrtar. Izraeli deklaroi se 13 persona janë vrarë dhe mbi 360 janë plagosur. Sipas të dhënave izraelite, Irani ka lëshuar mbi 270 raketa, nga të cilat 22 kanë goditur shënjestrat. Aeroporti kryesor ndërkombëtar i vendit dhe hapësira ajrore kanë mbetur të mbyllura për ditën e tretë radhazi.
Sulmet izraelite shënjestruan Ministrinë e Mbrojtjes së Iranit të dielën në mëngjes, pasi kishin goditur më parë mbrojtjen ajrore, baza ushtarake dhe objekte të lidhura me programin bërthamor.
Të paktën 10 njerëz u vranë nga sulmet iraniane vetëm gjatë natës dhe mëngjesin e së dielës, sipas zyrtarëve. Të paktën gjashtë njerëz, përfshirë një 10-vjeçar dhe një 9-vjeçare, u vranë kur një raketë goditi një ndërtesë banimi në Bat Yam, pranë Tel Avivit.
Daniel Hadad, komandant lokal policie, tha se 180 persona u plagosën dhe shtatë rezultojnë të zhdukur. Katër njerëz të tjerë, përfshirë një 13-vjeçar, u vranë dhe 24 të tjerë u plagosën kur një raketë goditi një ndërtesë në qytetin arab Tamra në veri të Izraelit. Një tjetër sulm në qytetin qendror Rehovot la të plagosur 42 njerëz.
Thirrje urgjente për shtensionim
Liderët botërorë kanë bërë thirrje urgjente për shtensionim të gjendjes. Sulmet ndaj objekteve bërthamore vendosin një “precedent të rrezikshëm”, tha ministri i jashtëm i Kinës. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i hodhi poshtë këto thirrje, duke thënë se sulmet e deritanishme të Izraelit janë “asgjë krahasuar me atë që do të ndiejnë ata nga forcat tona në ditët në vijim”.
Irani dhe Izraeli janë armiq rajonalë për dekada me radhë.
Irani gjithmonë ka pohuar se programi i tij bërthamor është paqësor, dhe SHBA së bashku me të tjerë kanë vlerësuar se ai nuk ka synuar zhvillimin e armës që nga viti 2003. Megjithatë, Irani ka pasuruar sasi gjithnjë e më të mëdha uraniumi në nivele afër atyre për armë dhe besohet se mund të zhvillojë disa armë brenda muajsh nëse dëshiron ta bëjë. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike e OKB-së e dënoi Iranin javën e kaluar për mospërmbushjen e detyrimeve të tij.
Irani i quan bisedimet bërthamore “të arsyeshme”
Shteti i Gjirit Arab, Omani, i cili ka ndërmjetësuar bisedime indirekte mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor të Teheranit, tha se rundi i gjashtë i planifikuar për të dielën nuk do të zhvillohet.
“Ne mbetemi të angazhuar për bisedime dhe shpresojmë që iranianët të kthehen në tryezën e bisedimeve së shpejti”, tha një zyrtar i lartë amerikan në kushte anonimiteti.
Araghchi, ministri i jashtëm i Iranit, tha të shtunën se bisedimet bërthamore janë “të arsyeshme” pas sulmeve të Izraelit, të cilat ai i quajti “rezultat i mbështetjes së drejtpërdrejtë nga Uashingtoni”./REL
Irani pranon vrasjen e 7 komandantëve të tjerë të lartë

IZRAEL-Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen, ndërsa Irani ka pranuar vrasjen e shtatë komandantëve të tjerë të lartë të Forcës Ajrore të Gardës Revolucionare, të cilët, sipas raportimeve, u vranë në sulmet izraelite të së premtes në mëngjes.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, komandantët e vrarë janë:
Mahmoud Bagheri
Davood Sheikhiyan
Mohammad Taherpour
Mansour Safarpour
Masoud Tayeb
Khosro Hassani
Javad Jarsora
Më herët, ishte konfirmuar vrasja e komandantit të njohur Amir Ali Hajizadeh, ndërsa raportimet përfshijnë gjithashtu edhe gjeneralin Mohammad Bagheri, kreun e forcave të armatosura iraniane, dhe gjeneralin Hossein Salami, drejtues i Gardës Revolucionare.
Ushtria izraelite (IDF) ka deklaruar se në total janë vrarë mbi 20 komandantë iranianë gjatë goditjeve ajrore, që përfaqësojnë një nga operacionet më të mëdha dhe më të drejtpërdrejta kundër objektivave iraniane.
Dasma e djalit, organizimi i “Pride” dhe bisedimet mbi ‘bërthamorët’: Si e futi Netanyahu në 'grackë' Iranin

IZRAEL-Dasma e Avner Netanyahut, djalit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, është shtyrë zyrtarisht për shkak të kufizimeve të emergjencës në të gjithë vendin, konfirmuan organizatorët e eventit.
Fillimisht e planifikuar për të hënën, më 16 qershor, në lokalin luksoz Ronit Farm në veri të Tel Avivit, dasma e profilit të lartë u anulua për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme të sigurisë dhe rregulloreve të Komandës së Frontit të Brendshëm, të cilat ndalojnë të gjitha tubimet nën statusin aktual të emergjencës, të njohur si Niveli 4.
Kështu, përgatitjet dhe shkëlqimi i rrobave të zgjedhura nga një mijë të ftuar do të kishin shërbyer për t'i mahnitur iranianët në mënyrë që ata të mos shihnin atë që po përgatitej në hije.
Ndërsa përgatitjet për paradën e krenarisë të organizuar nga komuniteti LGBTQ+ vazhduan në Tel Aviv (të anuluara vetëm pas bastisjes), zëdhënësit e Benjamin Netanyahut konfirmuan se kryeministri do ta kalonte fundjavën në veri të vendit me gruan e tij Sara dhe më pas do të shkonte në ceremoni.
Këshilltarët njoftuan gjithashtu se qeveria do të mblidhej të enjten në mbrëmje dhe do të diskutonte rifillimin e negociatave për lirimin e pengjeve që mbahen ende në Gaza nga Hamasi. Pothuajse asnjë nga ministrat nuk e dinte se vendimi për të sulmuar Teheranin ishte marrë tashmë të hënën e kaluar, se Shtabi i Përgjithshëm po priste vetëm momentin më të përshtatshëm.
Samiti vazhdoi deri shumë vonë – gazeta Haaretz e rindërton – dhe kur dikush pyeti se në çfarë faze ishin planet për një bastisje të mundshme, Netanyahu u përgjigj “Tashmë është duke u zhvilluar”.
Në të njëjtën kohë, shpërthimet shqetësuan edhe udhëheqësit në Teheran. Regjimi, sipas burimeve të cituara nga New York Times, ishte i bindur se sulmi izraelit do të niste vetëm pas bisedimeve me amerikanët të planifikuara për sot në Oman. Megjithatë, Uashingtoni kishte urdhëruar një reduktim të personelit në rajon, një tregues i diçkaje të afërt.
Në mënyrë të pashpjegueshme, zyrtarë të nivelit të lartë ishin mbledhur të gjithë së bashku dhe u habitën nga sulmet.
Mediat izraelite pretendojnë se ishte Mossadi që i “bindi” ata të qëndronin së bashku në të njëjtin vend, gjë që më pas iu raportua forcave ajrore që i bombarduan./Nga Corriere della Sera
Izraeli sulmon selinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit në Teheran

IRAN-Izraeli nisi një sulm të zgjeruar ndaj Iranit, duke synuar industrinë e tij të energjisë dhe selinë e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa Teherani lëshoi një breshëri të re sulmesh vdekjeprurëse.
Sulmet kishin në shënjestër Ministrinë e Mbrojtjes dhe selinë e Logjistikës së Forcave të Armatosura në zonën Nobonyad, duke shkaktuar dëme të lehta në një ndërtesë administrative. Ushtria izraelite tha se forcat ajrore kryen një seri të gjerë sulmesh në kryeqytetin Teheran në lidhje me “projektin e armëve bërthamore” të Iranit.
Forcat izraelite shënjestruan "selinë e Ministrisë iraniane të Mbrojtjes, selinë e projektit bërthamor SPND" së bashku me objektiva të tjerë, tha ajo në X. Forcat izraelite goditën gjithashtu Organizatën e Inovacionit dhe Kërkimit Mbrojtës gjatë sulmeve të ndara në të njëjtën zonë.
Mes konfliktit të vazhdueshëm, negociatat e planifikuara midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara mbi programin bërthamor të Teheranit u anuluan, duke vënë në pikëpyetje se kur dhe si mund të vijë fundi i luftimeve./ZËRI
Konflikti Izrael-Iran! Netanyahu: Do të godasim përsëri. Presidenti i Iranit: Do të përgjigjemi ashpër

IRAN-Izraeli dhe Irani vazhdojnë të shkëmbejnë raketa dhe kërcënime vdekjeprurëse, me raportime për viktima dhe të plagosur nga të dyja palët.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha: "Ne kemi hapur rrugën për në Teheran. Në një të ardhme shumë të afërt, do të shihni aeroplanë izraelitë, Forcat Ajrore Izraelite, pilotët tanë, mbi qiellin e Teheranit. Ne i kemi dhënë një goditje shumë të rëndë vendit kryesor të pasurimit të uraniumit në Iran dhe, nëse është e nevojshme, do ta godasim përsëri".
Ndërkohë Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka paralajmëruar për një përgjigje "më të ashpër" nëse Izraeli vazhdon sulmet e tij.
"Vazhdimi i agresionit sionist [izraelit] do të përballet me një përgjigje më të ashpër dhe më të fuqishme nga forcat e armatosura iraniane", citohet të ketë thënë Pezeshkian
Izraeli raportoi se të paktën tre persona kishin vdekur dhe dhjetëra të tjerë ishin plagosur pasi sulmet iraniane ranë me shpejtësi mbi Tel Aviv dhe qytetet përreth. Ambasadori i Iranit në OKB raportoi se mbi 70 persona janë vrarë dhe mbi 300 të plagosur si pasojë e sulmeve izraelite. Përshkallëzimi i sulmeve të ndërsjella ka ngritur shqetësime për civilët në të dyja palët.
Trump: Ne nuk jemi të përfshirë! Nëse Irani na sulmon, do të përballen me ushtrinë tonë

SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar me një reagim të ashpër ushtarak nëse Irani kryen ndonjë sulm ndaj SHBA-së. Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump theksoi se vendi i tij nuk ka qenë i përfshirë në sulmin e fundit ndaj Iranit.
“Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë lidhje me sulmin ndaj Iranit, sonte,” shkroi presidenti amerikan.
Ai paralajmëroi: “Nëse ne sulmohemi në çfarëdo forme nga Irani, fuqia dhe forca e plotë e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara do të bjerë mbi ju në nivele që nuk janë parë kurrë më parë.”
Megjithatë, Trump shtoi se ekziston ende një mundësi për zgjidhje diplomatike:
“Ne mund të arrijmë lehtësisht një marrëveshje midis Iranit dhe Izraelit dhe ta përfundojmë këtë konflikt të përgjakshëm”.