LIVE UPDATES

Tym e flakë në Jerusalem! Izraeli dhe Irani shkëmbejnë sulme me raketa, viktima nga të dyja palët

➤Raketat iraniane kanë shënjestruar vende në të gjithë Izraelin, duke vrarë të paktën tre persona dhe duke plagosur dhjetra të tjerë, në njëhakmarrje për sulmet e vazhdueshme izraelite ndaj Iranit. ➤Të paktën 86 persona u vranë dhe 341 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore izraelite në shkallë të gjerë që shënjestruan tokën iraniane mbrëmjen e të premtes.➤Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë deklaruar se sulmet ajrore ndaj objektivave iraniane po vazhdojnë. ➤ Presidenti Donald Trump ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj sulmeve të Izraelit ndaj Iranit, duke i quajtur ato "të shkëlqyera" pasi fillimisht e paralajmëroi kryeministrin Netanyahu kundër veprimeve që mund të rrezikonin bisedimet bërthamore. ➤Trump ka fajësuar Iranin për refuzimin e propozimeve të SHBA-së për pasurimin e uraniumit dhe paralajmëron për sulme më brutale që do të vijnë.

5 artikuj për këtë temë.
1 DITE ME PARE

Irani paralajmëron SHBA-në, Britaninë dhe Francën: Do t’ju godasim, mos ndërhyni

Tym e flakë në Jerusalem! Izraeli dhe Irani shkëmbejnë sulme
FOTO ILUSTRUESE

IRAN-Irani ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën se bazat dhe anijet e tyre në rajon do të jenë në shënjestër nëse ndihmojnë për të ndaluar sulmet iraniane ndaj Izraelit. Kërcënimi u raportua nga media shtetërore iraniane, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë tashmë se Britania nuk ofroi mbështetje ushtarake për sulmin e Izraelit ndaj Iranit dhe as nuk ndihmoi në rrëzimin e dronëve iranianë. Ky paralajmërim vjen në mes të tensioneve të përshkallëzuara pas sulmeve të fundit me raketa ndërmjet Iranit dhe Izraelit./ZËRI

1 DITE ME PARE

Sulmet Izrael-Iran: Cilët janë skenarët më të këqinj?

Tym e flakë në Jerusalem! Izraeli dhe Irani shkëmbejnë sulme
foto ilustruese

IRAN-Për momentin, përplasja mes Izraelit dhe Iranit duket se është e kufizuar vetëm mes dy vendeve. Në Kombet e Bashkuara dhe në skena të tjera ndërkombëtare ka pasur thirrje të shumta për vetëpërmbajtje.

Po sikur të mos i dëgjojnë? Po sikur luftimet të përshkallëzohen dhe të zgjerohen? BBC sjell disa nga skenarët e mundshëm, në rastet më të këqija.

SHBA përfshihet në konflikt

Pavarësisht mohimeve të vazhdueshme nga SHBA-të, Irani duket se beson se forcat amerikane kanë miratuar, ose të paktën mbështetur në heshtje, sulmet e Izraelit. Si përgjigje, Irani mund të godasë objektiva amerikane në Lindjen e Mesme, si kampet e forcave speciale në Irak, bazat ushtarake në Gjirin Persik apo misionet diplomatike në rajon.

Edhe pse grupet aleate të Iranit si Hamasi dhe Hezbollahu janë dobësuar, milicitë pro-iraniane në Irak mbeten të armatosura dhe të gatshme për veprim. SHBA-të kishin frikë nga një skenar i tillë dhe ka tërhequr disa personele të saj nga rajoni. Ndërkohë, në deklaratat publike, Uashingtoni ka paralajmëruar Iranin për pasojat e çdo sulmi ndaj forcave apo qytetarëve amerikanë.

Po nëse një qytetar amerikan do të vritej në Tel Aviv apo gjetkë? Donald Trump, tani president i SHBA-së, mund të detyrohej të ndërhynte. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është akuzuar prej kohësh se kërkon te tërheqë SHBA-të në një luftë kundër Iranit. Vetëm SHBA-të zotërojnë bombat dhe avionët e specializuar për të shkatërruar objektivat më të mbrojtura bërthamore të Iranit, si objekti i Fordow-it.

Trump i ka premtuar bazës së tij se nuk do të nisë më “lufta të pafundme” në Lindjen e Mesme. Por një pjesë e konsiderueshme e republikanëve mbështet Izraelin dhe mendon se tani është momenti për të ndihmuar në ndryshimin e regjimit në Teheran. Nëse SHBA-të përfshihen drejtpërdrejt në luftë, kjo do të përbënte një përshkallëzim të madh me pasoja potencialisht katastrofike.

Vendet e Gjirit përfshihen në konflikt

Nëse Irani nuk arrin të dëmtojë objektivat ushtarake izraelite, ai mund të shënjestrojë objektiva më të pambrojtura në Gjirin Persik, sidomos vende që i konsideron se kanë ndihmuar kundërshtarët e tij ndër vite.

Në rajon ka një numër të madh objektivash strategjikë dhe energjetikë. Kujtohet sulmi ndaj rafinerive të naftës në Arabinë Saudite në vitin 2019 dhe sulmet e Houthive ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe në 2022.

Edhe pse më pas u shënua një afrim diplomatik mes Iranit dhe disa vendeve të Gjirit, këto vende ende kanë baza ushtarake amerikane dhe, në mënyrë diskrete, ndihmuan në mbrojtjen e Izraelit ndaj sulmeve raketore iraniane.

Në rast të një sulmi të tillë, këto vende mund të kërkojnë ndihmë ajrore nga SHBA-të, ashtu si Izraeli.

Izraeli dështon të shkatërrojë kapacitetin bërthamor të Iranit

Po sikur sulmet e Izraelit të mos arrijnë objektivat e tyre? Po sikur objektet bërthamore iraniane të jenë shumë të thella dhe të mbrojtura mirë? Irani zotëron aktualisht rreth 400 kg uranium të pasuruar në nivelin 60%, vetëm një hap larg për ta kthyer në armë bërthamore, sasi që mund të mjaftojë për rreth dhjetë bomba.

Thuhet se ky uranium mund të jetë fshehur në miniera sekrete. Edhe nëse Izraeli ka vrarë shkencëtarë bërthamorë, ai nuk mund të shkatërrojë dijen dhe përvojën e Iranit. Nëse sulmet e Izraelit i bindin udhëheqësit iranianë se mënyra e vetme për t’u mbrojtur është të garojnë me kohën për armë bërthamore, atëherë rreziku rritet ndjeshëm. Një udhëheqje më e re dhe më e papërmbajtur në Teheran mund të nxisë një përplasje të vazhdueshme në rajon.

Izraelitët kanë një shprehje të ashpër për këtë strategji: “kositja e barit”, që nënkupton sulme të përsëritura për të frenuar kërcënimet.

Tronditje në ekonominë globale

Çmimet e naftës janë tashmë në rritje. Po sikur Irani të përpiqet të mbyllë ngushticën e Hormuzit, duke bllokuar lëvizjen e naftës? Po sikur Houthit në Jemen, të vetmit aleatë të mbetur të Iranit, të dyfishojnë përpjekjet për të sulmuar anijet në Detin e Kuq?

Shumë vende në botë tashmë po përballen me krizë të kostos së jetesës. Një rritje e mëtejshme e çmimit të naftës do të përkeqësonte inflacionin në një sistem ekonomik global tashmë të brishtë, veçanërisht për shkak të luftës tregtare të Trump-it. Nga kjo situatë do të përfitonte presidenti rus Vladimir Putin, duke grumbulluar miliarda dollarë nga rritja e çmimit të naftës për të financuar luftën në Ukrainë.

Rrëzimi i regjimit iranian dhe pasojat

Po sikur Izraeli ta realizojë qëllimin e tij afatgjatë dhe ta rrëzojë regjimin revolucionar iranian? Netanyahu pretendon se qëllimi i tij kryesor është të shkatërrojë programin bërthamor iranian, por në deklaratën e tij të fundit ai la të kuptohej se synimi është më i gjerë, ndryshimi i regjimit.

Ai iu drejtua “popullit krenar të Iranit” duke thënë se sulmi i tij po “hap rrugën drejt lirisë” nga ajo që ai e quajti “regjim i lig dhe shtypës”.

Por rrëzimi i një qeverie të fortë qendrore mund të krijojë një vakuum të rrezikshëm. Historia e Irakut dhe Libisë tregon se çfarë mund të ndodhë kur një regjim bie pa një tranzicion të qartë.

1 DITE ME PARE

Analiza: Sulmi i Izraelit ndaj Iranit, ndezje e konfliktit në Lindjen e Mesme?

Tym e flakë në Jerusalem! Izraeli dhe Irani shkëmbejnë sulme
FOTO ILUSTRUESE

IRAN-Ta quash Lindjen e Mesme si 'fuçi baruti', duket se është pak. Pikërisht në këtë rajon Izraeli nën kryeministrin Benjamin Netanjahu hodhi tani një shkëndijë shpërthyese. Me sulmin në shkallë të gjerë ndaj 100 objektivave nëIran, të justifikuar si "goditje parandaluese" kundër zhvillimit të mundshëm të armës bërthamore iraniane. Sulmet e Izraelit,  edhe ndaj zonave të banuara në Teheran, sipas kryeministrit Netanjahu do të vazhdojne edhe për disa ditë.

Vështirë të parashikohen pasojat

Pasojat në rajon dhe më tej janë të paparashikueshme. Disa zhvillime megjithatë po konturohen qysh tani: Bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja të nisura në Oman për programin bërthamor iranian u anuluan nga pala iraniane. Sulmi i Izraelit pasoi dy ditë përpara raundit të ardhshëm të bisedimeve.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump i pati kërkuar qeverisë së Izraelit që të mos i pengojë bisedimet me ndonjë sulm. E pikërisht përpara se raketat izraelite të godisnin Teheranin, Trump postoi njoftimin, se ka shpresë për vazhdimin e bisedimeve. Që Netanjahu nuk i konsideron bisedimet për programin bërthamor, për këtë flet edhe vrasja gjatë sulmeve e Ali Shamchani. Shamchani ishte angazhuar prej udhëheqësit fetar Ali Chamenei si drejtues i komitetit për bisedimet më SHBA-në mbi programin bërthamor.

A mund të sulmojë Irani objektiva të SHBA-së?

Ndër çështjet e hapura është nëse Irani në goditjet e hakmarrjes do të shënjestrojë edhe objektiva të SHBA-së. SHBA konsiderohet mbështetësja më e rëndësishme ushtarake e Izraelit, që i mundëson të tilla sulme në shkallë të gjerë. Teherani vazhdimisht ka kërcënuar në të shkuarën me sulme hakmarrjeje ndaj bazave të SHBA-së në Lindjen e Mesme. Si rrjedhojë SHBA që përpara disa ditësh nisi me evakuimin e personelit dhe pjestarëve të familjeve të trupave të SHBA-së, që nuk janë të domosdoshëm në këto baza. Objektiva të mundshme ka shumë: Mes Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe SHBA-ja ka tetë baza të përhershme dhe disa baza mobile ushtarake, në të cilat janë të dislokuara rreth 50.000 ushtarë.

Në të vërtetë Irani nuk ka interes në një konfrontim ushtarak me SHBA-në, por nëse Teherani do të kundërgodasë, kjo varet se si dhe nëse administrata e SHBA-së do të distancohet nga sulmet izraelite. Ministri i Jashtëm Marco Rubio në një postim përbetohet, se SHBA në asnjë lloj mënyre nuk janë pjesëmarrëse në veprimet e Izraelit. Ai jep edhe paraljamërimin, që në asnjë mënyrë të mos shënjestrohen objketiva të SHBA-së.

Në Lindjen e Mesme në përgjithësi nervoziteti është i lartë. Vendet e rajonit e kanë kritikuar ashpër sulmin e Izraelit – edhe Arabia Saudite, që deri vonë ishte një kundërshtare e prerë e Iranit.

Akordi Abraham i vendosur gjatë mandatit të parë presidencial të Donald Trumpit për afrimin ndërmjet Izraelit dhe botës arabe – tani është ngrirë. Përpjekjet për afrim pësuan një praprktheu gjatë luftimeve të Izraelit në Gaza.

Arabia Saudite dhe Irani ndërkohë pas armiqësive të ashpra prej vitesh kishin filluar të afroheshin me ndërmjetësimin e Kinës. Marrëdhëniet e të dy vendeve ishin intensifikuar, madje të dy vendet synonin bashkëpunimin ushtarak dhe pritej të organizohej edhe një stërvitje e përbashkët. Si shenjë e fundit e afrimit shërbeu edhe vizita e ministrit saudit të Mbrojtjes Khalid bin Salman në Teheran. Atje vëllai i Mohammed bin Salman pati edhe një takim me udhëheqësin fetar.

Arabia-Saudite dhe të tjera vende të rajonit në asnjë mënyrë nuk duan të përfshihen në konflikrin ndërmjet Izraelit dhe Iranit, aq më pak nëse në të është involvuar edhe SHBA-ja. Irani në sfondin e një kundërshtari superior mund të ndjekë edhe kursin e një lufte asimetrike. Ndër veprime të tilla bën pjesë edhe prishja e nxjerrjes dhe transportit të naftës. Më 2019 sulmet me dron të milicëve jemenitë Huthi ndërprenë gjysmën e nxjerrjeve të naftës të sauditëve. Edhe në vitet që pasuan impiantet saudite të naftës vazhdimisht kanë qenë në shënjestër të sulmeve nga Jemeni. Ndaj nuk është habi, që në valën e sulmeve izralite janë rritur në masë çmimet e naftës.

Eshtë e paqartë, nëse Izraeli me sulmin e nisur do t'ia arrijë qëllimit të shpallur zyrtarisht, për të penguar ndërtimin e bombës atomike iraniane. Deri tani shumica e ekspertëve dyshojnë, që programi bërthamor iranian mund të shkatërrohet ushtarakisht. Sulmet madje mund të kenë efektin e kundërt, që pikërisht tani ta nxisin Iranin të konstruktojë bombën atomike. Por një veprim i tillë do të çonte në një garë armatimi atomik në Lindjen e Mesme. E për një gjë të tillë askush nuk mund të ketë interes./DW

1 DITE ME PARE

Irani nuk bën pas: Sulmet ndaj Izraelit do të vazhdojnë

Tym e flakë në Jerusalem! Izraeli dhe Irani shkëmbejnë sulme
FOTO ILUSTRUESE

IRAN-Tensionet mes Iranit dhe Izraelit janë të përshkallëzuara, ndërsa zyrtarë të lartë ushtarakë iranianë kanë paralajmëruar se sulmet ndaj Izraelit nuk do të ndalen me veprimet e fundit ushtarake.

“Kjo përballje nuk do të përfundojë me veprimet e kufizuara të mbrëmjes së kaluar dhe sulmet e Iranit do të vazhdojnë. Kjo përgjigje do të jetë shumë e dhimbshme dhe e pëndueshme për agresorët”, citohet të ketë thënë një zyrtar i paidentifikuar për agjencinë iraniane të lajmeve Fars.

Çfarë ka ndodhur?

Rreth 200 avionë izraelitë nisën mbrëmjen e së premtes së 13 Qershorit, valën e ashpër të bombardimeve ndaj objektivave ushtarake dhe bërthamore të Iranit. Raketat izraelite goditën rezidencat e disa zyrtarëve të lartë të ushtrisë në kryeqytetin e Iranit, duke vrarë dhjetëra persona e plagosur qindra të tjerë. Sulmit, Irani iu kundërpërgjigj me 100 dronë drejt Izraelit, të cilët sipas ushtrisë u shkatërruan të gjithë në ajër. 

Përfaqësuesi i Iranit në OKB thotë se numri i të vdekurve iranianë nga sulmet e fundit izraelite ishte 78, me më shumë se 320 të plagosur. Ai shton se “shumica dërrmuese” janë civilë. Reagime të shumta ka pasur edhe nga liderët botërorë. 

Izraeli ka këmbëngulur vazhdimisht për një opsion ushtarak për të ndaluar programin bërthamor të Iranit. Ai tha të premten se Teherani kishte avancuar një "program sekret për të montuar një armë bërthamore" dhe ishte më afër se kurrë që të ishte në gjendje të siguronte një armë të tillë. Irani ka këmbëngulur vazhdimisht se nuk po ndërton një bombë dhe se programi i tij bërthamor është për qëllime energjetike. 

1 DITE ME PARE

Pse Izraeli e sulmoi pikërisht tani Iranin?

Tym e flakë në Jerusalem! Izraeli dhe Irani shkëmbejnë sulme
FOTO ILUSTRUESE

IRAN-Sulmi i Izraelit ndaj Iranit jo vetëm që ka qenë më i gjerë dhe më intensiv sesa dy operacionet e tij të mëparshme ushtarake vitin e kaluar, por duket gjithashtu se ka miratuar një pjesë të strategjisë që u përdor në ofensivën izraelite kundër Hezbollahut në Liban nëntorin e kaluar.

Pse Izraeli e sulmoi Iranin pikërisht tani? Ka tri arsye për këtë, shkruan Corriere della Sera, që mund të ndryshojnë tërësisht gjendjen në Lindjen e Mesme.

Së pari, negociatat SHBA-Iran janë në ngërç

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u befasua kur SHBA-të (nën drejtimin e Trump) nisën bisedimet për marrëveshjen bërthamore me Iranin. Ai madje e mësoi lajmin gjatë një konference për shtyp, duke e cilësuar një “moment poshtërimi”.

Pas kësaj, SHBA dhe Irani nisën të dërgojnë mesazhe pozitive ndaj njëri-tjetrit, aq sa u nënshkrua një armëpushim me rebelët Houthi në Jemen. Ndërkohë, Trump ishte gjithnjë e më i pakënaqur me luftën e përgjakshme të Izraelit në Gaza, që po pengonte planet e tij për paqe në rajon.

Megjithatë bisedimet SHBA-Iran u bllokuan. Irani nuk pranoi të ndalojë plotësisht pasurimin e uraniumit dhe SHBA nuk pranon kurrsesi të heqë menjëherë sanksionet ekonomike.

Së dyti, raporti i AIEA-së që i jep të drejtë Izraelit

Në mes të këtij ngërçi, një raport i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA) tregoi se Irani ka rritur ndjeshëm rezervat e uraniumit, që mund të përdoret për armë bërthamore. Kjo ishte një fitore e madhe për Netanyahu-n, i cili prej vitesh paralajmëronte për rrezikun bërthamor iranian, por nuk merrej seriozisht. Tani, për herë të parë, një institucion ndërkombëtar e mbështeti pretendimin e tij.

Gaza hiqet nga “fokusi”

Sulmi ndaj Iranit ndodhi në një kohë shumë të vështirë për Netanyahu-n. Lufta në Gaza po e bën Izraelin gjithnjë e më të izoluar ndërkombëtarisht. Bashkimi Europian po mendon të pezullojë marrëveshjet me Izraelin, ndërsa Franca dhe Arabia Saudite po përgatisin një konferencë në OKB për të njohur shtetin palestinez, një veprim që do të godiste politikën e viteve të fundit të Netanyahu-t. Ky sulm ndaj Iranit mund të largojë vëmendjen nga Gaza dhe t’i shtyjë ose ndalojë këto iniciativa diplomatike.

Netanyahu po përballet edhe me presion nga partitë fetare në Izrael që duan të largohen nga qeveria për shkak të ligjit që do të detyrojë studentët e shkollave fetare të shkojnë në ushtri si gjithë të tjerët. Lufta ndaj Iranit i zbut këto tensione, të paktën përkohësisht.

Poll

MOS HUMB