TIRANË- Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit të letrës së Erion Veliajt nga burgu i Fierit në të cilën kryebashkiaku pretendon se kryeministri Edi Rama i ka përcjellë tri kushte përmes ministrit të Drejtësisë Toni Gogu gjatë takimit që kanë zhvilluar të premten.
Sipas asaj që Veliaj ka shkruar në letër ndër kërkesat e Ramës kanë qenë dorëheqja nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës delegimi i kompetencave te Arbër Hajdari si dhe pranimi se ka ndërhyrë në protestat e njohura si 'Flamingot'.
Në reagimin e saj, PD i cilëson këto pretendime si kërcënime ndaj Veliajt në qeli dhe kërkon hetim urgjent për Ramën, Gogun dhe Hajdarin. Sipas selisë blu letra ngre shqetësime serioze për sigurinë e kryebashkiakut në burgun e Fierit.
Partia Demokratike pretendon gjithashtu se SPAK po përdoret si instrument shantazhi në përplasjet brenda mazhorancës.
Deklaratë e Partisë Demokratike:
Sot mediat publikuan letrën nga burgu të Erion Veliajt, në të cilën ai shkruan se, pas transferimit në burgun e Fierit, Edi Rama i ka dërguar atij në qeli Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe i ka kërkuar të dorëzojë bashkinë te hajduti i damkosur Arbër Hajdari, ose të përballet me 100 vjet burg për prishje të rendit kushtetues dhe financim të ‘Flamingove’.
Partia Demokratike e Shqipërisë deklaron se:
Kërcënimet mafioze ndaj të burgosurit Erion Veliaj janë dëshmi e fytyrës së vërtetë prej kreu të organizatës kriminale (padrino) të Edi Ramës.
Kërcënimi mafioz i të burgosurit Erion Veliaj nga kreu i organizatës kriminale, Edvin Kristaq Xhelati, dëshmon se jeta e të burgosurit Erion Veliaj në burgun e Fierit është në rrezik tejet serioz.
Ky akt skandaloz dëshmon se SPAK-u nuk po përdoret më si kërbaç vetëm për opozitën dhe mburojë për të korruptuarit, por, më keq akoma, si instrument shantazhi i luftës brenda llojit të bandës në pushtet.
Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe kërcënimin në qeli të të burgosurit Erion Veliaj dhe kërkon hetim urgjent për këtë akt kriminal të Edi Ramës, Toni Gogut, si dhe të hajdutit të damkosur Arbër Hajdari, që kërkon të marrë në rrugë antiligjore dhe antikushtetuese Bashkinë e Tiranës./ZËRI