
KUKËS- Zgjedhjet e pjesshme lokale për Bashkinë Kukës kanë ndezur edhe njëherë motorët e garët tek partitë kryesore në vend. Ndërkohë që dita e zgjedhjeve po afron, duket se dhe palët kanë nisur punën në terren, duke mos përjashtuar edhe kundërshtarët. Një foto, e cila po qarkullon në rrjet, zbulon një takim të zhvilluar mes socialistëve dhe demokratëve, më konkretisht një prekj kandidatëve të koalicionit opozitar "Bashkë fitojmë". Një prej kandidatëve që synonte të garonte për Bashkinë e Kukësit më 24 shtator, Gëzim Shehu, raportohet se ka zhvilluar një takim me të dërguarin politik në qarkun e Kukësit, deputetin socialist, Pandeli Majko. Sipas raportimeve, në fotot e mëposhtme, në tavolinë janë ulur: Granit Gjana (nënkryetari i Bashksisë Kukës), Albert Halili (ish-prefekti i qarkut), Pandeli Majko, Gëzim Shehu dhe dy persona të tjerë të identifikuar si Petrit Peposhi dhe Hoxhë Alia.

Për të zbuluar më shumë detaje lidhur me çfarë ka ndodhur dhe përse kanë diskutuar "kundërshtarët e betuar", "Zëri" ka tentuar që të kontaktojë me Shehun, por deri në momentin e publikimit të artikullit, ende nuk ka marrë asnjë përgjigje. E ndërkohë Granit Gjana ka pranuar që të japë detaje nga takimi, duke e konfirmuar.
"Takimi është bërë në qeshor, atëherë kur Shehu ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Kukësit,"-bëri me dije Gjana për "Zëri", por nuk dha detaje lidhur me çfarë kishin diskutuar.

Zgjedhjet lokale në Kukës, të dytat për këtë vit, do të mbahen më 24 shtator, ku përballë do të jenë Albert Halilaj, i cili do të garojë nën siglën e Partisë Socialiste dhe Emri Vata, kandidat i "Bashkë fitojmë". Votimet do të mbahen pas dorëheqjes së Safet Gjicit, i cili la postin pas një videoje intime, e cila ishte xhiruar në zyrën e tij. Fillimisht u raportua si skandal seksual, por në video të tjera të nxjerra nga gazetari investigativ, Artan Hoxha, Gjici dhe "e ashtuquajtura" Alma K., pas aktit, diskutonin për dhënien e një tenderi për rehabilitimin e qenëve endacakë. Për të përmbushur kërkesen e 40 vjeçares kryebashkiaku Safet Gjici siç duket dhe nga pamjet filmike të publikuara thërret nënkryetarin Granit Gjana (pjesëmarrës në takim me Shehun) që ta ndihmonte me dokumentacionin që Alma Kaçi të përzgjidhej fituese. 51-vjeçari Safet Gjici akuzohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” neni 260 i kodit penal ku nëse do provohet akuza ai mund të dënohet me burgim nga nga katër deri në dymbëdhjetë vjet. Ndërsa Alma K., akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë “neni 245 i Kodit Penal ku nëse do provohet akuza ajo mund të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Aktualisht Gjici pret vendimin në burg, ndërsa 40-vjeçarja në masën e sigurisë "arrest shtëpie".