TIRANË- Ergys Agasi pritet të transferohet nga paraburgimi i Bradasheshit, me urdhër të firmosur nga drejtoresha e burgjeve, Sadleva Bodo. Raportohet se forcat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë mbërritur në ambientet e paraburgimit, ku Agasi po mbahet aktualisht, për të kryer procedurat e nevojshme të transferimit. Megjithatë, burgu ku do të transferohet Agasi nuk bëhet i ditur për arsye sigurie.
Transferimi i tij vjen një ditë pas atij të kryebashkiakut Erion Veliaj. Kryebashkiaku u transferua nga burgu i Durrësit, në IEVP Fier, ndërsa vetë ai deklaroi se nuk ishte njoftuar më herët dhe as nuk i ishin vënë në dispozicion arsyet.
Ergys Agasi u arrestua pasditen e 26 gushtit, ndërsa umëngjesin e 29 gushtit u transferua drejt ambienteve të paraburgimit të Bradasheshit, ku vijon të qëndrojë nën masën e sigurisë “Arrest me burg”. Biznesmeni ishte shpallur në kërkim nga SPAK si kreu i grupit të strukturuar kriminal, që qëndronte në krye të skemës së abuzimit me tenderat e AKSHI-t. Agasi akuzohet për disa vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Ndërsa iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit pasiv’. /ZËRI