Energji & Mjedis

Ngrohja e oqeaneve alarmon shkencëtarët: Ndryshimet po ndodhin shpejt

Kjo rritje e temperaturës, e cila prej një viti nuk ka reshtur duke u përkeqësuar muaj pas muaji, kërcënon jetën detare dhe shkakton më shumë lagështi në atmosferë.

f.t
Ngrohja e oqeaneve alarmon shkencëtarët: Ndryshimet po ndodhin shpejt
foto ilustruese

SHBA- Rritja dramatike e temperaturave të oqeaneve po shqetëson shkencëtarët, të cilët kërkojnë më shumë kërkime për ndryshimet që po shkaktohen, duke shprehur frikën e efekteve katastrofike në klimën në tërësi.

"Ndryshimet po ndodhin aq shpejt sa ne nuk jemi në gjendje të monitorojmë ndikimin që ato kanë,"- pranon Vidar Helgesen, sekretari ekzekutiv i Komisionit Ndërqeveritar Oqeanografik të UNESCO-s, i cili thekson se "ka një nevojë urgjente për të trajtuar ngrohjen e oqeanit".

Temperatura e oqeaneve, të cilat mbulojnë 70% të sipërfaqes së Tokës dhe luajnë një rol të madh në rregullimin e klimës globale, arriti një rekord të ri të të gjitha kohërave në mars, me një mesatare prej 21.07 gradë Celsius të matur në nivelin e detit, duke përjashtuar zonat pranë poleve, sipas Observatorit Evropian Koperniku.

Kjo rritje e temperaturës, e cila prej një viti nuk ka reshtur duke u përkeqësuar muaj pas muaji, kërcënon jetën detare dhe shkakton më shumë lagështi në atmosferë, e cila është sinonim i kushteve më të paqëndrueshme të motit, si erërat e forta dhe shirat e rrëmbyeshëm. Sipas ekspertëve, oqeanet kanë thithur 90% të nxehtësisë së tepërt të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor që nga fillimi i epokës industriale. Mjediset detare, të cilat prodhojnë pothuajse gjysmën e oksigjenit që thithim, kanë lejuar kështu që sipërfaqja e Tokës të mbetet e banueshme, shkruajnë mediat e huaja.

Një nga qëllimet e mëdha të Dekadës së Oqeanit (2021-2030) është që bota të zgjerojë njohuritë e saj për ngrohjen e oqeanit dhe të deshifrojë ndërlikimet e tij të shumta në mënyrë që të përpiqet ta reduktojë atë./ZËRI

Poll

MOS HUMB