Energji & Mjedis

Mungesë uji, dëme në bujqësi/ Thatësira godet Ballkanin, pritet valë e re të nxehti

Më herët në korrik, si Shqipëria ashtu edhe Kosova raportuan mungesa të ujit që ndikuan edhe në prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri.

k.m.
Mungesë uji, dëme në bujqësi/ Thatësira godet
Foto ilustruese

TIRANË- Një thatësirë e madhe këtë verë ka lënë mbi 1,000 lopë dhe kuaj pa ujë në një mal në Serbinë juglindore , duke i detyruar autoritetet të sjellin furnizime emergjente.Thatësira e hershme që filloi në maj ka prekur njerëzit, kafshët dhe të korrat në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke shkaktuar kufizime në ujë dhe energjinë elektrike. Në Suva Planina, që në serbisht do të thotë "Mali i Thatë", pronarët e bagëtive thanë se nuk mbajnë mend që burimet të jenë tharë ndonjëherë para mesit të gushtit. Mungesa e ujit e ka bërë bagëtinë të bredhë poshtë mali. Thatësira ka lënë pasoja të dukshme në një pllajë në lartësinë prej rreth 1.200 metrash (gati 4.000 këmbë) - toka e çarë ka zëvendësuar burimin kryesor të ujit, së bashku me barin e thatë e të verdhë.

"U përpoqëm të hapnim puse të reja, por gjithçka ishte tharë. Ishte e tmerrshme, bagëtia nuk kishte ujë për tre ditë, ato bërtisnin,"-tha një prej banorëve për "AP". Të alarmuar, autoritetet sollën kamionë uji të enjten dhe punëtorët përdorën tuba uji për të mbushur një pellg për kafshët e etura. Ministria e Bujqësisë tha se do të vazhdojë të dërgojë furnizime në javët në vijim.

"Jemi jashtë rrezikut tani,"- tha kryetari i bashkisë lokale Milisav Filipoviç pasi kamionët e ujit u ngjitën në mal. Ai paralajmëroi se situata mbetet po aq e keqe edhe poshtë malit.

"Fermerët tanë nuk kujtojnë një vit kaq të keq dhe të vështirë. Njerëzit këtu kryesisht merren me bujqësi dhe përdorin produkte për nevojat e tyre, për ekzistencën e tyre. Ky vit ka sjellë vështirësi të papara për ta,"- tha Filipoviç.

Në Bosnjën fqinje, meteorologët kanë thënë se qershori i këtij viti mund të jetë si muaji më i thatë në historinë e kohëve të fundit, duke shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi. Në Kroacinë lindore, autoritetet shpallën masa emergjente në disa komuna përgjatë kufirit me Hungarinë për t'u përballur me efektet e thatësirës. Kultivuesit e perimeve në vend kanë paralajmëruar se shumë prej tyre mund të falimentojnë.

Më herët në korrik, si Shqipëria ashtu edhe Kosova raportuan mungesa të ujit që ndikuan edhe në prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri. Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimi i klimës po përkeqëson frekuencën dhe intensitetin e nxehtësisë dhe thatësirës në disa pjesë të Evropës, duke e bërë rajonin më të prekshëm ndaj ndikimeve shëndetësore dhe zjarreve.

Në fqinjin verior të Serbisë, në Hungari, të korrat e dëmtuara nga moti i kanë dhënë goditje të konsiderueshme PBB-së së përgjithshme të vendit. Kjo e ka shtyrë kryeministrin Viktor Orbán të njoftojë krijimin e një “task force për thatësirën” për t’u marrë me problemin.

Ndërkohë një valë e re e të nxehtit pritet në Ballkanin Perëndimor në ditët në vijim./ZËRI

Poll

MOS HUMB