PERMET- Disa ditë më parë, publikimi i pamjeve shqetësuese që tregonin ndotjen e lumit të egër Vjosa nga mbetje të industrisë së naftës dhe asfaltit, ka ngjallur reagime të forta nga opinioni publik dhe organizatat mjedisore. Pamjet tregonin grumbullime të mëdha mbeturinash industriale pranë një prej degëve të lumit, duke ngritur shqetësime për ndikimin në mjedis dhe biodiversitet.
Menjëherë pas publikimit të këtyre pamjeve, Zëri.al ka dërguar kërkesa zyrtare për informacion në disa prej bashkive dhe institucioneve përgjegjëse në lidhje me këtë rast. Deri më tani, reagimi i vetëm zyrtar ka ardhur nga Bashkia Përmet.
Kryetarja e Bashkisë Përmet, znj. Alma Hoxha, ka sqaruar se nuk është konstatuar ndonjë ndotje brenda territorit që mbulon bashkia që ajo drejton.
“Nga komunikimet që kemi zhvilluar me institucionet përkatëse, deri më tani nuk është konstatuar ndotje me naftë apo derivate të saj në asnjë nga degët e lumit Vjosa brenda kufijve të Bashkisë Përmet. Bashkia Përmet, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe institucionet e tjera mjedisore, është e angazhuar në mënyrë të vazhdueshme për monitorimin dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura, përfshirë edhe pjesën e Parkut Kombëtar të Vjosës që ndodhet në territorin tonë.”- shprehet kryebashkiakja Hoxha.
Disa ditë më parë, media e huaj “River Watch” publikoi disa pamje shokuese ku shihej uji i ndotur në Vjosë për shkak të derdhjeve nga vendburimi i naftës në Gorisht-Kocul, një zonë me aktivitet mbi 60-vjeçar në industrinë e nxjerrjes së naftës.
Gjithashtu pas reagimeve publike dhe presionit mediatik, kompania Albpetrol ka dalë me një deklaratë, duke njoftuar se ka nisur zbatimin e një plani masash për pastrimin e zonave të ndotura dhe rehabilitimin e mjedisit përreth lumit Vjosë. Sipas kompanisë, po i kushtohet rëndësi e veçantë mbrojtjes së ekosistemit dhe rivendosjes së gjendjes natyrore të zonës.
Organizatat mjedisore dhe banorët vendas vijojnë të kërkojnë transparencë dhe veprime konkrete për të parandaluar ndotje të ngjashme në të ardhmen, ndërkohë që kërkohet hetim i plotë mbi shkaktarët dhe përgjegjësit e kësaj situate./ZËRI