
SARANDË- Saranda dhe Ksamili, dy nga pikat kryesore turistike në vend parashikohet të kenë një nënstacion të ri energjie që synon të zgjidhë problemet që mund të sjellë ngarkesa gjatë pikut të sezonit.
Drejtoria e Tensionit të Lartë në OSSH sh.a hapi këtë javë një procedurë prokurimi me një fond limit 599 milionë lekë apo rreth 6 milionë euro, që ka në objekt të saj “Ndërtim i N/Stacionit të ri Xarrë 110/20/10kV”. Referuar dokumenteve që shoqërojnë procedurën argumentohen edhe arsyet për këtë investim.
“Duke parë gjendjen aktuale të rrjetit TM të zonës bregdetare nga Saranda në Ksamil deri në Konispol dhe problematikat me furnizimin me energji elektrike në periudhat e ngarkuara të stinës së verës, të këtyre zonave turistike me fluks të madh turizmi është menduar ndërtimi i një N.Stacioni te ri 110/20/10kV, 2 x 20/25MVA, në zonën afër fshatrave Mursi – Xarë, në Bashkinë Konispol në Sarandë duke i shërbyer edhe kushteve aktuale të furnizimit me energji elektrike, por edhe asaj te perspektives se gjithë zonës turistike bregdetare jugore Ksamil –Livadhja – Konispol” thuhet në dokument.
Raporti vlerëson se zona bregdetare nga Saranda deri në jug në Ksamil që është një nga zonat turistike më tërheqëse, me numër shumë të madh turistësh dhe furnizohen me fidera 10/20kV nga N.Stacioni 110/20kV i Sarandës dhe ai i Livadhjasë.
Sipas OSSH përfitimet nga ndërtimi i këtij N.Stacioni do të jenë:
-Rritja e sigurisë së furnizimit me energji elektrike e rreth 14.000 abonentëve familjare dhe bizneseve të zonës turistike bregdetare.
-Zhvillimi i turizmit si pjesë e rëndësishme ekonomike e zhvillimit të zonës.
– Unazimin e fiderave 10kV që furnizojnë zonën bregdetare të Ksamilit, dhe rritjen e sigurisë se furnizimit për zonat nga Livadhja deri në Konispol.
Nën tendencën e rritjes së turizmit të dy rajonet po zgjerohen vazhdimisht me struktura të reja akomoduese diçka që sjell si nevojë rritjen e investimeve në energji për të përballuar pa probleme sezonin veror.
Saranda dhe Ksamili janë dy nga zonat më të promovuara sa i takon turizmit ku tre vitet e fundit janë kthyer në epiqendër të mediave ndërkombëtare dhe influencerve. Kjo solli me vete një frekuentim rekord sidomos vitin e shkuar teksa këtë vit kjo zonë u përball me rritje të ndjeshme çmimesh diçka që në total vlerësohet se e ka ndikuar sezonin veror./monitor