ANTARKTIDË- Në skajet e largëta dhe të ftohta të Antarktidës, një ndryshim befasues dhe shqetësues është duke ndodhur. Gadishulli Antarktik, i njohur për peizazhin e tij me akull të përhershëm, po përjeton një rritje dramatike të mbulesës bimore, një fenomen që ka tronditur komunitetin shkencor dhe që na jep një shembull të qartë të pasojave të ndryshimeve klimatike që po përjetojmë. Një studim i ri zbuloi se Gadishulli Antarktik është "gjelbëruar" për shkak të ndryshimeve klimatike. Studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar kanë vënë re një rritje më të madhe se sa pritej në zonat që po tregojnë shenja të dukshme gjelbërimi.
Në vitin 1986, mbulesa bimore në Gadishullin Antarktik ishte më pak se një kilometër katror, por sot ajo mbulon pothuajse 12 kilometra katror, që do të thotë se bimësia është rritur më shumë se dhjetë herë në një vend ku duhet të mbizotërojë akulli i përjetshëm. Shkencëtarët ia atribuojnë këtë fenomen ndryshimeve klimatike. Rajoni ka përjetuar rritje të temperaturës më shpejt se mesatarja globale, gjë që ka ndihmuar bimësinë të lulëzojë në një mjedis historikisht të papërshtatshëm për një rritje të tillë.
Zhvillimi i bimësisë nuk sjell vetëm një ndryshim peizazhi, ajo sjell me vete pasoja të rëndësishme ekologjike. Formimi i tokës nga dekompozimi i bimëve hap derën e kolonizimit nga bimë të tjera dhe specie potencialisht pushtuese. “Rikthimi” specieve të ngrira ndërshekuj për shkak të temperaturave, mund të ketë pasoja shkatërruese për ekosistemet vendase. Gjëja më befasuese në lidhje me këto ndryshime është se ato janë të dukshme nga hapësira, sipas imazheve satelitore të analizuara.
"Këto vëzhgime satelitore na lejojnë të monitorojmë se si dhe ku ndryshon mbulesa e borës, duke ofruar dëshmi të pakundërshtueshme të ndikimit të ndryshimeve klimatike në rajone të largëta” thuhet nga studiuesit. Imazhet satelitore shërbyen për të konfirmuar se tendenca e përhapur e gjelbërimit në të gjithë Gadishullin Antarktik është duke u zhvilluar dhe duke u përshpejtuar.
Biodiversiteti në Antarktidë është unik, i përshtatur ndaj kushteve ekstreme. Ndryshimi i mbulesës bimore dhe futja e specieve pushtuese mund të ketë efekte të paparashikueshme në biodiversitetin lokal. Studiuesit janë veçanërisht të shqetësuar se si këto ndryshime do të ndikojnë në speciet vendase që kanë evoluar për të mbijetuar në një mjedis kaq ekstrem dhe të izoluar./ ZËRI