Energji & Mjedis

Agroturizmet, numri i subjekteve të certifikuara në gjithë vendin arrin në 34

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në listat e rishikuara të saj të mesvitit, tregon se në kategorinë e agroturizmeve janë disa dhjetëra të tillë në të gjithë vendin

E.K
Agroturizmet, numri i subjekteve të certifikuara në gjithë vendin
agroturizmi ne shqiperi

TIRANË- Deri në mes të këtij viti në vend ishin 34 subjekte të certifikuara si agroturizme nga ana e institucioneve shqiptare. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në listat e rishikuara të saj të mesvitit, tregon se në kategorinë e agroturizmeve janë disa dhjetëra të tillë në të gjithë vendin.

Ndërkohë një tjetër listë është ajo e subjekteve që kanë certifikatë paraprake agroturizmi e cila ka në përmbajtje të saj të paktën 41 subjekte të tjera edhe këto të vendosura në gjithë vendin nga Jugu në Veri. Ky segment i subjekteve që operon mes turizmit dhe bujqësisë mbetet një nga të preferuarit e turistëve të huaj për shkak të qasjes tradicionale që ka ndaj gatimeve që ofron por edhe servirjes dhe natyrës.

Në vitet e fundit subjektet e agroturizmit kanë raportuar për një rritje të numrit të vizitorëve që janë të interesuar për gjithçka autentike teksa paralel me kërkesën duket se ka shkuar edhe rritja e numrit të subjekteve të certifikuara.

Certifikimi i agroturizmeve bëhet sipas kuadrit ligjor të miratuar pak vite më parë ku vendosen një sërë kushtesh ku ndër të tjerat ajo e ofrimit edhe të dhomave për fjetje përveç disa elementëve që lidhen me prodhimin.

Kështu agroturizmi duhet të zotërojë një fermë bujqësore ose blegtorale ose njësi agrikulturore dhe të ofrojë aktivitete argëtuese/edukative, shërbimin e ushqimit e pijes dhe akomodim. Subjektet duhet të ketë sipërfaqe 1 hektarë tokë për mbjellje, ndërkohë që duhet të ketë edhe ambient përpunimi për produktet.

Po kështu subjekti duhet të ketë edhe një ambient për përpunimin e produkteve bujqësore, përpunimin e produkteve blegtorale dhe mbarështimin e të paktën 10 (dhjetë) krerëve gjedhë ose 100 (njëqind) krerëve dele ose dhi ose 200 (dyqind) krerëve shpendë. Në këtë rast, subjekti duhet të ketë edhe një ambient për përpunimin e produkteve blegtorale, si p.sh.: qumësht, djathë, kos, dhe për mjeljen e lopëve e deleve.

Lidhur me subjektet e tjera që kanë certifikata paraprake kuadri parashikon se bëhet fjalë për ato subjekte të reja , që kërkojnë të ndërtojnë një strukturë/objekt akomodues në funksion të zhvillimit të veprimtarisë pritëse të agroturizmit dhe që duhet të marrin miratimin paraprak të projekt idesë nga komisioni vlerësues, i ngritur pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin.

Për certifikimin e subjekteve dhe dhënien, pezullimin dhe/ose shfuqizimin e “Certifikatës paraprake” ose “Certifikatës”, pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin funksionon një komision vlerësues, i përbërë nga 5 anëtarë, 3 prej të cilëve janë përfaqësues të caktuar nga ministri përgjegjës për turizmin dhe 2 nga ministri përgjegjës për bujqësinë dhe zhvillimin rural.

Bazuar në vendimmarrjen e komisionit, ministri përgjegjës për turizmin lëshon: a) certifikatën paraprake “Për veprimtarinë pritëse të certifikuar si agroturizëm”. Kjo certifikatë lëshohet për të bërë të zbatueshëm legjislacionin në fuqi për taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe ka vlefshmëri deri në 2 vjet nga dhënia e saj; b) certifikatën “Subjekt i certifikuar për veprimtarinë e agroturizmit”. Certifikata lëshohet për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë rinovimi, bazuar në kërkesën e subjektit. /Monitor

Poll

MOS HUMB