Ekonomi

Tatimet paralajmërojnë kontroll në terren për shitjen me faturë të produkteve bujqësore

Tatimet sqarojnë se fushata sensibilizuese do të zgjasë 2 javë.

Redaksia Zëri
Tatimet paralajmërojnë kontroll në terren për shitjen me
Foto ilustruese

TIRANË- Tregtimi i produkteve bujqësore dhe blegtorale si në tregjet e shumicës dhe pakicës në vend do të duhet të shoqërohet me faturë të fiskalizuar dhe me etiketë të origjinës së mallit, në të kundërt tregtarët do të gjobiten. Administrata Tatimore njofton tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në sektorin e tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, me shumicë dhe pakicë se ka nisur fushatën me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e tregtarëve me qëllim formalizimin e tyre dhe ruajtjen e sigurisë ushqimore për konsumatorin.

Tatimet sqarojnë se fushata sensibilizuese do të zgjasë 2 javë.

“Duke filluar nga (datë 7 korrik 2025) Administrata Tatimore bën me dije se pasi ka analizuar të dhënat mbi aktivitetin tregtar të këtij sektori, për një periudhë 2-javore do të sensibilizojë bizneset nëpërmjet kanaleve të saj të komunikimit apo vizitave informuese në terren për përmbushjen e detyrimit ligjor për të lëshuar faturë të fiskalizuar për produktet që tregtojnë.

Sipas Ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, neni 6, pika 3; neni 7, pika 2 dhe neni 9, tatimpaguesit duhet që: 1- Çdo artikull blegtoral dhe bujqësor që disponojnë dhe tregtojnë ta shoqërojnë me faturë të fiskalizuar të blerjes, në të cilën të identifikohet dukshëm dhe qartë shitësi, si rrjedhojë edhe origjina e produktit. 2- Çdo artikull që tregtojnë ndaj konsumatorit final ta shoqërojnë me faturë të fiskalizuar, ku të jenë pasqyruar saktë dhe dukshëm emërtimi dhe çmimi i produktit”.

Pas përfundimit të fushatës ndërgjegjësuese, administrata tatimore paralajmëron kontrolle në terren, që do të shoqërohen edhe me penalizime për rastet e moslëshimit të faturave fiskale dhe mosdeklarimit të origjinës së mallit të tregtuar. “Task-Forca e ngritur për këtë qëllim, e përbërë nga inspektorë të Hetimit Tatimor dhe inspektorë të monitorimit në terren, do të nisë kontrollet në vend për të verifikuar që çdo produkt bujqësor apo blegtoral shoqërohet me faturë tatimore të fiskalizuar.

Administrata Tatimore ju fton të deklaroni saktë dhe në mënyrë të plotë mbi aktivitetin tuaj tregtar, në përputhje me detyrimet ligjore në fuqi, në të kundërt mungesa e faturave të fiskalizuara do të sjellë penalitete sipas legjislacionit në fuqi”./Monitor

Poll

MOS HUMB