Ekonomi

Rregullorja e faktorëve të riskut rriti çmimin mesatar, bonus-malus e uli lehtë

Megjithatë, sistemi parashikon një bonus mjaft të vogël, prej vetëm 3% dhe që për më tepër nuk rritet në vitet e mëpasshme, në rast se drejtuesi i mjetit nuk shkakton dëme.

Redaksia Zëri
Rregullorja e faktorëve të riskut rriti çmimin mesatar,
foto ilustruese

TIRANË- Aplikimi i sistemit bonus-malus, duke nisur nga fillimi i këtij viti, ka sjellë një ulje të vogël në çmimin e sigurimit për shumicën e drejtuesve të mjeteve. Sipas përllogaritjeve të siguruesve, Shqipëria ka një frekuencë dëmesh prej 4%. Kjo do të thotë se nga 100 drejtues mjetesh, 96 prej tyre pritet të përfitojnë bonus dhe vetëm 4 do të ndëshkohen me malus.

Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për vitin 2025, kompanitë e sigurimit kanë lidhur gjithsej afërsisht 751 mijë kontrata sigurimi. Mbi këtë shifër, mund të vlerësohet se rreth 30 mijë drejtues mjetesh do të paguajnë një prim më të lartë gjatë vitit 2026.

Pjesa e mbetur, rreth 721 mijë drejtues mjetesh, do të paguajnë një prim sigurimi më të ulët.

Megjithatë, sistemi parashikon një bonus mjaft të vogël, prej vetëm 3% dhe që për më tepër nuk rritet në vitet e mëpasshme, në rast se drejtuesi i mjetit nuk shkakton dëme.

Në rast se analizojmë në tërësi efektin e rregullores së AMF, për përcaktimin e primeve mbi bazën e faktorëve të riskut, që nisi të aplikohet në 2025, në përgjithësi ajo solli një shtrenjtim të primit të shkruar bruto mesatar. Siç mund të vërehet qartë edhe nga grafiku, në janar 2025, kur nisi zbatimi i rregullores së re, primet shënuan rritje.

Mbështetur në shifrat e publikuar nga AMF-ja, mund të llogarisim se gjatë vitit 2025, një policë sigurimi TPL kishte një prim të shkruar bruto mesatar në vlerën e 19,164 lekë, në rritje me 5.9% krahasuar me mesataren e vitit 2024.

Megjithatë, aplikimi i sistemit bonus-malus, në fillim të këtij viti, ka ndikuar në një ulje të lehtë të primit të shkruar bruto mesatar. Për tremujorin 2026, primi i shkruar mesatar për një policë sigurimi TPL zbriti lehtë në 18,944 lekë, 2.5% më pak krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Pavarësisht korrektimit, në terma mesatarë, çmimet ngelen më të lartë krahasuar me vitin 2024, para hyrjes në fuqi të rregullores së re për faktorët e riskut. Në tremujorin e parë 2026, një policë sigurimi kishte një prim mesatar 3.7% më të lartë krahasuar me tremujorin e parë 2024. 

Përqendrimi te TPL-të: Shqipëria 62%, BE-ja afërsisht 10%

Një karakteristikë e tregjeve të sigurimit të Ballkanit Perëndimor është pesha specifike shumë e lartë e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta në strukturën e tregut.

Në Shqipëri, sigurimet TPL përbëjnë pothuajse 70% të primeve të shkruara bruto të tregut të sigurimit të Jo-Jetës. Në raport me gjithë tregun e sigurimeve, duke përfshirë edhe atë të Jetës, sigurimet TPL përbëjnë rreth 62% të primeve të shkruara bruto.

Edhe në Kosovë, pesha e produkteve TPL është e ngjashme, ndërsa ka nivele lehtësisht më të ulëta në Maqedoninë e Veriut dhe sidomos në Malin e Zi.

Në vendet e Bashkimit Europian, pesha e sigurimeve motorike është shumë më e ulët. Vlerësohet se sigurimet TPL përbëjnë afërsisht 20% të tregut të sigurimit të Jo-Jetës. Nëse llogarisim edhe tregun e sigurimit të Jetës, që në BE është shumë i zhvilluar, pesha e produkteve TPL ndaj totalit të tregut zbret në më pak se 10%./Monitor

Poll

MOS HUMB