Ekonomi

Parapaguan tatim-fitimin 15%, GJK "i mbyll dyert" kompensimit të profesioneve të lira

Një pjesë e bizneseve kanë parapaguar këstin e detyrimit të llogaritur sipas deklarimit të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin 2023.

F.I

Parapaguan tatim-fitimin 15%, GJK "i mbyll dyert" kompensimit të

TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos pranojë kërkesën e qeverisë për plotësimin e vendimit të mëparshëm të kësaj gjykate që shfuqizoi taksimin 15% të profesioneve të lira, vendim i cili duket se i mbyll dyert kompensimit të subjekteve që kishin parapaguar këstin e parë. Një pjesë e bizneseve kanë parapaguar këstin e detyrimit të llogaritur sipas deklarimit të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin 2023. Gjykata Kushtuese ka nënvizuar se nuk ka kompensim për 6,541 subjekte të profesioneve të lira, të cilët kishin parapaguar rreth 500 milionë lekë tatim mbi të ardhurat. 

Vendimi:

Në analizë të përmbajtjes së argumenteve të kërkuesit, Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se për sa u takon efekteve që vendimi i Gjykatës sjell ndaj pasojave të dispozitave ligjore dhe nënligjore të shfuqizuara, neni 132, pika 2, i Kushtetutës parashikon se vendimet e Gjykatës hyjnë në fuqi ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare dhe se Gjykata mund të urdhërojë që vendimi i saj, me të cilin ka shqyrtuar aktin, të fillojë efektet në një datë tjetër. Kurse sipas nenit 26, pikat 2 dhe 3, të ligjit nr. 8577/2000, vendimet, si rregull, hyjnë në fuqi ditën e publikimit, përveçse kur është parashikuar ndryshe në këtë ligj dhe Gjykata mund të urdhërojë që vendimi i saj, me të cilin ka shqyrtuar aktin, të fillojë efektet në një datë tjetër.

Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se Gjykata në vendimin nr. 52/2024, ndërsa ka vendosur shfuqizimin e një pjese të dispozitave ligjore dhe nënligjore të kundërshtuara, duke dhënë edhe argumentet përkatëse për antikushtetutshmërinë e tyre, është shprehur edhe për efektet e vendimit në dispozitivin e tij përmes rregullit të përgjithshëm, sipas të cilit vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi në ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Në këto kushte, Gjykata vlerëson se kërkuesi nuk gjendet në asnjë prej rasteve të parashikuara nga neni 80, pika 1, i ligjit nr. 8577/2000, për rrjedhojë kërkesa nuk mund të kalojë për shqyrtim në seancë plenare.

Mbledhja e Gjyqtareve, ne baze te nenit 80 te ligjit nr. 8577, date 10.02.2000 “Per organizimin dhe funksionimin e Gjykates Kushtetuese te Republikes se Shqiperise”, te ndryshuar, njezeri, V E N D O S I: Moskalimin e ceshtjes per shqyrtim ne seance plenare.

Në të njëjtën ditë 16 shtator, 2024 kur Kushtetuesja nxori vendimin në fjalë, deputetja e partisë demokratike Jorida Tabaku depozitoi në kuvend një projekt ligj për të kompensuar profesionistë e lirë që kana parapaguar tatim fitimin 15%, si dhe fshirjen nga sistemi të detyrimeve tatimore së bashku me kamatevonesat që janë krijuar nga zbatimi për disa muaj i ligjit të shfuqizuar.

Mbetet për tu parë nëse do të pranohet nga mazhoranca ky propozimin, por vendimi i dytë i kushtetues për hyrjen në fuqi të vendimit të shfuqizimit të taksimit pas botimit në fletoren zyrtare është një gur i fortë në dorën e qeverisë për të mos bërë kompensimin e atyre profesionistëve të lirë që e parapaguan këstin e parë të tatimit mbi të ardhurat personale.

Poll

MOS HUMB