Ekonomi

Kriza që po zbraz fabrikat, industria e këpucëve humbet mijëra vende pune

Krahasuar me vitin 2019, punësimi në sektor është ulur me rreth 15.7 mijë persona, ose 28%. Vetëm industria e këpucëve ka humbur rreth 9 mijë vende pune, me një rënie prej 35%.

Redaksia Zëri
Kriza që po zbraz fabrikat, industria e këpucëve humbet
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Industria e prodhimit të këpucëve po përballet për të katërtin vit radhazi me vështirësi. Rënia e euros, mungesa e fuqisë punëtore, rritja e pagave dhe zhvendosja e porosive drejt vendeve me kosto më të ulët po ushtrojnë presion të fortë mbi sektorin.

Në gjysmën e parë të vitit 2026, eksportet e këpucëve ranë me 7.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vitin 2025, eksportet e tekstileve dhe këpucëve u ulën me rreth 1%, ndërsa prodhimi i tekstileve, veshjeve dhe industrisë së lëkurës e këpucëve ra me 5%, pas rënieve prej 6.6% në vitin 2024 dhe 0.8% në vitin 2023.

Tkurrja është reflektuar edhe në punësim. Në vitin 2024, industria e tekstileve dhe këpucëve punësonte rreth 40 mijë persona, niveli më i ulët në një dekadë. Krahasuar me vitin 2019, punësimi në sektor është ulur me rreth 15.7 mijë persona, ose 28%. Vetëm industria e këpucëve ka humbur rreth 9 mijë vende pune, me një rënie prej 35%.

Presioni është shtuar edhe nga rritja e kostove të punës. Në 10 kompanitë më të mëdha të prodhimit të këpucëve, shpenzimet për paga dhe sigurime arritën rreth 4.9 miliardë lekë në vitin 2025. Në të njëjtin vit, gjashtë prej prodhuesve më të mëdhenj deklaruan 3,785 të punësuar, rreth 10% më pak se një vit më parë.

Ndërkohë, pesha e shpenzimeve të personelit në strukturën totale të kostove është rritur ndjeshëm. Në vitin 2022, ato përbënin 42.9% të shpenzimeve, ndërsa në vitin 2025 arritën në 51.5%. Në të njëjtën periudhë, xhiroja e 10 kompanive më të mëdha ishte rreth 26% më e ulët se në vitin 2022.

Rënia e euros ka shtuar më tej presionin mbi eksportuesit, pasi të ardhurat arkëtohen kryesisht në euro, ndërsa një pjesë e madhe e kostove paguhet në lekë.

Në të njëjtën kohë, marzhet e fitimit mbeten të ulëta, rreth 3-4%, duke kufizuar mundësinë e kompanive për të përballuar rritje të reja të kostove.

Përballë këtyre zhvillimeve, një pjesë e porosive po zhvendoset drejt tregjeve me kosto më të ulët, ndërsa sektori shqiptar po përballet me vështirësi në ruajtjen e konkurrueshmërisë dhe të kapaciteteve prodhuese./Monitor

Poll

MOS HUMB