Ekonomi

Raporti i Bankës Botërore: Për 2025, ekonomia shqiptare rritet me 3.7%

Bëhet fjalë për një rritje prej 0.5% në krahasim me parashikimin e mëparshëm të pranverës, që vlerësohej me një rritje të ngadaltë prej 3,2%.

zh.ll
Raporti i Bankës Botërore: Për 2025, ekonomia shqiptare rritet me
Foto ilustruese

TIRANË- Raporti i fundit i Bankës Botërore parashikon një rritje të ekonomisë shqiptare më 3,7% për vitin 2025. Bëhet fjalë për një rritje prej 0.5% në krahasim me parashikimin e mëparshëm të pranverës, që vlerësohej me një rritje të ngadaltë prej 3,2%. Por, për vitin e ardhshëm e në vijim Banka Botërore paralajmëron një ngadalësim të rritjes ekonomike në 3.5%, për shkak të pasigurive në tregtinë globale dhe ndryshimeve në perspektivën ndërkombëtare

Megjithatë, ekspertët e Bankës Botërore, në raportin e tyre, shprehen se një zbatim më i shpejtë i reformave të mbështetura nga BE-ja mund të përshpejtojë ritmin e rritjes së të ardhurave për frymë deri në 3.1%.

“Ne presim që ekonomia e Shqipërisë të vazhdojë të rritet, e mbështetur nga reformat e forta. Prioritetet kryesore përfshijnë stabilitetin fiskal, zhvillimin e gjelbër, mbrojtjen më të mirë sociale, përmirësimin e shërbimeve digjitale dhe forcimin e lidhjeve me tregjet rajonale dhe ato të BE-së”, tha Massimiliano Paolucci, menaxher i zyrës së Grupit të BB për Shqipërinë.

Në fakt, raporti i ri i Bankës Botërore parashikon që në tërësi ekonomia e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të ngadalësohet gjatë këtij viti, për t'u ri-gjallëruar në 2027. Pra, përveç Shqipërisë, edhe vendet e tjera të rajonit do të shohin një ngadalësim që do të arrijë deri në në 3.0% në vitin 2025, që është 0.2 pikë përqindje më e ulët se parashikimet e mëparshme. Rritja parashikohet të përshpejtohet në 3.1% në vitin 2026 dhe 3.6% në vitin 2027.

“Nëse tendencat aktuale të popullsisë, rritjes ekonomike dhe të tregut të punës do të vazhdojnë, rajoni mund të përballet me një mungesë prej më shumë se 190,000 punëtorësh gjatë pesë viteve të ardhshme”, vlerëson Banka Botërore./ZËRI

Poll

MOS HUMB