Ekonomi

Qeveria vendos tarifë të re për karburantet, pritet rritje çmimi 0.75 lekë për litër

Subjektet që do t’i nënshtrohen kësaj tarife janë ato që tregtojnë, importojnë, shpërndajnë, transportojnë, magazinojnë, prodhojnë, rafinojnë ose ushtrojnë çdo aktivitet tjetër tregtar me produktet që i nënshtrohen shënjimit.

M.K.
Qeveria vendos tarifë të re për karburantet, pritet rritje
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-  Një vendim i ri i Qeverisë pritet të ndikojë në koston e karburanteve në vend. Bëhet fjalë për vendosjen e një tarife për shënjimin e naftës dhe benzinës, e cila mund të reflektohet edhe në çmimin që qytetarët do të paguajnë në pikat e furnizimit me karburant.

Kompanitë që tregtojnë naftë dhe benzinë do të paguajnë një tarifë shënjimi prej 6.5 eurosh për çdo 1 mijë litra, ose rreth 0.75 lekë për litër, përfshirë TVSH-në. Tarifa do të mblidhet nga shoqëria “ALBTrace CO”, e cila do të jetë përgjegjëse për markimin e lëndëve djegëse. Vendimi është marrë nga Qeveria, e cila ka vendosur rregulla të reja për monitorimin, kontrollin dhe gjurmueshmërinë e karburanteve përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit. Si pasojë, tarifa e re mund të shoqërohet edhe me rritje të çmimit të karburanteve në pompë.

Subjektet që do t’i nënshtrohen kësaj tarife janë ato që tregtojnë, importojnë, shpërndajnë, transportojnë, magazinojnë, prodhojnë, rafinojnë ose ushtrojnë çdo aktivitet tjetër tregtar me produktet që i nënshtrohen shënjimit. Këto subjekte janë gjithashtu të detyruara të paguajnë detyrimet fiskale për produktet përkatëse.

Administrata Doganore do të ketë rolin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të procesit, duke përdorur laboratorë të lëvizshëm, analiza në terren dhe sisteme monitorimi për të verifikuar përputhshmërinë e karburanteve me kërkesat ligjore.

Regjimi i shënjimit dhe monitorimit të karburanteve do të nisë të zbatohet pas përfundimit të periudhës së zbatimit të projektit të shënjimit, e cila zgjat deri në gjashtë muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Më herët, shërbimi i markimit të karburanteve ishte dhënë me koncesion një kompanie private nga viti 2013 deri në vitin 2024, kur përgjegjësia për këtë proces kaloi te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave./ZËRI

Poll

MOS HUMB