TIRANË- Fitimi operativ bruto i ekonomisë shqiptare ka shënuar një rritje të fortë pas pandemisë, por të dhënat e vitit 2025 tregojnë fitimet i janë kthyer rënies.
Fitimi operativ bruto në ekonomi mat të ardhurat që u mbeten prodhuesve nga aktiviteti ekonomik, pasi janë paguar punonjësit dhe kostot e prodhimit.
Ai konsiderohet treguesi kryesor i të ardhurave nga kapitali dhe i aftësisë së ekonomisë për të gjeneruar fitime dhe investime.
Sipas të dhënave të INSTAT, rritja më e fortë u regjistrua në vitin 2022, kur fitimi bruto arriti në 726.3 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 45.4%. Tendenca pozitive vijoi edhe në 2023 dhe 2024, duke kulmuar në 894.9 miliardë lekë në vitin 2024, niveli më i lartë pas pandemisë.
Por në vitin 2025, fitimi operativ bruto zbriti në 788 miliardë lekë, me një rënie prej rreth 12% krahasuar me vitin 2024.
Peshën kryesore të fitimeve e mban sektori i biznesit me 630.7 miliardë lekë në vitin 2025, me rënie vjetore 5.5%
Rënia më e fortë erdhi nga sektori i familjeve, ku fitimi operativ bruto u ul nga 168.2 miliardë lekë në 2024 në 96.6 miliardë lekë në 2025.
Ecuria tregon se ekonomia e tejkaloi shpejt goditjen e pandemisë, por viti 2025 sinjalizon një fazë më të dobët për fitimet, pas tre viteve rritjeje të shpejtë.
Rënia e fitimit operativ bruto në vitin 2025 lidhet kryesisht me dobësimin e ritmit të krijimit të vlerës së shtuar në ekonomi dhe me rritjen e kostove të punës.
Pas tre viteve të forta rimëkëmbjeje pas pandemisë, fitimet e bizneseve duket se hynë në një fazë normalizimi, pasi marzhet e larta të viteve 2022–2024 nuk u ruajtën më me të njëjtin intensitet.
Kjo tregon se sektori real i ekonomisë, bizneset prodhuese, tregtare dhe të shërbimeve, pati më pak tepricë fitimi pas pagesës së pagave, kontributeve dhe kostove të tjera operative.
Një tjetër faktor ishte pesha e lartë e kompensimit të punonjësve. Pagat dhe kontributet mbetën në nivele të larta, duke reflektuar presionin për rritje pagash në tregun e punës. Kjo ka ndihmuar të ardhurat e familjeve, por nga ana tjetër ka ngushtuar hapësirën e fitimit për bizneset.
Rënia përkon edhe me një vit më të vështirë për sektorët eksportues, të ndikuar nga forcimi i lekut, i cili uli të ardhurat e konvertuara në lekë për kompanitë që shesin jashtë vendit. Industria dhe bujqësia, dy sektorë të ndjeshëm ndaj kursit të këmbimit dhe kërkesës së jashtme, kanë pasur presione më të mëdha mbi fitimet./Monitor